Nis procedimi penal për Neritan Tabakun, gjyqtarin që i dha lirinë Ilir Xhakja, të akuzuarit kryesor për vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj. Neritan Tabaku është paraqitur sot në prokurorinë e Tiranës ku është njohur me akuzën e ngritur ndaj tij, atë të “shpërdorimit të detyrës me pasoja të rënda”. Neritan Tabaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, duke vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi Ilir Xhakjan, i cili më 13 shtator të këtij viti ekzekutoi shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.


Ndërkohë pritet që Tabaku ditën e premte (7 dhjetor) të përballet me KLD-në. Ministria e Drejtësisë ka propozuar marrjen e masës disiplinore ndaj tij dhe shqyrtimi i kërkesës është shtyrë dy herë nga KLD-ja, pas mungesës së Tabakut. Ky i fundit ka pretenduar se ka pasur probleme shëndetësore dhe ka paraqitur dy raporte mjekësore. Në mbledhjen e fundit të KLD-së, u vendos që në rast mungese në mbledhjen e radhës, (7 dhjetor), Tabaku duhet të paraqesë avokatin e tij ose përfaqësues për të proceduar me masën disiplinore.


Tabaku është pezulluar nga detyra, sepse dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi nga burgu Ilir Xhakja. Ky i fundit pati fituar lirinë përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, që prishi vendimet e dy shkallëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e dënonin Xhakajn me 21 vjet burg për vrasjen me paramendim të Qerim Malokut, duke e kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e shkallës së Parë të Durrësit për kompetencë. Pikërisht në Gjykatën e Durrësit treshja e gjyqtarëve, e kryesuar nga Neritan Tabaku, e shpalli të pafajshëm të dënuarin e Krimeve të Rënda. Vendimi u apelua menjëherë nga organi i akuzës që kishte kërkuar 25 vjet burg për autorin, por moszbardhja e vendimit nga gjyqtari Tabaku për plot 19 muaj kalendarikë mbajti peng gjykimin në apel të çështjes dhe i dha lirinë Xhakjes.


3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)