Në Maqedoni vazhdon debati lidhur me manifestimin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Shkup e në Shqipëri. Në këtë debat është përfshirë edhe shkrimtari dhe analisti nga Shkupi, Kim Mehmeti. Më poshtë ua sjellim intervistën e tij dhënë së përditshmes maqedonase “Utrinski vesnik”, e cila është pritur me reagime të ashpra nga opinioni maqedonas.


Kim MehmetiFestimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me javë të tëra janë duke e tronditur opinionin maqedonas. Marshi i shqiponjave, shpalosja e flamujve të mëdhenj nëpër rrugë, rrahjet dhe djegiet e flamujve, janë vetëm disa nga incidentet që ndodhën kohëve të fundit. A kishte shkelje të ligjeve gjatë këtyre manifestimeve dhe a reaguan si duhet institucionet shtetërore të Maqedonisë?


Nuk është kurrnjëfarë patriotizmi të djegësh flamurin e kujtdo qoftë. Është veprim qyqar dhe jonjerëzor të urresh e ta sulmosh ndonjërin fizikisht vetëm për shkak se ai nuk është pjesëtar i grupit tënd etnik. Respekti ndaj simboleve kombëtare dhe etnike të të tjerëve është masë që përcakton edhe respektin që ke ndaj simboleve vetjake. Heroizmi është që tjetrin ta mbrosh nga destruktiviteti yt, e jo e kundërta. Prandaj, dukuri të tilla, askush nuk mund t’i pranojë e le më t’i arsyetojë. Sa u përket formave për të shënuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit shqiptar, ato i përcakton ai që kremton dhe askujt nuk duhet t’i pengojnë as marshimet e as madhësia e flamujve. Me aq sa di unë, në Maqedoni nuk ka ligj që përcakton format e manifestimit dhe kremtimit të festave, as legjislacionin që përcakton madhësinë e flamujve me të cilët shënohen datat e rëndësishme të historisë shqiptare. Shqiptarët e këtushëm nuk e përcaktojnë madhësinë e flamurit të vet nëpërmjet asaj sa ai do i irritojë të tjerët, por nga ajo sa ai i shpalos orvatjet e tyre për ardhmëri më të mirë dhe sa janë të bashkuar rreth flamurit që me shekuj i ka mbajtur të pandarë. Nëse dikush është provokuar nga madhësia e flamurit shqiptar dhe marshi i shqiponjave, atëherë këta ndoshta i irriton dhe provokon diçka më shumë se kaq: ekzistenca e shqiptarëve në Maqedoni.


 


Sipas jush, a paraqet përbuzje të flamurit shtetëror shpalosja e simboleve të një shteti tjetër dhe deklarata për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet a do të çojnë në ndarje dhe përçarje më të thellë të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni?


Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore të zezë në të, është më i vjetër se Shqipëria, ai është flamuri i Skënderbeut, ky është flamur që ngërthen në vetvete përpjekjet për realizimin e idealit shumëshekullor mbarëshqiptar për një komb, një gjuhë, një shtet! Prandaj, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore në të nuk është vetëm flamur shtetëror i Shqipërisë, por simbol kombëtar e etnik i të gjithë shqiptarëve. Pra, ky është flamuri me të cilin identifikohen edhe shqiptarët e Maqedonisë, nën këtë flamur ata kanë dhënë kontributin e tyre në të gjitha arritjet e këtij kombi edhe atë para se të ekzistonte Maqedonia, duke përfshirë edhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për ata që nuk e dinë, ja një rikujtim të ngutshëm: Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë e kanë nënshkruar edhe përfaqësues nga viset e Maqedonisë së sotme, ministër i Luftës në qeverinë e parë shqiptare ishte Mehmet Pash Deralla nga këto troje. Këtë ua rikujtoj bashkëqytetarëve maqedonas vetëm që ta dinë se ne shqiptarët e këtushëm as kemi qëndruar as do të mbetemi jashtë idealeve mbarëshqiptare, ideale që as gjatë shekujve të kaluar, as sot, nuk ushqehen nga fatkeqësia e të tjerëve, e as kanë të ngjarë me logjikën serbomadhe për “tokën e gjakun”, por ushqehen me idealet proeuropiane.


 


Si e vlerësoni vendimin e Ivanovit për të mos marrë pjesë në festimet në Shqipëri?


Vendimi i Ivanovit për të mos marrë pjesë në festimet në Shqipëri, para së gjithash pasqyron mungesën e respekti të Presidentit ndaj bashkëqytetarëve të tij shqiptarë në Maqedoni. Me këtë gjest të vetin, ai dëshmoi mungesën e respektit edhe ndaj BDI-së, e cila bëri çmos për të mbledhur ato pak vota të shqiptarëve që mundësuan të plotësohej censusi dhe pa ndihmën e së cilës kurrë ne nuk do të ishte bërë President i shtetit. Me mosmarrjen pjesë në manifestimet në Shqipëri, Ivanov vetëm dëshmoi atë që e dimë ne shqiptarët e këtushëm që nga dita që ka ardhur në këtë post, ai është vetëm President i maqedonasve dhe i udhëheqësve të BDI-së.


 


A veproi drejt Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili e vizitoi Tiranën para këtyre kremteve e pastaj udhëtoi për në SHBA, me çka në mënyrë indirekte e shmangu manifestimin në Shkup?


Nikolla Gruevski shumë herë deri më tani ka dëshmuar se ka probleme me realitetin, se jeton në një Maqedoni irreale të tij, e në të cilën i ngatërrohen projektet për ndërtimin e së kaluarës me ato për ta ndryshuar realitetin e sotëm të këtij shteti. I ndodhur mes këtyre dy orvatjeve irreale, ai në të vërtetë vazhdimisht është jashtë kohës dhe hapësirës. Thjesht, duke u përballur me realitetin të cilin nuk dëshiron assesi ta pranojë – se ky shtet mund të ekzistojë vetëm nëse atë e ndiejnë si të vetin edhe shqiptarët e këtushëm – ai mbeti peng i përpjekjeve të aktrojë se është Kryeministër i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, e ndërkohë duke vepruar vetëm si profesionist maqedonas. Si i tillë, ai gjithnjë e më shumë bëhet Kryeministër vetëm i maqedonasve dhe i BDI-së së Ali Ahmetit dhe gjithnjë e më pak i të gjithë qytetarëve. Duke e barazuar qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve të këtushëm me atë që ka ndaj BDI-së, Gruevski harron se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë pronë e kësaj partie. Duke harruar këtë, ai ka filluar të besojë se edhe shqiptarët e këtushëm, ndaj qeverisë së tij, kanë të njëjtin qëndrim të vasalit, siç e ka Ali Ahmeti ndaj Gruevskit.


 


Si e shpjegoni praninë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, në kremten e organizuar në sallën “Boris Trajkovski” dhe si i vlerësoni porositë që ata përcollën nga Shkupi?


Sali Berisha dhe Hashim Thaçi erdhën në Maqedoni, sepse këtu jeton një pjesë e popullit shqiptar, sepse shqiptarët e këtushëm janë pjesë e historisë së përgjithshme të këtij kombi, sepse shqiptarët e këtushëm kanë kontribuar për pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin e Kosovës. Ata erdhën këtu, sepse Shkupi ka qenë dhe do të mbetet një nga kulmet e rëndësishëm të trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup. Dhe për shkak se gjatë shekujve, Shkupi ka qenë qendër ku kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me idealet shumë shekullore të popullit shqiptar. Porositë e tyre duhet të lexohen me alfabetin e botës moderne. Mesazhet e Thaçit dhe të Berishës nuk ishin thirrje për ndryshim të kufijve me forcë, por ato ishin porosi të drejtuara të gjithë të tjerëve, porosi që ngërthejnë në vetvete të vërtetën se shqiptarët edhe mund të pranojnë të jetojnë në pesë shtete të Ballkanit, por vetëm nëse atyre u mundësohet që bashkërisht të kujdesen për “kopshtin” e vet etnik, kujdes i cii ka të bëjë me të gjitha gjërat e rëndësishme që ruajnë tërësinë e një kombi.


 


Mendoni se porositë e Kryeministrit shqiptar Berisha të shpalosura në kremten qendrore në Vlorë për pavarësimin e të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza deri në Preshevë, Shkup e Podgoricë do të ndikojnë në marrëdhëniet e Maqedonisë me Shqipërinë?


Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk do të varen gjithaq nga deklaratat e Tiranës dhe Shkupit zyrtar, por nga zëri i shqiptarëve të këtushëm dhe nga ajo sa ata do të jenë të gatshëm që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë si qytetarë të këtij vendi. Andaj, Maqedonia nuk duhet të lodhet gjithaq me zbërthimin e deklaratave të Berishës, por me qëndrimin e burrështetasve të këtushëm ndaj qytetarëve të tyre shqiptarë. S’ka si të mos realizohet “pavarësia” e të gjitha trojeve shqiptare që nga Preveza e deri në Preshevë e Shkup, nëse të gjithë janë të sinqertë kur thonë se popujt e kësaj hapësire synojnë drejt një Ballkani që do të jetë pjesë e Europës pa kufij. Si është e mundur të realizohet një europizim i tillë i Ballkanit, nëse dikush ende beson se shqiptarët e kësaj hapësire do i ndajë me mure?


 


Si e vlerësoni faktin se Shqipëria ende nuk e ka njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, edhe pse të dyja vendet kanë marrëdhënie të mira ndërshtetërore?


Jam mbështetës i idesë se shteti im duhet vetë të vendos për emrin që do të ketë. Dhe aq sa di unë, në Shqipëri e Kosovë, Maqedonia është quajtur me emrin e saj kushtetues. Shqipëria vetëm e respekton realitetin që e pranoi Maqedonia: që në OKB të anëtarësohet me emrin e saj të përkohshëm!