Konfindustria 


Ndryshe nga opozita, biznesi është pro rritjes së borxhit, duke e parë në interes të vet, se shpenzimet e larta do ta ndihmojnë për të pasur në dispozicion më shumë likuiditete. Konfindustria, duke vlerësuar gjendjen e vështirë të ekonomisë shqiptare kryesisht të sektorit të industrisë si pasojë e mungesës së zgjatur të likuiditetit në treg, mbështet në parim propozimin e tejkalimit të kufirit prej 60% për vitin buxhetor 2013. “Konfindustria vlerëson, se është domosdoshmëri të arrihet një nivel i caktuar i shpenzimeve buxhetore në kushtet kur financimi i ekonomisë nga sektori bankar është në shifrat më të ulëta historike, si dhe biznesi po ndeshet me rënie të vazhduar të treguesit të konsumit të brendshëm për arsye objektive dhe psikologjike”, thotë Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm. Sipas tij, domosdoshmëria e sigurimit të një niveli të arsyeshëm të shpenzimeve buxhetore shtohet, nëse kihet parasysh se vendi rrezikon seriozisht krizën energjetike jo vetëm për arsye të kushteve të motit, por para së gjithash për problematikën e përballjes së ekzekutivit dhe CEZ Shpërndarje. Konfindustria vlerëson se buxheti i vitit 2013 duhet menduar si buxhet emergjence duke parë uljen e ndjeshme të rendimentit fiskal të ekonomisë vendore gjatë vitit 2011, të shprehur qartë me uljen me gati 150 milionë euro të të ardhurave të planifikuara vetëm në 10-mujorin e parë të vitit financiar në vazhdim. Të dhëna negative vijnë në mënyrë të përsëritur dhe të vazhduar në 4 vitet e fundit sidomos nga sektorët e industrisë, që prodhojnë për tregun e brendshëm dhe prodhimi me material porositësi/fason si pasojë e rënies së ndjeshme të kërkesës nga tregjet konsumatore të huaja.


 


PS: Bashkë me buxhetin, të hiqet edhe taksa e biznesit të vogël


Partia Socialiste i kërkoi qeverisë që gjatë javës së ardhshme, kur të kalojë për miratim buxhetin e vitit 2013, të kalojë edhe propozimin e saj për heqjen e taksës për biznesin e vogël.


Deputetja Ermonela Felaj theksoi se kjo gjë do të ishte një ndihmesë e madhe në këtë situatë krize që vendi po kalon.


“Javën që vjen do të diskutohet në Parlament buxheti i vitit 2013, çka ofron një mundësi të shkëlqyer për të miratuar kërkesën e Partisë Socialiste për të hequr taksën e biznesit të vogël. Kemi muaj që këmbëngulim për heqjen e kësaj takse, pasi biznesi familjar është ai që mban në këmbë ekonominë e këtij vendi dhe ky biznes ka nevojë për frymëmarrje”, deklaroi Felaj.


“Duke i hequr taksën, kjo qeveri do të nxiste dhe do të lehtësonte krizën ekonomike. Gjithashtu, do i jepte më shumë mundësi të gjitha familjeve shqiptare që në këto ditë të fundvitit të festojnë ashtu si e kërkon tradita”, shtoi deputetja e PS-së.