Paralajmërimi – Mediat maqedonase kanë paralajmëruar se në këtë vend kanë hyrë nga Kosova grupe ekstremiste të lidhura me qarqe ekstremiste serbe
Agjenturat – Mediat e Shkupit bëjnë të ditur se po përdoren struktura të vjetra të UDB-së. Kryesisht, huliganët sportivë të lidhur me krimin
Vardari – Tifozët e skuadrës së Vardarit bënë thirrje për bashkimin e të gjitha grupimeve kundër shqiptarëve dhe hodhën parulla fashiste
Nish – Tifozët e skuadrës së Nishit në Serbi kanë djegur flamurin kombëtar shqiptar dhe flamurin e Kosovës dhe kanë fyer shqiptarët
Trazirat
Alarmi: Po përdoren huliganët, ish-agjentë të UDB-së
Fantazma e trazirave ndëretnike në Ballkan po endet ditët e fundit fuqishëm, duke i mëshuar një përplasjeje mes shqiptarëve dhe maqedonasve me synim hapjen e një vatre të re, e cila mund të sjellë pasoja të rënda. Mediat maqedonase kanë bërë të ditur se shqetësimet janë serioze dhe vijnë nga qarqe ekstremiste të dirigjuara dhe sponsorizuara nga grupime të fuqishme në Beograd. Në këtë rast po përdoren tifozeritë sportive, pikërisht ato pjesë të tyre që janë lidhur me botën e errët të krimit. Në fakt, kjo panoramë pati precedent në luftërat në Ballkan, pasi gjithçka në katrahurën e Jugosllavisë në fillim vitet ’90 nisi në një përleshje ndërmjet tifozëve të Dinamos së Zagrebit dhe atyre të Crvena Zvezdës së Beogradit në Kroaci. Përleshje që u pasua me një luftë të gjatë dhe të tmerrshme që zgjati disa vjet.
Një portal maqedonas “Ohridsky” shkruan se nga Kosova kanë hyrë grupe ekstreme në Maqedoni për nxitjen e tensioneve ndëretnike.
“Grupe të caktuara nga Kosova, që kanë qenë instalime të dikurshme të Millosheviçit dhe të ushtrisë serbe në krye me gjeneralin Axhiç janë në Maqedoni dhe se ata kanë një skenar për ndarjen e Maqedonisë”, shkruan portali maqedonas, duke nënkuptuar lidhje me shërbime serbe. Sipas burimeve sekrete të këtij portali, këto struktura serbe janë shpërndarë te maqedonasit, dhe se kanë lidhjet e tyre me nëntokën maqedonase. “Bëhet fjalë për një bashkërendim të madh të aktiviteteve, ndërsa logjistikën dhe instalimet mbështetëse i kanë edhe tek institucionet e Maqedonisë”, shkruan portali maqedonas. “Pjesa e tifozëve përmes relacioneve me KOS(ish-shërbimin serb), Crvena Zvezda dhe Partizani, foletë e vjetra të agjentëve të UDB-së do të jenë organizatorët e rrahjeve dhe përleshjeve. Qëllimi është të krijohet skenari i Bosnjës”, shkruan “Ohrid Sky”, i cili bën thirrje për syçeltësi në Maqedoni.
Acarimi
Tifozët e skuadrës së Vardarit të njohur si “Komitët”, ditë më parë, bën thirrje për bashkimin e gjithë tifozëve të etnisë maqedonase kundër shqiptarëve. Thirrjes së tyre u janë përgjigjur pozitivisht me koreografi të ndryshme antishqiptare dhe thirrje për bashkim, tifozët e skuadrës së basketbollit “MTZ Skopje”.
Gjatë ndeshjes së basketbollit, tifozët në fjalë kanë kënduar këngë të ndryshme antishqiptare, me të cilat kanë ofenduar rëndë popullin shqiptar. Në thirrjet e tyre theksohet se populli shqiptar është armik, dhe nga kjo armiqësi duhet të ruhet Maqedonia, transmeton “Zhurnal”. Thirrjes së tyre u janë përgjigjur pozitivisht me koreografi të ndryshme antishqiptare dhe thirrje për bashkim tifozët e skuadrës së basketbollit “MTZ Skopje” dhe disa grupe të tjera tifozerish në vend. Mbrëmjen e së shtunës, gjatë ndeshjes së basketbollit në të cilën luante ekipi i MTZ-së, tifozët brohoritën parulla antishqiptare, si “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” apo “dhoma gazi për shqiptarët”. “Maqedonia është e maqedonasve dhe përgjithmonë kështu do të jetë, nga të gjithë do të ruajmë, të gjithë armiqtë do t’i dëbojmë”, shkruhej në një slogan të shfaqur në pallatin e sportit. Paraprakisht nga një iniciativë e tillë sot nga ana e tifozëve maqedonas në Shkup u sulmuan udhëtarët shqiptarë në një autobus në Bit Pazar të Shkupit. “Gjithë të bashkuar kundër të mallkuarve (shqiptar me plis). Gjithmonë maqedonas, Shkupi, Gostivari, Tetova, Dibra, Struga”, ishte slogani i shkruar nga tifozët maqedonas. Autoritetet nuk kanë komentuar ende zyrtarisht për këtë ngjarje, që rrit tensionet në fqinjin tonë lindor.
Nish
Provokimet antishqiptare janë vënë re të premten edhe në Nish të Serbisë, ku simpatizuesit e ‘Radit’ të Beogradit, “United Force”, në Nish kanë djegur flamurin shqiptar dhe atë, siç e quajnë mediat e Serbisë, të Republikës së papranuar të Kosovës. Ky akt ka ndodhur pas mbylljes me rezultat pa fitues, 1:1, të ndeshjes midis Radniçkit të Nishit dhe Radit të Beogradit. Veprimin e simpatizuesve të “Radit” e përkrahën të gjithë shikuesit në stadium, shkruajnë mediat e Beogradit. Njëherë ata dogjën flamurin kombëtar shqiptar e pastaj edhe atë të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, tifozët e skuadrës vendëse shpalosën parullën ku shfaqnin ndjenjat kundrejt shqiptarëve dhe Kosovës dhe fqinjëve të tjerë. “Zagrebit, Tiranës posaçërisht Hagës ua … me listë çdo gjë në pragun e derës”, ishte përmbajtja e një parulle të madhe që mbanin tifozët në tribunën e ekipit futbollistik nga Nishi.
Historiku
Si u rekrutuan anëtarët e organizatave të dhunshme në Serbi e Maqedoni
Grupet paraushtarake nisën nga shkallët e stadiumeve
Në një analizë të sajën agjencia “BIRN” thekson se nga shkallët e stadiumeve ku thërrisnin ultrat-ë, u mbushën radhët e skuadrave paraushtarake të njësive në të gjithë ish-Jugosllavinë. Më të famshmit ndër to janë “Tigrat”, huliganët e Crvena Zvezdës së Beogradit që formuan grupin kriminal të drejtuar nga gangsteri, Zheljko Razhnjatoviç – më shumë i njohur si Arkan. Huliganët e futbollit ishin njerëz me precedentë kriminalë, por që me veprimtarinë e pasurimit të shpejtë sollën dhe lanë gjurmët e tyre në të gjithë shoqëritë përkatëse, por edhe në politikë. Huliganët serbë kanë zhvilluar protesta të dhunshme kundër kombeve të tjera kanë ndikuar në ekstremizmin e politikës, por edhe kanë ndikuar në media dhe shoqëri. Serbia aktualisht drejtohet nga një koalicion partish nacionaliste dhe kanë suport të konsiderueshëm nga huliganët dhe grupet kriminale që njihen si ultra në futboll.
Në Maqedoni, grupimet e ultrave të njohura si “Komitët” dhe “Majmunët” kanë ndikuar edhe në zhvillimet politike në vend.
E përditshmja britanike “The Guardian” ka botuar një analizë të gjerë të grupeve të simpatizuesve në Ballkan, me theks të grupeve serbe dhe maqedonase, ku thekson se “derisa huliganët në vendet e tjera janë të stigmatizuar, simpatizuesit e dhunshëm në Serbi dhe në Maqedoni kanë ndikim dhe ‘mbjellin’ frikë, për shkak se kanë lidhje të ngushta me politikanët”. Sipas analizës së “The Guardian”, gjatë kohës së luftërave të viteve ’90, tribunat e klubeve më të forta kanë qenë qendra rekrutuese për njësitë paraushtarake në ish-Jugosllavi. Më të njohurit nga këta kanë qenë “Tigrat”, njësi këto të krijuara kryesisht nga simpatizuesit e Crvena Zvezdës së Beogradit, me të cilët ka komanduar gangsteri Zhelko Razhnjatoviç, i njohur si Arkan.
Ministrja
Jankullovska: Do të dënojmë fyerjet ndaj shqiptarëve
Ministrja e Punëve të Brendshme (MPB) në Maqedoni, Gordana Jankullovska, ka theksuar se do të ngrihen kallëzime penale ndaj tifozëve maqedonas që përdorin fyerje kundër shqiptarëve dhe nxisin urrejtje ndëretnike në Maqedoni. “Ne morëm masa për zbardhjen e rastit dhe kemi ngritur kallëzime penale kundër 20 personave, kryesisht tifozë për shkaktimin e dhunës dhe nxitjen e tensioneve”, deklaroi Jankullovska. Ajo nënvizoi se MPB do të reagojë në çdo rast të njëjtë ku nxiten tensione ndëretnike.
Disa tifozë maqedonas të klubit futbollistik “Gjorçe Petrov” kanë përdorur thirrje raciste dhe fyerje kundër shqiptarëve në stacionin e autobusëve pranë Bit Pazarit në Shkup. Qytetarët shqiptarë kanë reaguar duke dashur t’i zbresin të rinjtë nga autobusi, dhe t’i dorëzojnë në polici. Mirëpo, policia ka ndërhyrë menjëherë duke e mbyllur autobusin ku gjendeshin të rinjtë, duke i shoqëruar ata deri në stacionin policor.