Policia dyshon se autorët janë nga Lazarati, pronarë të marijuanës
Zjarri në mjetin e oficerit Shpëtim Kripa u vendos dy orë pas sekuestrimit të lëndës narkotike
Bllokimi i një sasie të konsiderueshme droge të dalë nga Lazarati duket se ka sjellë reagimin e ashpër të lazove, të cilët i kanë vënë flakën makinës së një oficeri të antidrogës, i cili kishte drejtuar operacionin vetëm dy orë para se të bëhej objekt i sulmit të trafikantëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në Gjirokastër, ndërkohë që policia ka ngritur menjëherë dyshimet se autorët e djegies së makinës në pronësi të Shpëtim Kripës kanë lidhje me drogën e sekuestruar.
Informacioni
Sipas Policisë së Gjirokastrës, gjithçka ka nisur rreth mesnatës së djeshme, kur specialistët e antidrogës kanë sekuestruar 196.4 kg marijuanë dhe kanë shpallur në kërkim një person nga Lazarati. Burimet policore thanë se rreth orës 23.50 të së premtes, antidroga ka marrë informacion në rrugë operative se një sasi lënde narkotike do transportohej nga fshati Lazarat në drejtim të Gjirokastrës, me një automjet që nuk dihej saktësisht marka dhe targat. Rreth orës 00.20, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë konstatuar se në aksin rrugor Kordhocë- Gjirokastër po lëvizte me shpejtësi një automjet tip “Reno”, pa targa, me xhama të zinj.
Arratisja
Specialistët e antidrogës janë vënë në ndjekje të automjetit, që dyshohej se transportonte lëndë narkotike. Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë që e ndiqte policia, ka shtuar shpejtësinë, por në afërsi të vendit të quajtur NSHN, automjeti është fikur dhe drejtuesi i automjetit e ka braktisur atë, duke u larguar me vrap në drejtim të shtratit të lumit Drino. Për t’u arratisur, ai ka përfituar nga errësira dhe shiu shumë i rrëmbyeshëm që po binte. Madje, edhe rruga ishte mbushur me ujë, çka bëri që automjeti që ishte me lëndë narkotike, të fikej në ecje e sipër.
Droga
Në ndjekje të drejtuesit të automjetit janë vënë specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Gjirokastrës, por kapja e tij ka qenë e pamundur, pasi shiu i rrëmbyeshëm, tereni i vështirë dhe errësira, kanë bërë që autori të largohej. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, ku nga këqyrja që iu bë automjetit tip “Reno” pa targa dhe me xhama të lyer me bojë të zezë, rezultoi se drejtuesi i automjetit i kishte hequr sediljet e pasme si dhe ndarjen e tyre me bagazhin. Aty u gjetën 32 pako të mëdha me peshë 5.2 kilogramë secila dhe 25 pako me peshë 1.2 kilogramë secila. Pakot ishin të mbështjella me letër natriban, ku në secilën prej tyre kishte nga një shenjë “+” të shkruar me bojë të verdhë. Gjithsej ishin 196.4 kg marijuanë.
Identifikimi
Specialistët e antidrogës, mbi bazën e informacioneve të marra më parë, si dhe duke u bazuar në prova të gjetura në vendngjarje, si dhe të dhënat e automjetit, kanë identifikuar drejtuesin e automjetit, i cili është nga fshati Lazarat, me precedentë penalë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ku për arsye hetimi, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tij. Po nga informacionet e marra nga grupi hetimor rezultoi se lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar Italinë. Lënda narkotike dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Atentati
Dy orë më vonë, rreth orës 03:30, në afërsi të tregut në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër ka marrë flakë në pjesën e pasme automjeti tip “BMW”, me targa të rregullta AA 571 CV, në pronësi të Shpëtim Kripës, një prej specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Me ndërhyrjen e menjëhershme të repartit zjarrfikës u bë shuarja e flakëve. Për shkak të flakëve gjysma e automjetit u dogj, duke shpëtuar vetëm motori. Në vendngjarje, grupi hetimor ka kryer veprimet paraprake dhe po vijon puna, pasi mendohet se zjarri është i qëllimshëm për shkak të detyrës, pasi oficeri i policisë ishte drejtues në operacionin për kapjen e marijuanës. Megjithatë, policia tha se nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë shkëndije elektrike. Ç. J.
