Ulet numri i të infektuarve me SIDA

Epidemia

Bërja synet vlerësohet si një masë mbrojtëse nga sëmundja e shekullit

Në raportin e përvitshëm global për virusin HIV dhe SIDA-n thuhet se numri i infektimeve të reja me sëmundjen vazhdon të bjerë. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Joe de Capua, njofton:

Në raportin UNAIDS thuhet se rreth 34 milionë njerëz janë të prekur nga sëmundja, rreth 70 për qind e tyre në Afrikën Nënsahariane. Rajoni mbetet më i prekuri dhe atje një në 20 të rritur janë të infektuar me virusin HIV. Rajonet e tjera më të prekura nga virusi janë Karaibet, Europa Lindore dhe Azia Qendrore. UNAIDS po ashtu thotë se shkak për shqetësim janë personat e infektuar rishtazi në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Këto rajone, që njihen si MENA, tradicionalisht kanë pasur një numër shumë të vogël njerëzish të infektuar me virusin HIV. Por në raport thuhet se ka një prirje drejt rritjes. Infektimet e reja janë rritur me 35 për qind që nga viti 2001.

Një arritje pozitive është se infektimet e reja në shkallë botërore kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2001, në rreth 2,5 milionë njerëz në vit. Bernhard Schwartlander është drejtor i evidencave, novacioneve dhe politikave i UNAIDS-it.

“Kemi një rënie prej më tepër se 50 për qind të infektimeve të reja në 25 vende të botës, që nga viti 2001. 13 nga këto vende janë të Afrikës Nënsahariane, rajoni më i prekur nga virusi HIV; 73 për qind pakësim në Malawi dhe një rënie prej 71 për qind në Botsvana. Këto janë shifra tepër të rëndësishme.”

Afrika e Jugut, vendi me numrin më të madh të infektimeve, ka pasur një rënie prej 41 për qind që nga viti 2001. Njëkohësisht, trajtimi në Afrikën e Jugut u shtua me 75 për qind në dy vjetët e fundit.

Jashtë Afrikës Nënsahariane, UNAIDS thotë se Kina i ka shtuar trajtimet për sëmundjen me 50 për qind gjatë vitit të fundit.

Schwartlander po ashtu thotë se është bërë përparim te fëmijët e prekur nga virusi.

“Në dy vitet e fundit, gjysma e pakësimit të infektimit me virusin HIV, ka qenë mes fëmijëve. Në gjashtë vende, Burundi, Kenia, Namibia, Afrika Jugore, Togo dhe Zambia, numri i fëmijëve të infektuar rishtazi me virusin HIV ka rënë të paktën 40 për qind gjatë dy vjetëve të fundit.”

Ndër vendet që patën raste të infektimeve më tepër se 25 për qind mes viteve 2001 dhe 2011, janë Bangladeshi, Gjeorgjia, Guinea Bissau, Indonezia, Kazakistani, Kirgistani, Filipinet, Republika e Moldavisë dhe Sri Lanka.

Rreth 1,7 milionë njerëz vdiqën nga shkaqe që lidhen me SIDA-n në vitin 2011, duke shënuar gjithashtu vazhdimin e rënies. Prirja e rënies filloi në mesin e viteve 2000, kur filloi të shtohet përdorimi i ilaçeve retrovirale në vendet në zhvillim.

Virusi HIV/SIDA janë sëmundje që transmetohen seksualisht. Studime të fundit tregojnë se ilaçet retrovirale mund të ndihmojnë në parandalimin e infeksioneve në fazën fillestare, dhe ka kërkime shumë premtuese në këtë fushë.

Megjithatë, UNAIDS thotë se ritmi aktual i përparimit nuk është i mjaftueshëm për arritjen e synimit global për të përgjysmuar transmetimin e SIDA-s mes rrugëve seksuale deri në vitin 2015.

Raporti thotë se përdorimi i prezervativëve është një element kritik i parandalimit të infeksionit. Megjithatë, sipas raportit, ka pasur një pakësim të përdorimit të prezervativëve në vende si Uganda, Benini, Burkina Faso dhe Bregu i Fildishtë. Njohuritë në përdorimin e prezervativëve, sidomos mes grave të reja, mbeten të pakta në disa vende ku ritmi i infektimeve është i lartë.

Sipas të dhënave, bërja synet ka treguar pakësim të rrezikut të infektimit me virusin HIV. Megjithatë, UNAIDS thotë se ka pasur sukses të kufizuar në shtimin e rasteve të bërjes synet me baza vullnetare. Mitchell Warren, kryetar i grupit AVAC, komenton për raportin:

“Është një raport dhe një lajm shumë i mirë. Tani çështja është se ç’duhet bërë më tej?”

Ai thotë se 50 për qind e pakësimit të infeksioneve duhen marrë në perspektivë dhe se duhen shtuar dhe shpejtuar përpjekjet për t’i dhënë fund epidemisë, për të pasur një brez pa SIDA.

Autor te 3 Dhjetor 2012. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry