Kryeministri Sali Berisha zgjodhi mbledhjen e grupit kuvendor demokrat për të shpjeguar votën e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të abstenuar vendimin për pranimin e Palestinës si vend vëzhgues në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.


“Shqipëria e mbështet plotësisht zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Ne besojmë se kjo çështje, ndoshta më kompleksja dhe më e vështira në planet nuk mund të zgjidhet duke anashkaluar SHBA-të. Roli i SHBA-ve në zgjidhjen e këtij problemi është i pazëvendësueshëm”, – u shpreh Berisha, duke theksuar se si Palestina, vend të cilin Shqipëria e ka njohur, ashtu edhe Izraeli, janë dy vende mike.


Sipas tij, ata që votuan rezolutën duhet të vinin një nen që e njohin shtetin e Izraelit, pasi ky do të ishte kontribut për paqen dhe do t’i shërbente zgjidhjes përfundimtare.

” Turqia është një aleat i shkëlqyer dhe Erdogan është ndër miqtë më të mëdhenj të kombit tonë, por duhet të theksoj se qëndrimin tonë ndaj rezolutës së paraqitur nga një grup i gjerë vendesh, si kryeministër i këtij vendi e kam shprehur publikisht në shtator të vitit 2011, në sesionin e OKB-së. Shqipëria mbështet zgjidhjen e dy shteteve të pavarura, jemi nga të paktat vende që ka njohur shtetin palestinez, por në vitin 2011 kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute”, – tha Berisha.


Ndërkohë, vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka acaruar sipas mediave turke marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tiranës zyrtare, E përditshmja prestigjioze turke, “Hurriyet” zbardh dialogun e Kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, sipas të cilit ai ka kërcënuar Tiranën se nëse nuk votohet pro Palestinës, mund të prishen marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Turqi. Nga ana tjetër, presion i madh Shqipërisë për të votuar kundër duket se i është bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, të cilët e kanë kundërshtuar me forcë vendimin e OKB-së. Votën e Shqipërisë e ka komentuar dje dhe gazeta prestigjioze  “Jerusalem Post”, e cila e ka evidentuar Shqipërinë si vend mysliman, por që ka mbajtur një qëndrim abstenues ndaj kësaj çështjeje. E vendosur përmes kësaj trysnie të madhe të ardhur nga vende të rëndësishme aleate, Shqipëria ka qenë e detyruar të abstenojë, por dhe ky qëndrim neutral, duket se do të shoqërohet me pasoja.