S’ka ilaçe për fëmijët, mjekët shtypin kokrrat e të rriturve. Tre fëmijë humbën jetën se jetonin në rrethe


Reagjentët – Mungojnë reagjentët për matjen e ngarkesës së sëmundjes në gjak, nuk ka një protokoll mjekimi, nuk ka një qendër multifunksionale për fëmijët


Ilaçet – Mungojnë barnat për fëmijët e vegjël. Prej tre muajsh, në farmacinë qendrore nuk ka më antiretroviral, mjekët u shtypin fëmijëve kokrrat e të rriturve si zëvendësim


Infeksioni – Dy fëmijët e evidentuar me HIV e kanë marrë infeksionin në spitale gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, prindërit e tyre nga testimet rezultuan të ishin negativë, pa sëmundje


Apeli – Fëmijët e sëmurë në të gjithë vendin kanë nevojë për mbështetje financiare. Shoqata bën apel pas vdekjes së tre pacientëve që jetonin në rrethe dhe nuk kishin mundësi për t’u trajtuar në Tirane


Lorina Mixha


Katër fëmijë janë prekur nga HIV/AIDS gjatë vitit 2012. Dy prej tyre janë infektuar në spital. Tre fëmijë të tjerë kanë humbur jetën për shkak të mungesës së parave për të ardhur nga rrethet dhe për t’u trajtuar në Tiranë. Por jo vetëm kaq. Prej tre muajsh pacientët e moshave pediatrike 0-12 vjeç nuk kanë ilaçet kryesore të terapisë, antiretroviralët. Mjekët shtypin kokrrat e të rriturve dhe ua japin për të zëvendësuar preparatin për të vegjlit.


Çdo dhjetor, pas ditës ndërkombëtare të luftës kundër HIV/AIDS në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, në seancën dëgjimore, për problemet që kanë pacientët shqiptarë, gjithmonë dalin “xhevahire”.


Për herë të parë dje, përfaqësues të shëndetësisë, të shoqatës në mbrojtje të pacientëve me HIV/AIDS, mjekëve dhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë kanë bërë publike probleme dhe shqetësime jo vetëm për pacientët e prekur nga HIV, por për të gjithë shqiptarët.


Infektimi


Për herë të parë në këtë mbledhje është referuar se dy fëmijë rreth katër vjeç, janë evidentuar brenda 2012-s, si të prekur nga HIV/AIDS. Por ata nuk u infektuan nga prindërit, por e morën sëmundjen në spitale.


Dy pacientë, njëri prej tyre vetëm tre vjeç, rezultojnë të jenë prekur nga HIV/AIDS në spitale, gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi as nëna dhe as babai i tyre nuk rezultojnë të prekur nga sëmundja, testimi i tyre konfirmoi se ishin negativ. Njëri nga vogëlushët dyshohet se është bërë synet në spital, ndërkohë që tjetri ka kryer një ndërhyrje të nevojshme në një nga shërbimet për fëmijë.


“Në një prej kartelave thuhet se ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale për një hernie urinare. Rasti i parë është në shërbimin pediatrik në QSUT dhe rasti tjetër gjithashtu ka bërë ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak”, tha Marjeta Dervishi, epidemiologe, programi HIV-AIDS në Institutin e Shëndetit Publik.


Pavarësisht shifrës së bërë publike nga ISHP-ja, rezulton se numri i fëmijëve të prekur nga HIV mund të jetë edhe më i lartë.


Skandali i prekjes së dy të vegjëlve nga HIV/AIDS jo nëpërmjet transmetimit të sëmundjes nga nëna te fëmija, ka tronditur anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, ndërsa pas publikimit të skandalit, problemet dhe shqetësimet e pacientëve të prekur nga HIV/AIDS, si në moshë madhore ashtu edhe për moshat pediatrike, nuk kanë të sosur.


Problemet


Të prekurit me HIV/AIDS, pacientët e vegjël prej më shumë se tre muajsh nuk kanë medikamentet kryesore që përdoren për trajtimin e sëmundjes. Antiretroviralët mungojnë në depon qendrore për pacientët e moshave pediatrike dhe kryetarja e shoqatës ka deklaruar dje në Komisionin Parlamentar, se për të zëvendësuar mungesat, mjekët kanë marrë medikamentet e të rriturve, në formën e kokrrave i kanë shtypur dhe i kanë përdorur për fëmijët e vegjël. Shoqata e personave që jetojnë me HIV/AIDS kanë deklaruar se prej kohësh po u kërkohen autoriteteve të merren masa për krijimin e infrastrukturë së nevojshme spitalore, për sigurimin e barnave, për sigurimin e testimeve, si dhe për rimbursimin e barnave për terapinë mbështetëse, pasi ka kosto të lartë për ato familje shqiptare që jetojnë me një të sëmurë me HIV. Shoqata ka kërkuar mbështetje ekonomike për fëmijët e prekur me HIV. Tre prej tyre kanë humbur jetën, për shkak të mungesës së parave për të ardhur për trajtim në spitalin e Tiranës.


Po ashtu, ende nuk ka një vend të përcaktuar për bërjen e testeve, mungojnë reagjentët për të matur ngarkesën e sëmundjes te një pacient, si dhe infrastruktura për të pritur pacientët e rretheve. Prindërit e tyre, në rastin më të mirë, gdhihen dhe ngrysen në shkallët e pediatrisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

“Ne na intereson që një herë e mirë të zgjidhet problemi i bërjes së testimeve të HIV-it. Të bëhet ose në QSUT ose në Institutin e Higjienës. E dyta, të vendoset definitivisht ngarkesa virale se këta fëmijë duhet të ndiqen me protokoll mjekimi dhe nuk mund të ndiqet një protokoll mjekimi nëse nuk ke ngarkesën virale”,

tha Eli Foto, shefe e shërbimit të pediatrisë infektive.