Skënderbeu dominon edhe statistikat, Tomori, skuadra më e dobët
Tomori, skuadra më e dobët e e kësaj faze të parë të kampionatit, pasi në 13 ndeshje ka grumbulluar vetëm 6 pikë, asnjë fitore
Altin Manallari
Java e 13-të i vuri kapak aktivitetit të Kategorisë Superiore për vitin kalendarik 2012, duke mbyllur kështu edhe fazën e parë të edicionit 2012-2013. Gjysma e këtij sezoni ka dhuruar shumë emocione, por edhe ka nxjerrë në pah problematika nga më të ndryshmet. Por ajo që ngelet e sanksionuar në statistika janë shifrat interesante. Disa skuadra i kanë përmbushur pritshmëritë, por të shumta janë ekipet që kanë mbetur të zhgënjyera. Sidomos mes skuadrave pretendente. Gjithsesi, duhet thënë me plot gojën se kjo pjesë e parë e sezonit është dominuar nga Skënderbeu, i cili duket se po shkon i sigurt drejt rikonfirmimit për të tretën herë radhazi kampion i Shqipërisë. Gjatë 13 javëve të fazës së parë në Kategorinë Superiore janë zhvilluar në total 91 takime, nga të cilat 63 kanë pasur një fitues, ndërsa vetëm 28 janë mbyllur në barazim. Në 91 takimet e luajtura janë shënuar gjithsej 200 gola, me një mesatare gati 2.2 gola për ndeshje. Skënderbeu, i cili u shpall edhe kampioni i dimrit, është skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në 13 ndeshjet e para: 33 pikë nga 39 të mundshme. Të tjera statistika që flasin për dominimin e korçarëve janë edhe e golat e shënuar dhe mbrojtja më e mirë. “Ujqërit e Dëborës” kanë çuar plot 24 herë topin në rrjetën kundërshtare, ndërsa portieri Orges Shehi ka pësuar vetëm 5 gola. Ndërkohë që, kampionët në fuqi nuk e kanë njohur humbjen në këtë gjysmë të parë të kampionatit, pasi në 13 javë kanë koleksionuar 10 fitore, 3 barazime dhe 0 humbje.
Ajo që vlen akoma edhe më shumë është distanca që korçarët e drejtuar nga Mirel Josa është diferenca prej 10 pikësh me ndjekësen më të afërt, Teutën. Edhe pse një ekip me shumë emra të rinj, durrsakët kanë demonstruar një vazhdimësi të admirueshme nga sezoni i kaluar në këtë të tanishmin dhe me meritë pozicionohen në vendin e dytë në kuotën e 23 pikëve: 7 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Por kur ka kaluar vetëm gjysma e parë, për Tiranën ky sezon mund të konsiderohet i dështuar. Bardheblutë janë eliminuar nga kupa e Shqipërisë dhe në kampionat e shikojnë veten 11 pikë larg Skënderbeut, gjë që të bën të mendosh se kanë dalë edhe jashtë luftës për titull. Vetëm një mrekulli mund t’i rikthejë të shpresojnë për trofe. Kukësi, Bylisi, por edhe Laçi janë surprizat e kësaj faze të parë, pasi kanë tejkaluar pritshmëritë. Flamurtari dhe Vllaznia janë dy zhgënjimet e mëdha, pasi të projektuara për fituar titullin në fillim të sezonit, tani e shikojnë veten përkatësisht 14 dhe 16 pikë larg kreut. Tomori i fundit të tabelës është skuadra që ka grumbulluar vetëm 6 pikë, më pak se çdo skuadër tjetër, madje është ekipi i vetëm i Superiores që nuk e ka provuar shijen e fitores. Beratasit mbajnë gjithashtu rekordin negativ sa u përket golave të pësuar, pasi janë ndëshkuar 22 herë. Edhe pse ka lënë pas 3 skuadra në renditje, Shkumbini, që gjithashtu renditet në zonën e ftohtë, është skuadra që ka shënuar vetëm 7 gola, më pak se çdo skuadër tjetër. Superiorja do të rikthehet në fushë më 9 shkurt të 2013.
Të zhgënjyerit – Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia, të konsideruara pretendonte për titull në fillim të sezonit, kanë zhgënjyer pritshmëritë në këtë gjysmë të parë të kampionatit 2012-2013