Superiore


Flamurtari fiton pa vështirësi ndaj Apolonisë, që mbetet në zonën e ftohtë


Kategoria Superiore uli siparin për vitin 2012 më tri ndeshjet e fundit të javës 13, ku Tirana vuajti për një fitore me përmbysje ndaj Laçit, Bylis mundi Besën që zhytet në krizë, ndërsa Flamurtari mposhti Apoloninë në Vlorë. Tirana ka vuajtur shumë për të marrë një fitore kundër një Laçi simpatik në kryeqytet, ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 2-1. Në “Qemal Stafa” ishin kurbinasit, që kaluan të parët në epërsi me anë të shkodranit Valdo Nimani, pikërisht në momentet kur po mbyllej pjesa e parë. Në të dytën, epërsia e 24 herë kampionëve ishte e plotë, ndonëse pa shumë qartësi e vrull, kjo dhe për shkak të terrenit tepër të keq. Klodian Duro ishte autor i golit të barazimit kur loja po hynte në gjysmë orën e fundit, një shpërblim për përpjekjet e tij dhe të Tiranës. Fitorja do të vinte fiks 15 minuta para fundit, kur Morina e Gilman Lika krijuan një aksion të shkëlqyer dhe shkodrani me numrin 17 përmbylli shkëlqyeshëm. Tirana tani pozicionohet në vendin e tretë në klasifikim, 11 pikë larg Skënderbeut kryesues, dhe me sytë nga merkato e janarit për të arnimet e duhura. Flamurtari nga ana e tij, e mbylli fazën e parë me një fitore shprese ndaj Apolonisë për të ardhmen e kampionatit, duke mposhtur me rezultatin 3-1 Apoloninë në fushën e baltosur të Vlorës. Kuqezinjtë i shtuan edhe 3 pikë të rëndësishme mozaikut mbresëlënës të festimeve të këtij qyteti me rastin e një shekulli shtet i pavarur. Golat për vendasit mbajnë firmën e Muzaka 3′, Memelli (68′ me penallti), Lena (73′). Ndërsa për miqtë, golin e nderit e shënoi Ribaj (90′). Me këtë fitore, vlonjatët i bashkëngjiten gjysmës së parë të klasifikimit, duke ruajtur kështu seri rezultatesh pozitive. Në fushën asnjanëse të Peqinit, Bylis u duk si në shtëpinë e tij. Skuadra mallakastriote ishte tepër superiore ndaj një Bese pa shpirt dhe guxim, ndaj edhe fitorja 3-1 ishte logjike. Rruga u bë tatëpjetë që në pjesën e parë kur Shoshi dhe Meto shënuan për të kuqtë, ndërsa në fillim të së dytës ishte Bakiu që thelloi epërsinë në 3-0. Për kavajasit rezultoi pa vlerë goli i lushnjarit Sefa dhe tani stoli i trajnerit Daja është në rrezik të madh. Me këto fitore, Tirana u ngjit në vendin e tretë në renditje me 22 pikë dhe Bylis në të katërtin me 21. Superiorja mbyll kështu siparin për 2012 me Skënderbeun të konfirmuar si kandidatin kryesor për titull dhe me  7 skuadrat e gjysmës së dytë të tabelës që rrezikojnë rënien.


 


 


Superiore (Java XIII)


 


DJE


TIRANA-LAÇI     2-1


Duro 63′, G.Lika 75′ / Nimani 42′


BESA-BYLISI     1-3


Sefa 60′ / Shoshi 20′, Meto 32′, Bakiu 52′


FLAMURTARI-APOLONIA  3-1


Muzaka 3′, Memelli 68′ (11-m), Lena 73′ / Ribaj 90′


 


Klasifikimi


Skuadra    N    P


1. Skënderbeu   13   33


2. Teuta   13   23


3. Tirana  13   22


4. Bylis Ballsh 13   21


5. Kukësi  13   21


6. Laçi    13   21


7. Flamurtari   13   19


8. Vllaznia     13   17


9. Besa    13   16


10. Kastrioti   13   15


11. Shkumbini   13   12


12. Luftëtari   13   11


13. Apolonia    13   8


14. Tomori 13   6