Arti
Vepra 400-vjeçare ishte zhdukur 73 vjet më parë, zbulohet në Japon
Specialistët e seksionit kundër vjedhjes së veprave të artit në policinë e Italisë, arritën të zbulojnë rrugëtimin misterioz të një kopjeje 400 vjet të vjetër të kryer për një vepër të shkatërruar të Leonardo da Vinçit, njofton BBC. Vepra paraqet Betejën e Anghiarit dhe dikur ka dekoruar murin e Pallatit të Vjetër në Firence, bashkisë monumentale të qytetit toskan të mirënjohur për vepra të shumta arti.
Piktura paraqet një grup burrash nën armë dhe kalorësish mbi kuaj të angazhuar në një përleshje nga afër për kapjen e një flamuri.
Ajo i dedikohet një beteje historike mes Firences dhe aleatëve të saj kundër shtetit shumë të fuqishëm të Milanos. Beteja u luftua më 1440-n dhe Firence fitoi.
Historianët e artit besojnë se Leonardo po eksperimentonte teknika të ndryshme për artin mural dhe filloi ta pikturonte këtë murale më 1503, duke përdorur skica që i kishte përgatitur vite më herët.
Por ai nuk e përfundoi projektin. Afreskoja filloi të rrëzohet pasi ai hodhi bojë mbi mure. Ai u përpoq ta shpëtonte, por pas disa vitesh, ajo u zhduk. Salla e të Pesëqindtëve u rikonstruktua dhe Giorgio Vasari u komisionua nga sundimtari lokal për të pikturuar një skenë tjetër beteje në vend të veprës së Leonardos.
Vasari, i cili u bë më vonë një biograf i Leonardos, pa skicat e veprës së tij, të cilat i përshkroi me terma mahnitëse.
“Është e pamundur të shprehësh krijueshmërinë e skicave të Leonardos mbi uniformat e ushtarëve apo kreshtat e helmetave, pa përmendur aftësinë e jashtëzakonshme që ai demonstroi për të dhënë format e kuajve, të cilët, Leonardo, më shumë se çdo mjeshtër tjetër, i krijoi për fuqinë e tyre, muskujt dhe bukurinë”, shkroi ai.
Për rrjedhojë, bota sot disponon vetëm kopje të bazuara në skicat origjinale të Leonardos.
Një kopje e famshme, 400 vjet e vjetër, me përmasa 115×86 centimetra, u shfaq për herë të parë në publik 73 vjet më parë në prag të Luftës së Dytë Botërore kur u ekspozua në Milano. Pastaj vepra u zhduk.
Por karabinierët e Italisë, të specializuar për artin, me durim arritën të gjurmojnë jetën klandestine të pikturës, të njohur si paneli Doria, sipas emrit të familjes ku kjo pikturë pati qëndruar për tri shekuj.
Pasi iu vodh pronarëve të saj në Napoli, paneli kaloi nën posedimin e një tregtari arti nga Zvicra, u dërgua në Gjermani për restaurim në vitet 1969 pastaj kaloi përkohësisht në një galeri arti në Nju Jork. Ajo përfundoi në duart e një koleksionisti të madh arti në Japoni në vitet 1990.
Ajo u zbulua më në fund dhe u rikthye në Itali, ku po qëndron e varur në pallatin e Presidentit të Italisë. Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me Japoninë, vepra do të ekspozohet në Firence gjatë vitit 2013 dhe pastaj do t’i kalojë Japonisë për katër vjet në formë huaje.