Parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura mjedisore, të bashkuara për promovimin e Ballkanit perëndimor

Mjedis

Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës ndihmon për imazhin dhe trashëgiminë e peizazheve në rajon 

Bukuritë e zonave të mbrojtura natyrore dhe brandi i parqeve Dinarike do të lidhë rajonin, pasi natyra nuk njeh kufij. Ky ka qenë përfundimi i konferencës ndërkombëtare pesëditore “Parqet e Harkut Dinarik” që u mbajt javën e kaluar në Banja Luka. Dyqind pjesëmarrësit e konferencës, punonjës të parqeve kombëtare dhe atyre të natyrës nga tetë vende, u njohën me metodat e vlerësimit të përdorimit të zonave të mbrojtura dhe mësuan në lidhje me rreziqet e ndryshimeve klimatike, turizmit të qëndrueshëm dhe zonat e mbrojtura në kuadër të BE-së.

Konferenca ishte një ndër aktivitetet e “Parqeve të Harkut Dinarik” që organizata me famë botërore për mbrojtjen e natyrës WWF po realizon në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Slloveni dhe Serbi. Me brandin Parqet Dinarike, slogani i të cilit është “Bota e pazbuluar”, ruajtësit e natyrës dëshirojnë të promovojnë Harkun Dinarik si një rajon me një peizazh të larmishëm, por gjithashtu me një kulturë unike. “Qëllimi i këtij projekti është të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin në rajon, duke zhvilluar një ndjenjë të përkatësisë bazuar mbi trashëgiminë e përbashkët natyrore dhe të ndërtojë një imazh pozitiv të brendshëm dhe të jashtëm të rajonit, tha ambasadorja e Norvegjisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Lilloe Anne Vibeke në përmbyllje të konferencës.

Projekti “Parqet e Harkut Dinarik” ka filluar në janar të vitit 2012, me qëllimin kryesor të krijimit të një rrjeti prej 75 parqeve në rajon. Përveç kësaj, ka edhe detyrë shumë të rëndësishme për të trajnuar të punësuarit e parqeve në menaxhimin sa më të mirë dhe turizmin e qëndrueshëm. Një tjetër objektiv i këtij projekti është që të punojë për njohjen e Harkut Dinarik në botë, i cili do të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe Alpet apo Karpatet. Harku Dinarik do të mund të bëhej sinonim i zhvillimit të qëndrueshëm.

Ndër folësit kryesorë në konferencë ishin Lučka Kajfež Bogataj, fituese e çmimit “Nobel” për paqe për vitin 2007, e cila mbajti një prezantim mbi ndryshimet klimatike dhe ndikimet që ato kanë në zonat e mbrojtura, natyrën dhe mjedisin. Pjesëmarrësit e konferencës vizituan Parkun Kombëtar të Kozarës. Lorina Mixha 

Autor te 3 Dhjetor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry