Lindja e Largët
Japonia përgatitet për t’u përballur me raketën që teorikisht do të hedhë satelit
Rusia dhe Kina i kërkuan Koresë së Veriut dje të ndalojë planet për të lëshuar një raketë balistike të rrezes së gjatë. Moska deklaroi se lëshimi do të dhunojë kufizimet e imponuara nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së. Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut njoftoi të shtunën vendimin për të lëshuar një satelit në hapësirë dhe se raketa do të ndjekë një rrugë të ngjashme me atë të hedhur në prill, por që dështoi dhe ra në Oqeanin Paqësor.
“Ne i kërkojmë me urgjencë qeverisë (së Koresë së Veriut) të rimendohet për vendimin për ta hedhur raketën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Duke rikujtuar kritikën ndaj lëshimit të prillit të këtij viti, ai shtoi se Koreja po shkel një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalon pa kompromis Korenë të lëshojë raketa, duke përdorur teknologji balistike.
Kina nuk u tregua kaq e drejtpërdrejtë në kritikat e veta ndaj Koresë së Veriut, por i kërkoi “të gjitha palëve” të mos marrin masa që e “përkeqësojnë problemin”.
“Kina beson se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin e Koresë dhe në Azinë Verilindore është në përputhje me interesat e të gjitha palëve dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjitha palëve”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit tha se vendimi për të lëshuar një raketë është një kërcënim provokues për të gjithë rajonin e Azisë dhe Paqësorit.
Koreja e Veriut thotë se raketat e saj përdoren për të lëshuar satelitë në orbitë për qëllime paqësore. Por Rusia tha se ky vend mund ta përdorë këtë të drejtë vetëm në rast se OKB e heq kufizimin e përcaktuar. Vendimi i Koresë së Veriut erdhi vetëm disa javë para zgjedhjeve në Korenë e Jugut të planifikuara për më 19 dhjetor. Koreja e Veriut është përpjekur shpesh të ndikojë ngjarjet në jug duke lëshuar mesazhe propagande apo sulme të armatosura. Të dyja Koretë janë teknikisht në gjendje lufte që nga viti 1950. Konflikti në atë kohë përfundoi me armëpushim, por jo me marrëveshje paqeje.
Koreja e Veriut disponon armë bërthamore dhe shqetësimi i botës është se raketat balistike mund të përdoren njësoj si për të lëshuar satelitë, ashtu edhe për të hedhur bomba atomike. Raketat me rreze të gjatë kanë kapacitetin të godasin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rusia ka tentuar shpesh të qëndrojë pranë Koresë së Veriut, një shtet klientelist me ish-Bashkimin Sovjetik. Por Kremlini duket i shqetësuar për faktin se është anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe vendimi i Koresë së Veriut sfidon autoritetin Moskës.