Matura 2013, 2 provime me zgjedhje, 8 kredite gjithsej

Përjashtohet mundësia e 3 testeve. Vejsiu: “Ndryshimi i vjetshëm nuk solli risi”

Shpresa Mezini

Ndryshimet që pëson Matura Shtetërore vit pas viti nuk përbëjnë më risi. Tashmë të gjithë janë mësuar se për çdo vit disa prej rregullave të saj do të ndryshojnë për shkak se nuk janë implementuar si duhet vitin e mëparshëm. I tillë është ndryshimi i një prej pikave të rregullores së procesit të maturës 2012, që parashikonte testimin e maturantëve në 2 apo 3 provime me zgjedhje, me kushtin që shuma e krediteve të lëndëve të ishte të paktën 8 në total. Specialistët e arsimit sqarojnë se duke qenë se vitin e kaluar u përballën me probleme me nxënësit që kishin zgjedhur të testoheshin në 3 teste me zgjedhje, sivjet kanë menduar që maturantët të zhvillojnë 2 teste, duke u hequr atyre mundësinë e zgjedhjes së një lënde të tretë.

Kështu, maturantët e vitit 2012-2013 do t’u nënshtrohen vetëm 2 provimeve me zgjedhje, jo më 3, praktikë që u aplikua vjet.

Shkak për këtë, sipas ekspertëve të arsimit, është se rezultatet e vitit të kaluar nuk u përputhën me pritshmëritë.

“Totali i krediteve që duhet të plotësojë një maturant nuk do të ndryshojë, do të jetë sërish 8, por nxënësit do të jenë të detyruar të zgjedhin vetëm 2 lëndë për t’u testuar. Ky ndryshim vjen për shkak se përvoja e vjetshme nuk rezultoi risi, për rrjedhojë po i rikthemi praktikës së dy viteve më parë. Nga ana tjetër, ajo ndikoi në mbingarkesën e nxënësve. Kishte një mendim, interpretim, një këshillim jo të mirë për këta maturantë që zgjodhën 3 lëndë duke menduar se do të marrin më shumë pikë, por formulat ishin të tilla që nuk të krijonin mundësinë për të marrë më shumë pikë”, sqaroi Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.

Udhëzimi

E megjithatë, duke iu referuar udhëzimit të Maturës Shtetërore për vitin e ardhshëm, 2012-2013, rezulton se rikthim në identitet nuk do të pësojë vetëm procedura e testeve me zgjedhje, por edhe ajo e provimeve të detyruara. Kështu, premtimi i bërë gjatë këtij viti, për shtimin e testeve me detyrim nga 2 në 3, nuk do të përmbushet. Edhe pse pritej që maturantët e vitit 2012-2013 do të testohen në 3 provime të detyruara dhe 2 me zgjedhje, mësohet se praktika e këtyre viteve nuk do të ndryshojë. Kështu, edhe maturantët e vitit të ardhshëm shkollor do të zhvillojnë 4 provime, nga të cilat 2 me detyrim dhe 2 me zgjedhje, siç ka funksionuar për gjatë gjithëve viteve të aplikimit të sistemit të maturës në sistemin tonë arsimor. Lëndët e provimeve të këtij procesi do të jenë sërish: Gjuha shqipe dhe letërsia, matematika dhe dy lëndët me zgjedhje, të cilët do të përcaktohen sipas dëshirës së nxënësve. Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit firmosur disa ditë më parë, për zhvillimin e provimeve të maturës shtetërore 2013, rezulton se testet do të jenë të ngjashme për të gjitha shkollat e mesme në vend, ndërsa diferencën do ta bëjnë kreditet, pikët që ka secila lëndë, në varësi të përzgjedhjes që do t’i bëjnë vetë nxënësit. Por, ndonëse përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje bëhet me dëshirën e maturantit, duhen plotësuar të tjera kritere.

Procedura

“Kandidati kur zgjedh një lëndë të the11uar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë. Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë (10 kredite), ndërsa tjetra si gjuhë e huaj e dytë (6 kredite)”, parashikohet në udhëzimin e maturës 2013. Në të theksohet se kandidatët, të cilët kanë dhënë provimet me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë jo më të vogël se 4.50, do t’i mbartin ato, ndërsa ata që janë mbetës apo që nuk kanë qenë pjesëmarrës do të duhet t’i rijapin ato.

“Ata që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje e mbartin atë dhe japin një provim tjetër. Kandidatët, që kanë fituar Dëftesë Pjekurie përpara vitit 2006 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime universitare, u njihen vetëm dy provimet e detyruara, ndërsa janë të detyruar të zhvillojnë ato me zgjedhje”, thuhet në udhëzimin e maturës 2013.

Ndryshimi: Kandidatët për studentë do të zgjedhin vetëm 2 lëndë me zgjedhje. Sivjet eliminohet mundësia e një përzgjedhjeje të 3-të

Kushti: Shuma e krediteve që duhet të plotësojë maturanti nëpërmjet zhvillimit të 2 testeve me zgjedhje është 8 në total

Premtimi: Edhe vitin e ardhshëm maturantët do të testohen në 2 provime të detyruara: gjuhë shqipe dhe letërsi e matematikë

Autor te 2 Dhjetor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry