Debat në Komisionin Parlamentar të Integrimit
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i thirrur në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Integrimit për buxhetin e ri, i bëri thirrje opozitës që të votojë tre ligjet e kërkuara nga ana e BE-së. “Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për Bashkimin Europian me kusht që, të kalohen 2 ligje që kërkojnë 3/5 dhe dy rregullore. Aty nuk përmendet, të paktën unë nuk gjej në çështjet e implementimit, që për hir të së vërtetës janë gjëra esenciale, por që janë gjëra në proces, kërkojnë kohën e tyre dhe që do të jenë thelbësore në çështjen e hapjes së negociatave”, tha Panariti. Deputeti i PS-së, Taulant Balla ka reaguar duke theksuar se “Nuk bëhet fjalë fare për tre ligjet, por bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, zbatueshmërinë e ligjit. Vendet anëtare kanë identifikuar si problematika kryesore tri çështje: zgjedhjet, forcimi i besueshmërisë së institucioneve të gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit që kërkon rezultate të prekshme”.