Drejtuesit e institucioneve kalojnë në sitë vartësit, ku u kërkohet vota dhe firma e tyre
Partia Demokratike duket se e ka nisur mjaft seriozisht parafushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Si asnjëherë tjetër kjo forcë politike, që qëndron në pushtet prej shtatë vitesh e gjysmë, po përdor matematikën për të kryer llogaritë e verës së 2013-s. Ndërkaq, gjithçka ka nisur në bazë, ku nga burime konfidenciale të gazetës mësohet se janë duke u numëruar gjithë votat që pritet të kalojnë në favor të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kështu, mësohet se ky bilanc po kryhet edhe në administratën shtetërore, ku punonjësve po u kërkohet që të deklarojnë nëse do të votojnë ose jo për PD-në. Burimet e sipërcituara kanë shpjeguar se në disa shkolla të rrethit të Mallakastrës, por edhe në institucione të tjera shtetërore të Qarkut të Fierit, eprorët që i përkasin subjektit politik të Partisë Demokratike, prej dy javësh, janë duke kryer një “anketim” te vartësit e tyre. Punonjës në disa institucione, kryesisht mësues, të cilët nuk kanë preferuar të identifikohen, kanë pohuar për gazetën se eprorët i kanë pyetur se për kë subjekt politik do të votonin. Ndërkaq, mësohet se drejtuesit e këtyre shkollave apo institucioneve kanë qenë të mirinformuar për përkatësinë politike të vartësve. Kjo, pasi pjesa më e madhe e punonjësve kanë deklaruar se do të votonin për Partinë Demokratike. Por deklarimeve të tilla, të kryera nga punonjës që nuk i përkasin PD-së, u janë kundërpërgjigjur vetë “anketuesit”, të cilët u kanë dhënë detaje edhe për bindjet politike të afërmve të tyre. Ndërkaq, disa mësues që janë shprehur në konfidencialitet për gazetën kanë pohuar se drejtuesit që kanë kryer këto verifikime i kanë siguruar se nuk do të ketë pushime nga puna, por se gjithçka bëhet për qëllime të tjera. Nga burime të gazetës pranë degëve të PD-së në Qarkun e Fierit mësohet se qëllimi kryesor i numërimit të votave ka qenë kryerja e një bilanci të votave të mundshme në favor të PD-së për zgjedhjet e 2013-s. Por, ata punonjës të administratës shtetërore që kanë denoncuar në kofidencialitet këtë fakt, janë shprehur se janë ndier edhe të shantazhuar. Kjo, pasi kur janë pyetur se për kë subjekt politik do të votonin, ju është thënë edhe përkatësia e bindjeve të tyre, çka tregon se drejtuesit e këtyre institucioneve kanë qenë mjaft mirë të informuar. Sipas tyre, marrja e firmës dhe e aprovimit se do të votonin për PD-në më 2013-n, është edhe një kërcënim i hapur. Nga burimet e sipërcituara mësohet se në bazë të këtij numërimi do të ngrihen edhe strategjitë e fushatës zgjedhore. Gjithashtu, ky “anketim” ka pasur si qëllim edhe evidentimin e votave të të pakënaqurve, që kanë rrjedhur nga PD-ja gjatë shtatë viteve në pushtet.
Meta: “Politikanët t’u japin fund bllokimeve artificiale që cenojnë integrimin”
Kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, u ka bërë thirrje dje nga qyteti i Patosit, i rrethit të Fierit që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në këtë fillimshekulli për të mirën e kombit shqiptar. Këtë deklaratë, lideri i LSI-së e ka bërë teksa ka qenë i pranishëm në një takim me anëtarët e kësaj force politike, ku janë shpërndarë teserat për 124 anëtarë të rinj. “Ka ardhur koha që politika të tregohet e matur dhe politikanët të gjejnë rrugë dhe forma bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Nuk është e justifikueshme që të mbahet bllokuar procesi i integrimit. Shqipëria në vitet që pasojnë duhet të tregojë emancipim dhe politika duhet t’u jap fund bllokimeve artificiale”, u shpreh Meta. Gjithashtu, ai shpalosi edhe disa pika të platformës elektorale për zgjedhjet e 2013, ku punësimi i të rinjve ishte më kryesorja. “Ne vijmë në këto zgjedhje me një vëmendje të theksuar mbi të rinjtë, pasi ata janë armata e fuqisë së zhvillimit të një vendi. Të rinjtë dhe punësimi i tyre ka qenë në objeksionin tonë edhe përpara katër viteve dhe kështu do të jetë edhe në këtë mandat”, pohoi Meta. I pranishëm në takim ka qenë edhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, dhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Panariti deklaroi se lajtmotiv i politikës duhet të jetë integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe se qeveria po punon pa u lodhur. Ai ka theksuar se gjatë gjithë kohës ka shërbyer në favor të interesave të shqiptarëve dhe të kombit. Takimi i djeshëm i zhvilluar në qytetin e Patosit është në vazhdën e anëtarësimeve të reja që LSI është duke kryer në të gjithë vendin.
E.H.