Gjana dhe Shalsi kërkojnë llogari për negociatat. Sekretari i METE-s: Nuk kam informacion


Misteri me paratë nga privatizimi, nëse do të merren dhe kur, po ngjall kureshtjen edhe të deputetëve


ARD KOLA


Paratë nga shitja e “Albpetrol” po kthehet si një lojë fjalëkryqi me shumë të panjohura, pasi askush nga zyrtarët e qeverisë nuk është në gjendje të japë sqarime. Edhe ditën e djeshme, kur ishte afati i fundit për mbylljen e bisedimeve dhe derdhjes së garancisë prej 170 milionë eurosh, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nuk bëri asnjë njoftim mbi fatin e mëtejshëm të procesit. Sakaq, mësohet se gjatë pasdites ka pasur diskutime në ministri, nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ku kryetar është zv/ministri Sokol Dervishaj, por ky i fundit nuk jep prononcime.


Duket se misteri me paratë nga privatizimi, nëse do të merren dhe kur, po ngjall kureshtjen edhe të deputetëve, në kuadër të fushatës elektorale që pritet të nisë më herët, se zakonisht.


Në kuadër të diskutimeve të projektbuxhetit të vitit 2013, komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese, kishte thirrur në seancë dëgjimore përfaqësues të METE, ku i pranishëm ishte sekretari i përgjithshëm, Dael Dervishi. Ky i fundit, pasi foli për prioritetet e ministrisë, u pyet nga deputetët mazhorancës dhe të Partisë Socialiste mbi procesin e privatizimit dhe çfarë të rejash ka nga negociatat, nisur nga fakti se afati kishte përfunduar.


“Kam ardhur për buxhetin e ministrisë dhe jo për ‘Albpetrolin’”, ishte përgjigjja e sekretarit, Dervishi. Pas insistimit, sërish zyrtari i METE-s tha se buxheti nuk ka lidhje me kompaninë e naftës, pasi nuk merr fonde. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, kërkoi informacione, por Dervishi u përgjigj se nuk ishte në dijeni të zhvillimeve. Pavarësisht se mban postin e nëpunësit më të lartë (të autorizuar) të shtetit, atë të sekretarit të përgjithshëm, ai nuk kishte informacion, pasi, siç e argumentoi më pas, buxheti dhe qëllimi për të cilin ishte ftuar, nuk kishte lidhje me pyetjet. Por këtu vjen reagimi i fortë i kryetarit të komisionit, Jemin Gjanës (ish-ministër Bujqësie në mandatin e parë të qeverisë “Berisha”).


“Jeni ministri e politikave dhe duhet të jeni të informuar për çfarë ndodh me privatizimin e ‘Albpetrol’, ndaj duhet të kishit informacione”, tha deputeti i PD-së. Duke nënkuptuar se buxheti i shtetit do të varet nga të ardhurat e privatizimit dhe ky fakt nuk mund të anashkalohet. Të interesuar për procesin ishin edhe deputetë të tjerë, por askush nuk mori përgjigje, ndërsa u ra dakord që në seancën e radhës, METE të vijë me informacione të qarta (përfshi edhe për situatën me CEZ-in).


Sakaq, misteri mbi privatizimin vijon ende. METE nuk doli në publik për të sqaruar mediat, sikurse kishte deklaruar një ditë më parë, se do të njoftonte mbi ecurinë e procesit. Për ministrin Edmond Haxhinasto, është e vështirë të japë deklarata, në një kohë kur gjendja e “Albpetrol” me dokumentacionet është e ngatërruar, për faj të vetë shtetit.


Me dyshim shikohet edhe forma se si do të përdoren paratë nga shitja. Në lojë janë 850 milionë euro, gati sa 25 për qind e buxhetit të shtetit dhe përdorimi në mënyrë efikase do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve me likuiditet. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku në ligjin e buxhetit, miratuar nga Kuvendi, qeveria i përdorte të ardhurat nga privatizimi për investime dhe uljen e huamarrjes, për vitin 2013, formula ka ndryshuar.


Ja çfarë thotë paragrafi i nenit 9, te buxheti i vitit 2012:


“Çdo e ardhur nga privatizimi e arkëtuar mbi shumën e parashikuar në këtë ligj, përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve për investime dhe uljen e huamarrjes, e cila, automatikisht, rrit kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit”. Ky paragraf ndryshon në ligjin e ri, që po diskutohet aktualisht në Kuvend dhe pritet të bëhet, si:


“Të ardhurat nga privatizimi mbi shumën e parashikuar në këtë buxhet, përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale dhe/ose uljen e huamarrjes…”. Pra, qeveria e lë të hapur formën e përdorimit, e cila mund të jetë vetëm për investime, e cila në kohë fushate mund të jetë efikase, por edhe/ose për uljen e borxhit, vendim që është në dorën e Kryeministrit Berisha.


 


KLSH


Probleme me pronat e paregjistruara


Nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita) ka marrë dokumente pronësie për 229 prej tyre ose 35.3 për qind, janë në proces 186 ose 28.7 për qind dhe janë jashtë procesit 36 për qind e tyre ose 234 objekte. Gjithashtu, nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë certifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19 për qind prej tyre (1041) dhe janë pa dokumente pronësie 4439 të tjerë, thuhet në raportin e publikuar pak kohë më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).