KQZ-ja, nesër vendimi për 76 KZAZ-të, ndarja sipas numrit të popullsisë


BLEDAR HOTI


Shqiptarët, më 23 qershor të 2013, do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverisjen e re të vendit dhe Parlamentin e ri. Presidenti i Republikës firmosi dje dekretin nr.7841, datë 3 dhjetor, për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Pas konsultave me partitë politike parlamentare, ku si mazhoranca dhe opozita kanë dhënë opsionet e tyre, Nishani ka pranuar opsionin e ofruar për të dielën e katërt të qershorit. Dekreti i kreut të shtetit është nxjerrë “në mbështetje të nenit 92, shkronja ‘gj’ dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’”. Datën 6 dhjetor, Nishani e kishte si limit të fundit kohor për të shpallur ditën kur do të mbaheshin votimet. Pas këtij vendimi, tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të merret me realizimin e procesit, i cili është afro 6 muaj larg “gongut” të 23 qershorit. Misioni vëzhgues ndërkombëtar, OSBE-ODIHR, sugjeroi datën 23 qershor, pasi për shkak të aktiviteteve paralele, e ka të vështirë të dërgojë vëzhguesit e saj në Shqipëri në fund të muajit.


Ndarja e 76 ZAZ-ve


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë nesër materialin për ndarjen e 76 Zonave të Administrimit Zgjedhor. Ndryshe nga herët e tjera nuk do të ketë më 66 ZAZ, por 76 ZAZ. Kjo për shkak të ndryshimit në Kodin Zgjedhor së fundmi. Rrethet që kanë më shumë se 60 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ. Nga 36 rrethe që ka në të gjithë vendin, 22 prej tyre kanë më pak se 60 mijë zgjedhës dhe përbëjnë secili nga një ZAZ, 14 rrethe kanë mbi 60 mijë zgjedhës dhe ndahen në më shumë se sa një ZAZ. Gjithashtu në projektvendimin e KQZ-së theksohet se në pikën 4, të nenit 27 të Kodit Zgjedhor, në bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë shtetas me të drejtë vote, KQZ mund të krijojë zona administrimi më vete me numër të barabartë votash, por në çdo rast, duke ruajtur vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit të zonave të Qendrave të Votimit. Nga informacioni i ardhur nga Ministria e Brendshme rezulton se Bashkitë Durrës, Elbasan, Shkodër, dhe Vlorë kanë më shumë se 80 mijë zgjedhës, përkatësisht 159.000 zgjedhës, 97.450 zgjedhës, 88.814 zgjedhës dhe 106.915 zgjedhës. Në këto kushte në këto bashki do të ngrihen dy ZAZ më vete. Në zonat e administrimit zgjedhor nr. 2, Rrethi Berat, nr.19 dhe 20, Rrethi Fier dhe nr.57 e 58, Rrethi Tiranë, të cilat përbëhen nga disa njësi të qeverisjes vendore, kanë më shumë se 60 mijë zgjedhës. ZAZ nr.2, Rrethi Berat, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 27, pika 2 do të ndahet në dy ZAZ më vete, duke ruajtur vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit të QV-ve. ZAZ nr.19 e 20, Rrethi Fier, të dyja së bashku do të ndahen në tre ZAZ më vete, po kështu dhe ZAZ nr.57 e 58, Rrethi Tiranë. Ndarja është bërë nga të dhënat e zgjedhësve të ofruar nga Ministria e Brendshme, në të cilën rezulton se zgjedhës janë 3.290.143 veta.


 


 


Tabela


Ndarja 76 ZAZ sipas qarqeve/ 2011-2013


1    Berat                4    5


2    Dibër                 3    3


3    Durrës               4    5


4    Elbasan              6    7


5    Fier                  7    8


6    Gjirokastër          3    4


7    Korçë                 6    7


8    Kukës                3    3


9    Lezhë                 3    4


10   Shkodër              5    6


11   Tiranë               16   17


12   Vlorë                 6    7


Gjithsej             66   76


 


 


Shqipëria Tjetër


Topojani, komuna e braktisur nga banorët e saj dhe Tirana


Rishpërndarja e mandateve për zgjedhjet e vitit 2013 ka ndezur një përplasje të fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës.


Sipas shifrave zyrtare të ofruara nga Drejtoria e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Qarku i Beratit dhe ai i Korçës humbin nga një mandat për shkak të rënies së numrit të popullsisë, ndërsa Kukësi, që deri pak kohë më parë ishte në të njëjtën situatë, me shifrat e fundit ruan mandatin e saj të katërt për shkak të banorëve të kthyer për të jetuar sërish në këtë zonë siç lexohet në shifrat zyrtare të ofruara. Por ndryshe nga realiteti i ofruar në letra, terreni tregon një tjetër gjë. Topojani që zyrtarisht rezulton si komuna ku janë kthyer më shumë banorë, gjithsej 166, në terren është braktisur në masë të madhe e po braktiset çdo ditë nga banorët e saj, për shkak të vështirësive të shumta për shkak të pozicionit gjeografik apo nga moskujdesja ndaj fshatrave të kësaj zone. Edhe shumë qytetarë të mbetur kërkojnë të largohen në zona të tjera, ndërkohë që ata vetë e quajnë të pamundur kthimin e banorëve që kanë zbritur vite më parë pranë qyteteve siç lexohet nga letrat. Panorama e kësaj zone të braktisur u paraqit në reportazhin e radhës së ciklit “Shqipëria tjetër” me gazetar Marin Memën, i cili u shfaq dje në edicionin qendror të lajmeve të “Top Channel”. Reportazhi tregonte të vërtetën e hidhur të braktisjes masive të fshatrave për shkak të varfërisë apo edhe radioaktivitetit që vjen nga minierat e uraniumit. Të plotë këtë reportazh mund ta ndiqni në www.top-chanel.tv