Zyrtari i Uashingtonit: Jo frymës nacionaliste në Shqipëri, nuk mbështesim ndryshim kufijsh
Jonathan Moore flet për pavarësinë e prokurorit të ri, zhgënjimin për integrimin dhe luftën kundër korrupsionit
Arben Xhixho
Drejtori i zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, në prag të vizitës së tij në Shqipëri, deklaron se vendi ynë humbi mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat duke zhgënjyer Uashingtonin zyrtar. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Moore thekson se partitë politike po punojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke lënë pas dore procesin e integrimit, i cili është i nevojshëm për qytetarët shqiptarë. Zyrtari i lartë i DASH thotë se Shqipëria nuk mund të ushqejë një frymë nacionaliste, pasi SHBA nuk mund të mbështesë kurrsesi ndryshimin e kufijve në Ballkan. Jonathan Moore thekson se prokurori i ri në vend duhet të jetë i pavarur nga politika dhe i paanshëm në luftën kundër krimit. Edhe për sa i përket fenomenit të korrupsionit, Moore shfaq pakënaqësitë e tij, duke theksuar se duhet të bëhet më shumë në këtë kuadër dhe se SHBA-së i kishte bërë përshtypje për mirë, lufta kundër korrupsionit në Kroaci, që kishte kulmuar me arrestimin e ish-kryeministrit Ivo Sanader.
Zoti Moore, Shqipëria sapo përfundoi festimet për 100-vjetorin e pavarësisë, çfarë pritet tani, cilat do të jenë hapat e ardhshëm?
Ne jemi të kënaqur të urojmë Shqipërinë për 100-vjetorin e Pavarësisë, jemi të kënaqur që sekretarja Klinton pati rastin të shkojë atje dhe të flasë në Parlament. Ka shumë arsye për të festuar, por në të njëjtën kohë, ne presim të shikojmë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm. Ndërsa ende nuk është shuar euforia e përvjetorit, ka edhe një dozë të madhe zhgënjimi si në Shqipëri edhe jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe në Uashington, se u humbën mundësitë për disa vendime të rëndësishme që duhet të ishin marrë nga Parlamenti për të plotësuar kriteret e kandidaturës për në Bashkimin Europian. BE-ja, pas disa ditësh do të dalë me vendimin e saj për Shqipërinë dhe ka mungesë përparimi për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe vullnetit të partive politike për të punuar së bashku për të plotësuar kriteret. …. Ne do t’i bënim thirrje gjithë deputetëve dhe anëtarëve të të gjitha partive që t’i linin mënjanë diferencat, t’i linin mosmarrëveshjet e brendshme mënjanë dhe të punojnë së bashku për miratimin e tre ligjeve.
Thirrja për bashkëpunim u është bërë disa herë autoriteteve, por duket se nuk ka sukses. Si e shpjegoni ju këtë?
Arsyeja mund të jetë që partitë politike në opozitë, ose në qeveri, po punojnë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, për t’u pozicionuar për to. Edhe ne këtu në Uashington kemi dallime jo të pakta mes partive tona kryesore politike. Por është e rëndësishme që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, si dhe anëtarët e tjerë të Parlamentit të ulen së bashku për të miratuar tre ligjet në fjalë, që janë të domosdoshme për përparimin e vendit, diçka që është për të mirën e të gjithë vendit. Nëse ka mosmarrëveshje të brendshme politike, ato duhen trajtuar veçmas, ato janë të një përparësie më të ulët.
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, sekretarja Klinton u bëri thirrje autoriteteve të forcojnë institucionet, veçanërisht sistemin e drejtësisë që të jetë i paanshëm. Këto ditë pritet të ndryshojë Prokurori i Përgjithshëm, për të cilin palët kanë mendime të kundërta. Cili është mendimi juaj?
Për sa i përket Ina Ramën si Prokurore e Përgjithshme është e rëndësishme që çdo ndryshim që bëhet për këtë post, të bëhet në mënyrë transparente, të hapur dhe në përputhje me ligjet, në përputhje me mandatin e saj si Prokurore e Përgjithshme. Nëse ajo do të qëndrojë si kryeprokurore, apo do të jetë dikush tjetër, është jetike që ky institucion dhe të gjithë ata që punojnë në të, të jenë në gjendje ta kryejnë aktivitetin e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga politika.
A ka Departamenti i Shtetit ndonjë qëndrim lidhur me interpretimin e kohëzgjatjes së mandatit të Kryeprokurores Rama?
Ne nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar se sa është ose duhet të jetë mandati. Në disa rrethana, zyrtarët qëndrojnë në poste, në disa të tjera mund të largohen më herët, ne nuk përpiqemi të diktojmë rrethanat. Standardet që mbështesim ne dhe që populli shqiptar kërkon janë që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë një post politik, të jetë i pavarur, siç duhet të jetë edhe sistemi i gjykatave.
Një nga çështjet e tjera që sekretarja Klinton ngriti në Shqipëri ishte ajo e korrupsionit. Për të është folur shumë. Autoritetet thonë se po e luftojnë korrupsionin. Si mund të matet lufta kundër korrupsionit?
Edhe ne këtu në Amerikë kemi probleme me korrupsionin. Nuk ka matës të përkryer. Për ne që i ndjekim zhvillimet në vendet e rajonit, na ka bërë përshtypje, dënimi i ish-kryeministrit kroat Sanader. Lufta kundër korrupsionit nuk është rreth posteve, nuk është për një krim të caktuar, korrupsioni merr forma të ndryshme në nivele të ndryshme të shoqërisë, është e rëndësishme, dhe këtu po i rikthehem çështjes që ju ngritët më parë, që prokuroria dhe gjyqësori të jenë të pavarur. Të gjitha rastet e korrupsionit duhet të hetohen dhe të gjykohen, ata që shpallen fajtorë të kryejnë dënimin. Ne nuk do të imponojmë ndonjë kriter ose shembull të caktuar për të, por është e qartë nevoja e luftës kundër korrupsionit. Prandaj ne kemi kaq shumë programe me Shqipërinë dhe vendet e tjera në rajon e sidomos për shtetin ligjor.
Gjatë festimeve për pavarësinë në Shqipëri pati shumë zëra për bashkim me Kosovën. Madje një parti ka filluar të mbledhë firma për një referendum për këtë çështje. Cili është komenti juaj?
Qëndrimi ynë është i qartë, kufijtë e Europës janë të përcaktuar, ne nuk duam të shohim ndryshime dhe nuk mbështesim ndryshime. Nuk është në interes të ndonjë prej vendeve apo grupeve etnike të rajonit që të rishkruhen kufijtë, apo për t’u përqendruar tek nacionalizmi. Standardet e larta të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut do t’u shërbejnë gjithë njerëzve të rajonit, pavarësisht në cilin vend jetojnë. Ne nuk mbështesim ndryshim kufijsh.
A jeni i shqetësuar nga ndonjë lëvizje e tillë?
Në gjithë botën ka lëvizje të ndryshme, është e rëndësishme që ato të kenë mundësinë t’u prezantohen publikut, audiencave të ndryshme, të kenë qasje tek to, kjo është pjesë e procesit demokratik, por një gjë duhet të jetë e qartë, ndryshimi i kufijve nuk është një alternativë.
Prokurori i ri
“Standardet që mbështesim ne dhe që populli shqiptar kërkon janë që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë një post politik, të jetë i pavarur siç duhet të jetë edhe sistemi i gjykatave”
Integrimi
“Ka një dozë të madhe zhgënjimi si në Shqipëri edhe jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe në Uashington, se u humbën mundësitë për disa vendime të rëndësishme që duhet të ishin marrë nga Parlamenti për të plotësuar kriteret e kandidaturës për në BE”
Ambasadori i KE-së
Sequi: Në rast se integrimi ndal, krizat nuk përjashtohen
Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, në një intervistë për radion italiane “Radio Radicale” paralajmëron krizë në politikën shqiptare, nëse ndalet procesi i integrimit. Sipas Sequi-t, integrimi për shqiptarët mbetet objektiv kombëtar dhe të gjithë duhet të shtyjnë “rremat që varka të shkojë përpara”. “Ka një ndërgjegjësim që nëse procesi i integrimit do të ndalonte, kriza të mundshme nuk mund të përjashtohen. Unë nuk e di se sa vite do t’i duhen Shqipërisë që të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian. Kur themi që integrimi është objektiv kombëtar duhet të dimë se, në një varkë nëse jo të gjithë shtyjnë rremat në të njëjtin drejtim, ajo nuk shkon përpara”, theksoi ambasadori.
