Federata nuk bën homazhe. Shokët i vendosin topin e futbollit në arkivol


Ndonëse Federata e Futbollit pati njoftuar se do të mbante një minutë heshtje në ndeshjet e djeshme për nder të 17-vjeçarit Thaçi, i cili humbi jetën në ndeshjen miqësore në Kukës, asnjë autoritet i saj nuk ka qenë i pranishëm në homazhet që i janë bërë të riut. Ilirjan Thaçi u përcoll dje në banesën e fundit, duke marrë me vete edhe enigmën e fortë nëse një ndihmë më e specializuar në fushë mund të kishte ndryshuar situatën.


Ilirjan Thaçi, vetëm 17 vjeç, pjesëtar i ekipit të të rinjve të Kukësit (U17) humbi jetën të premten pasdite në fushën e blertë, ndërsa po luante në ndeshjen miqësore mes ekipit të Kukësit dhe atij të Prizrenit. Qindra qytetarë, sportistë të ekipit U17, drejtues të klubit të futbollit të Kukësit, qindra bashkëmoshatarë dhe maturantë të shkollës së mesme ku ai studionte dhe të afërm të familjes kanë bërë homazhe pranë trupit të tij. I vendosur në një arkivol pranë banesës ku jetonte, futbollistit të ndjerë Thaçi i janë bërë nderimet e fundit dje në mesditë. Trupi i pajetë i të riut është mbështjellë me flamurin kombëtar, ndërsa lojtarët e ekipit ku ai debutonte, i kanë vendosur edhe topin e futbollit, si shenjë e pikëllimit të tyre të thellë për mikun e shtrenjtë të lojës së futbollit dhe të shkollës, pasi shumë prej tyre janë maturantë siç ishte edhe Thaçi. Pasioni i tij ka qenë që në fëmijëri topi i futbollit dhe fusha e blertë.


Një ditë pas humbjes tragjike të sportistit, një nga futbollistët që ka qenë pjesë e ekipit, Veronik Istrefaj, tregon për vdekjen e shokut të tij dhe përpjekjet për ta mbajtur në jetë. “Topi nuk ishte fare në gjysmëfushën tonë, vetëm kur kthejmë kokën kishte rënë në tokë. Profesori kishte hyrë në fushë. Është ndeshja e parë që ka shfaqur probleme. Thonë që ka ndërruar jetë rrugës, pasi makina u vonua, por nuk e di, doktorët thonë se ka ardhur në spital gjallë”, shprehet Istrefaj, futbollist i U17.


Sipas policisë, bëhet e ditur se Ilirjan Thaçi ka humbur jetën nga një atak kardiak, megjithatë priten konkluzionet e mjeksësisë ligjore për të vërtetuar shkakun e vdekjes. Bashkia e qytetit të Kukësit ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka mbajtur 1 minutë heshtje në çdo ndeshje që u zhvillua dje në stadiumet apo fushat e vendit. Ilirjan Thaçi humbi jetën në një ndeshje miqësore në fushën e Kukësit mes ekipit vendës dhe atij të Prizrenit, gjithashtu ekip të rinjsh U17. Vdekja e tij e papritur nga një atak kardiak në 10 minutat e para të ndeshjes ka tronditur jo vetëm familjen, por gjithë tifozët e Kukësit, e veçanërisht të rinjtë e skuadrës ku Thaçi debutonte.