Debate në komision. Leskaj: Nisi bora, fëmijët nuk shkojnë në shkollë, s’kanë para për transport


Buxheti i arsimit për vitin 2013 është prezantuar dje i ndarë në zëra nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj. Debate dhe diskutime të shumta ka pasur dje në Komisionin e Arsimit, pas shifrës së referuar nga Tafaj për financimin e arsimit me 2.7 për qind të GDP-së.


Ministri ka sqaruar se ky është buxhet i lartë dhe i konsiderueshëm, ndërkohë që anëtari i komisionit, Mark Marku, ka sqaruar se ky është një buxhet i miratuar në kohë krize.


“Të dhënat e parashikuara në buxhetin e shtetit për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës arrijnë në shumën e mbi 38 miliardë lekëve për të gjitha zërat e shpenzimeve operative dhe kapitale. Në këtë shpërndarje, sektori i arsimit trajtohet sërish si sektor prioritar në raport me sektorë të tjerë”, tha ministri.


Por deklarata e ministrit ka sjellë edhe reagimin e kryetares së Komisionit të Arsimit, Valentina Leskaj, e cila ka sqaruar se ky buxhet është më i ulëti në tetë vitet e fundit dhe se politikat e arsimit po lënë fëmijët e zonave të thella pa shkuar në shkollë.


“Si është e mundur të quhet ende prioritet, kur problemi më i madh janë fëmijët e fshatit që nuk shkojnë dot në shkollë, sepse ka nisur bora, për shkak të kuotës së transportit që e keni ulur. Nuk përballohet me atë kuotë”, replikoi Valentina Leskaj. Deputetët e opozitës kanë argumentuar se ky është buxheti më i ulët që nga viti 1997 dhe nuk u përafrohet aspak premtimeve të qeverisë Berisha për ta çuar në 5 për qind. Ndërkohë që qesja për financimin e arsimit ka qenë më e lartë se sot edhe në vitin 2005.


“Jeni në pikën më të ulët se kur e gjetët. E keni gjetur në 2005-n me një peshë prej 2.81 për qind dhe po e lini me 2,73 për qind. Ato historitë që tregoni vit për vit për dy mandate radhazi që arsimi është prioritet dhe që e doni në 5, 6 madje 7 për qind, nuk ka qenë ndonjëherë nga 1997-a, se sa po e çoni këtë vit”, tha deputetja socialiste, Ledi Shamku.


Edhe zëri i investimeve i parashikuar në këtë projektbuxhet është nga më të ulëtit në 15 vite. Këtë vit ka një ulje të investimeve dhe në vlerë nominale, me rreth 7 milionë dollarë.


“Investimet janë sot më të ulëtat e 8 viteve të fundit. Jo rastësisht pyeta që investimet zënë 8.8%, siç thatë juve të buxhetit të arsimit, por sa kanë qenë vitin e kaluar. Ju e thatë 9 deri në 10, por në fakt kanë qenë 10.5 në vitin 2005 dhe në vitin 2009 kanë qenë 20.5. Do të thotë janë më pak se gjysma e investimeve të vitit 2009. Ndërsa për sa i takon çështjes së fondeve për shkencën dhe inovacionin, e keni premtuar tek 6.5 për qind, ndërsa e keni te gjysma”, tha Leskaj.


 


Detaje


Investimet – Në arsim, ky buxhet arrin nivelin më të ulët historik. Këtë vit jo vetëm që kemi një ulje të investimeve për arsimin si peshë që zënë brenda buxhetit, por kemi edhe një ulje të investimeve dhe në vlerë nominale, me rreth 7 milionë dollarë. Kjo është një ulje e investimeve me një të pestën


Arsimi profesional – Sasia e financimit për arsimin profesional kap një rekord negativ. Është më e ulëta në raport me buxhetin për arsimin, (vetëm 5.38%), por dhe në vlerë nominale është më e vogël sesa buxheti i dhënë për këtë sektor jetik të arsimit në vitin 2007


Buxheti për arsimin si përqindje e buxhetit të shtetit.


Investimet në arsim si përqindje e buxhetit të arsimit.