ILIR YZEIRI


1.


Ka shumë mënyra për ta lexuar javën që lamë pas dhe për të interpretuar hyneret e Republikës së hallvaxhinjve dhe të shelegtortës. Mund ta marrësh seriozisht dhe atëherë duhet të hidhesh në viset e tragjedisë greke për të marrë që andej mjetet dhe stilin, por mund ta marrësh edhe me gaz dhe për këtë është mirë të lexosh ose Tartarini Taraskonin ose Don Kishotin ose thjesht merr dhe lexo Nolin tonë të madh që të kuptosh se që nga koha kur u shpall pavarësia e deri më sot, ne vetëm një tipar nuk e kemi ndryshuar – karagjozllëkun. Gjithë ata që na kanë qeverisur gjatë këtyre 100 vjetëve janë shfaqur herë si karagjozë tragjikë e në të shumtën karagjozë komikë. Më 28 nëntor të vitit 1925, Fan Noli shkruante në gazetën “Imigranti” (Uster-Worcester) shkrimin me titull “Gurakuqi, Vinjahu dhe unë”, i cili nis kështu: “Patriotët shqiptarë mund të ndahen me një mënyrë të përgjithshme në katër grupe: 1) në proteikët, stërnipër të kulluar të Proteut mithollogjik, që ndërrojnë fytyrë sipas kohës dhe nevojës dhe që hyjnë në çdo kallëp; 2) në emigrantikët që s’kanë fytyrë të çkoqur e që s’hyjnë në asnjë kallëp; 3) në divinët, që s’dalin dot nga kallëpi i fesë [së] tyre ashtu siç e kanë kuptuar denbabaden; në konstruktivistët liberalë e konservatorë, të cilët kanë një plan të caktuar për të zgjidhur problemet e Shqipërisë mi një bazë moderne. Të parët janë komikë, të dytët tragjikomikë; të tretët pathetikë; të fundmët tragjikë” (Noli, vepra 3, f.11, Tiranë, 1987). Merret vesh lehtë se të parët e ndarjes së Nolit i kemi sot në qeveri dhe meqenëse nuk kanë fuqi që të vrasin apo të fusin njerëz në burg, janë bërë komikë sepse gjithë çfarë nxjerrin nga barku dhe nga trutë bie erë që larg dhe dallohet që është thjesht sa për të mashtruar popullin e trembur e të llangosur në tortën e injorancës. 100-vjetori i Pavarësisë kishte një përmasë europiane e moderne që dukej në entuziazmin e ligjshëm të mijëra e mijëra banorëve shqiptarë që kishin ardhur nga vise të ndryshme për të qenë të pranishëm në Vlorë apo në Tiranë në një ditë të shenjtë që përsëritet një herë në 100 vjet. Një fotografi atë ditë dhe gjithçka është arritur. Ata që do të vijnë pas nesh do të shohin atë foto dhe do të thonë e ka bërë im gjysh në ditën e 100-vjetorit. Mirëpo gjithë kjo paqe e mrekullueshme u ndot fillimisht nga fjalimet e çmendura, groteske e gjithë folklor të kryeministrit apo të spikeres së Kuvendit e pastaj nga sindroma e tortës. Mua më erdhi ndërmend festa e madhe që bëri Anglia për nder të 60-vjetorit në fron të Mbretëreshës Elisabeta II para disa muajve. Festimet zgjatën katër ditë. Gjithë Anglia ishte në shesh me gjithë kohën e keqe. Festë ngado dhe e mbani mend? Askush nuk foli atë ditë, as edhe një njeri. Vetëm parakalime të ndryshme në lumë e në ajër, këngëtarë e koncerte. Si ka mundësi që Mbretëresha nuk foli asnjë fjalë për 60 vjetët e mbretërimit të saj? Ajo që është një nga njerëzit më të dashur në Angli? As kryeministri anglez, askush. E përfytyroni dot se çfarë do të kishin hequr anglezët e gjorë po të kishin kryeministër këtë komikun tonë, i cili bashkë me Lulin, kryetarin e bashki-tortës janë karakterizuar mrekullisht në këto dy vargje të Nolit:


Ty, or Hajrullah Sevda


Ty të bëj Këzllar-Aga


Ti haremin ma përmbush


Plot me çupa, sheg e rrush.


Shënim: Në vend të haremit, çupave e rrushit, lexuesi të ruajë shegët dhe të spërkasë me to tortën e madhe aty ku dikur ka qenë Pazari i Vjetër e që sot shtron tortë Ali Qopeku i Parë. Aferim!


 


2.


Përveç tortës dhe shelegëve që bënë xhiron e botës, java që lamë pas u shenjua edhe nga një ngjarje tronditëse dhe e turpshme. Bash në ditën e 28 Nëntorit ishte menduar që të mbahej një miting i përbashkët mes Thaçit e Berishës, pra i të dyja qeverive për të përuruar përfundimin e autostradës që do të lidhë Shqipërinë me Prishtinën. Tubimi nuk u mbajt sepse disa dhjetëra banditë protestuan në mënyrën më të egër dhe mafioze kundër burgosjes së Fatmir Limajt. Pra rreth 50 apo më shumë banditë sfiduan njëherësh dy qeveri bash në ditën e 28 Nëntorit. Si ka mundësi kam thënë gjithë këto ditë që shtypi në Kosovë e në Shqipëri nuk u mor fare me këtë ngjarje. Kjo është “omertaja” e mafies. Ky është ligji i heshtjes. Ata banditë që hidhnin tavolinat dhe shkulnin mikrofonat në mënyrë metaforike po shkatërronin dy qeveri, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ku shkuan policët trima të Kosovës që kanë masakruar të rinjtë e pafajshëm të “Vetëvendosjes” pse ata protestonin paqësisht. Dua ta pyes ministrin e Brendshëm të Kosovës. Zotëri, cila qeveri ushtron pushtetin në Kosovë, ajo e Hashim Thaçit apo ata banditët që ditën e 28 Nëntorit përdhosin dy qeveri. Ku shkoi shpirti juaj patriotik, ku vajti patriotizmi i Kosovës? Unë nuk kam respekt dhe kam qenë e jam shumë kritik si me qeverinë e Shqipërisë si me atë të Kosovës, por nuk mund të pranoj kurrë që një grusht banditësh të shkatërrojnë e të sfidojnë dy qeveri njëherësh. Fatmir Limaj është i pafajshëm deri në ditën që për të do të jepet vendimi i formës së prerë nga një gjykatë e caktuar, por deri atëherë askush nuk ka të drejtë që të na tregojë muskujt dhe kur? Bash në ditën që Pavarësia mbush 100 vjet. Unë e di se ashtu si edhe te ne në Shqipëri, edhe në Kosovë, për fat të keq, ligjin e bëjnë ata banditë që sfidojnë të gjitha autoritetet ligjore, se droga, aferat me tenderët e privatizimet kontrollohen nga këto grupe si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, se kur vijnë zgjedhjet politike si në Kosovë si në Shqipëri këto grupe mafioze kanë një ndikim të dallueshëm. Në qoftë kështu, pa u konsoliduar më parë shteti dhe pa u pastruar qeverisja nga këta banditë e mafiozë, bashkimi mes dy shteteve nuk duhet të kryhet. Unë nuk e dua një bashkim të tillë.


 


3.


Po këtë javë u organizua edhe një veprimtari tjetër të cilën e ndoqa falë profesorit dhe mikut tim Nasho Jorgaqi. Falë atij kam zbuluar një shkrimtar dhe personalitet të madh të minoritetti grek, Jani Lilin. Kohë më parë është botuar në shqip libri i tij “Ballkani i dehur” të cilin ai e shkroi në vitin 1946. Jani Lili është nga Derviciani i Dropullit dhe në vitet ‘30 ka qenë aktiv në shtypin shqiptar. Është larguar nga Shqipëria për në Athinë, pastaj edhe nga Athina në Australi ku edhe ka vdekur. Në këtë veprimtari, organizuar nga Fondacioni Grek i Kulturës u promovua edhe libri i akademikut Vaso Tole “Përse qajnë kuajt e Akilit”, përkthyer në greqisht. Pra ishte një kryqëzim i shqipes me greqishten, sepse libri i parë ishte kthyer nga greqishtja në shqip dhe i dyti nga shqipja në greqisht prej të njëjtit përkthyes Panajot Barka. Nuk e teproj po të them se Jani Lili është një figurë që e plotëson më së miri atë që është quajtur Zeniti i kulturës shqiptare të viteve ‘30. Jam i një mendjeje me Preç Zogajn e Nasho Jorgaqin se me këtë libër plotësohet më së miri kuadri brilant i kësaj tradite. Ai është një publicist i klasit të parë, një shkrimtar postmodern i ngjashëm me Koliqin, një studiues dhe eseist i ngjashëm me Fishtën e Kadarenë. Më në fund ai është një shkrimtar që nuk e shfaq me tepri identitetin nacional. Ai është një shkrimtar ballkanas. Është ndër të vetmit shkrimtarë ndoshta që merret me të tria toposet njëherësh, me toposin shqiptar, serb edhe grek si për të vërtetuar më së miri që Ballkani është grotesk, heroik e komik, tragjik e i shkretë, sepse mbushet me histori prej tre popujve që kanë gjithçka të përbashkët, por që nuk kanë asnjë gjë për t’u mirëkuptuar, sepse ngatërrohen sapo nisin të merren vesh. Ndërsa libri i Vaso Toles, siç u tha aty nga drejtori i Fondacionit Grek të Kulturës, është një ftesë për debat, debat që mund të çojë në mirëkuptime të përkohshme, por nuk është çudi që të ndezë ndonjë keqkuptim tjetër. Pse? Sepse jetojmë në një Ballkan të dehur, siç e quajti Jani Lili librin e tij në vitin 1946.