Infektimi i katër fëmijëve me virusin HIV, ka vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore për të nisur hetime mbi rrugët e transmetimit. Drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka sqaruar sot se do të shihet me kujdes se ku janë vizituar pacientët e vegjël, ku kanë kryer ndërhyrjet kirurgjikale edhe pse mjekët kanë pak dyshime se infeksioni është marrë gjatë operacionit. Gjithashtu, do të ribëhen edhe një herë analizat e prindërve, të cilët nuk rezultojnë të jenë të prekur me virusin HIV.
“Janë 4 fëmijë të prekur nga HIV-AIDS. Dy prej fëmijëve të prekur janë nën hetim epidemiologjik, për hallkat nga mund të jetë marrë infeksioni. Ministri Tavo ka urdhëruar të dalin përgjegjësitë, nëse i përkasin sistemit shëndetësor” tha Pipero në një dalje publike për mediat. Pipero ka theksuar se mundësia për të marrë virusin HIV nga operacionet është shumë e vogël, ndërsa garantoi që gjaku që përdoret në spital është i sigurt dhe po kështu edhe procedurat për marrjen e tij.
Pipero sqaroi se asnjë nga rastet nuk është i ri. “Ne nuk duhet të ngatërrojmë kohën e vënies së diagnozës dhe referimin e rasteve me kohën e marrjes së infeksionit. Asnjë nga rastet nuk ka marrë gjak gjatë interventeve në spital, njëri në pediatri dhe tjetri në spital ushtarak. Kjo rrugë përjashtohet, madje gjaku ynë është po aq i sigurtë sa gjaku që ofrohet në vendet fqinje dhe Europë. Ministria e Shëndetësisë ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë për të rritur edhe më tej sigurinë e gjakut. Ne kemi disa vjet që nuk kemi asnjë rast të infektuar përmes gjakut të transfuzionuar edhe pse sikundër e dini ne kemi shumë pacientë të politransfuzionuar (fëmijët me talasemi)”, – theksoi më tej Pipero.
Sipas të dhënave të referuara nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë vitit 2012 janë regjistruar 4 raste të reja HIV tek fëmijët, duke çuar numrin e përgjithshëm në 28. Në 2 rastet ku prindërit rezultuan negative, shoqata e të infektuarve me HIV shprehën dyshimet se fëmijët janë infektuar gjatë interventeve në spitale; një në QSUT dhe një në spitalin ushtarak.
4 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)