MONIKA SHOSHORI STAFA


Disa javë më parë, ndërsa po flisja për diskriminimin gjuhësor të gruas jo vetëm ndër popuj të prapambetur për shkaqe historike, por edhe në një gjuhë si frëngjishtja, në të cilën “Madame l’Ambasatrice” do të thotë “zonja grua e ambasadorit” dhe jo “zonja ambasadore” (për këtë arsye protokolli francez kërkon që ambasadores grua t’i drejtohemi në formën “Madame l’Ambasadeur”), disa prej të pranishmëve iu duk e pabesueshme. Ca më i pabesueshëm u dukej, për shembull, që ky diskriminim në disa gjuhë shkon deri te pamundësia që një djalë dhe një vajzë ta shprehin me të njëjtat fjalë dashurinë.


Pikërisht kjo situatë diskutimi e mosbesimi më erdhi ndërmend duke ndjekur festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë:


“Të nderuar zotërinj presidentë të Kosovës dhe Shqipërisë, Atifete Jahjaga dhe Bujar Nishani”.


Pikërisht me këto fjalë nisi hapja e ceremonisë së parakalimit të trupave ushtarake vendëse e të huaja para autoriteteve të larta. Midis tyre dhe “zoti President i Kosovës, Atifete Jahjaga”.


Sikur të ishte fjala për ca shprehje gjuhësore, nuk do të kishte qenë e përligjur të hapej një diskutim për “republikën patriarkale të Shqipërisë”, që sapo ka festuar një shekull mëvetësi. Por problemi qëndron më thellë. Sigurisht, më thellë se tribunat fund e krye burrërore në Vlorë e në Tiranë (me përjashtim të “zotit President të Kosovës, Atifete Jahjaga”. Më thellë se drekat dhe darkat zyrtare festive pa asnjë portret gruaje, pa folur për veshje në stil të lartë.


U festua njëqindvjetori i Shqipërisë dhe me këtë rast në Tiranë u kthyen e u rivarrosën eshtrat e ish-mbretit Zog. Larg debateve që u zhvilluan me këtë rast, debate krejt të pashmangshme; inkurajuar edhe prej lëndimit të figurave të tjera historike, e vetmja pyetje e denjë për t’u bërë nuk u bë: Geraldinë Apponyi, mbretëreshë e këtij vendi për një vit, e papërfolur nga asnjë krah, e papërfolur madje dhe në periudhën totalitare, a nuk meritonte dhe ajo një nderim të vockël? Qoftë dhe për faktin se e mbajti me dinjitet kurorën shqiptare, nuk tha kurrë një fjalë ankimi kundër vendit që e priti nuse dhe pastaj e dëboi.


Ta lëmë mbretëreshën e harruar në harrimin e dytë të saj dhe të kthehemi te një fakt tjetër. Viti 2012 ishte viti i përmendoreve. Në të gjitha qytetet u ngritën përmendore, disa prej tyre po aq të stërmëdha sa edhe ato të periudhës totalitare. Nuk është vendi për të diskutuar për rendin dhe hierarkinë e monumenteve dhe ndereve të tjera, titujve dhe mirënjohjeve. Por një pyetje është e pashmangshme: a u nderua ndonjë zonjë shqiptare me merita kombëtare në këtë jubile të papërsëritshëm? Apo nuk kishte asnjë të tillë për t’u nderuar?


Nëse do të ktheheshim pak prapa dhe të shihnim në historinë tonë, më së paku motrat Qiriazi, motrat modeste Qiriazi, me rol parësor në historinë e shkollës dhe të arsimit shqiptar, me emrin e të cilave lidhet autorësia e këngës himn “Shkronjat tona janë të arta, këto duam ne”, do të kishin nderuar jubileun dhe festimet me një përmendore po aq modeste sa patën dhe jetën e tyre. Por nuk ndodhi.


E cilësuar një prej grave më të famshme të shekullit të 19-të edhe në një prej botimeve më të fundme enciklopedike, Dora d’Istria, princesha shqiptaro-rumune me emrin e dytë, Elena Gjika, ishte strumbullari ndërlidhës midis rilindësve të Stambollit dhe të Perëndimit. Të zënë me debate bajate nëse është tamam shqiptare apo jo, princesha euro-shqiptare mbeti pa kurrfarë nderimi, megjithëse propozime u bënë.


Marigo Pozio, e cila u është rrënjosur në mendje disa brezave si qëndistarja e flamurit kombëtar, pasi u mënjanësua me kujdes, duke e quajtur thjesht plotësuese e ornamentit të flamurit, sigurisht që u trajtua si një përrallë nga e kaluara dhe as që u bë fjalë për ndonjë nderim. Tekefundit, edhe sikur ta ketë qëndisur ajo flamurin, çfarë ishte ajo: thjesht një qëndistare, një artizane, që nuk mund të përbënte shenjë kujtese.


Në vitin 1938 Musine Kokalarit poetët gentilman-ë shqiptarë: L. Poradeci, P. Marko, V. Buhara, i drejtoheshin me përkëdheli duke e quajtur “Muza”. Më pas pikërisht emërtimi përkëdhelës do t’i bëhej emër letrar. Shkrimtare, përkthyese, studiuese, një prej zonjave më të emancipuara të botës shqiptare, edhe pse kaloi një gjysmëshekulli internim dhe vetmi, për të në këtë njëqindvjetor nuk pati asgjë. Androniqi Zengo, Tefta Tashko, Lola Gjoka, Marie Kraja do të ishin emra të tjerë që qëndrojnë pranë emrit të Musine Kokalarit.


Duke i lënë të gjallët të jetojnë jetën dhe jo historinë; duke mbetur sërish në botën e atyre që nuk rrojnë më, megjithëse nuk qe në politikën zyrtare vlerësimi i luftës antifashiste, a nuk do të duhej të evokoheshin disa emra të mirënjohur dhe të panjollë në historinë shqiptare, disa figura të cilave populli dhe shteti u ka detyrime si shenja kujtese: Ramize Gjebrea, Ollga Plumbi, Liri Gega dhe figura të tjera, që ishin të gatshme të vriteshin në luftë, por e pësuan prej lidershipit të vet.


Tani sundon mendimi se në një gjysmëshekulli që pasoi mbarimin e luftës antifashiste nuk ka pasur asgjë pozitive. Mirëpo, herët a vonë syri do të kthehet edhe drejt kësaj periudhe për të gjetur modele pozitive, dhe të tillë ka. Si mund të kalojë symbyllur vëmendja e zyrave shtetërore ndaj emrave të tillë si Persa Grabova e Xhanfise Keko, heroinat e Mirditës, Dhora Leka dhe mjaft të tjerave?


Në republikën patriarkale të Shqipërisë, megjithëse ka një ligj diskriminues që paraqitet si arritje e madhe për garantimin e përfaqësimit të gruas në pushtete në raportin afërsisht një me dy (30 për qind gra dhe 70 për qind burra), njëherësh dhe autodiskriminues, përderisa dhe gratë e brohorasin, njëqindvjetëshi i shqiptarëve është njëqindvjetëshi i shqiptarëve dhe jo edhe i shqiptareve.