“Agon”, një film për emigrantët dhe mafien shqiptare në Greqi

Premiera 

Shqiptarë me trasta në krahë që i ngjiten malit në të errur për të kaluar kufirin me Greqinë. Një sirenë policie dhe mes atyre që përfundojnë në burg edhe Vini, një djalë i ri që e kërkon të ardhmen tej. Kjo është skena që hap filmin “Agon” të regjisorit Robert Budina. Dje, filmi shqiptar pati premierën për media në kinema “Agimi” dhe prej 6 dhjetorit shfaqet në të gjitha kinematë. Njëkohësisht skenarist, Budina është ndalur në tragjedinë shqiptare në vendin fqinj, përpjekjen për integrim dhe racizmin që ka pësuar në kurriz thuajse çdo emigrant. në strumbullar të filmit janë dy vëllezër, Saimiri(Marvin Tafaj) dhe Vini(Guljem Kotori), dy karaktere krejt të kundërta. I pari ka zgjedhur t’i vërë shpatullat punës, të dashurohet me Elektrën(Isabella Kogevina), të përpiqet të krijojë familje me të edhe pse nën syrin e rreptë të të atit të saj (aktori grek Antonis Kafetzopulos), ndërsa Vini kërkon t’i fitojë më lehtë paratë, duke hyrë në vorbullën e mafies shqiptare në Greqi të kryesuar nga Keno(aktori nga Maqedonia Xhevdet Jashari), por edhe Beni(aktori shqiptar që jeton në Greqi, Laert Vasili). Tragjedinë e tyre e ndez edhe më shumë Majlinda(Eglantina Cenomeri), një vajzë që prostituohet nga Keno, pas së cilës Vini dashurohet. Filmi në fakt në kundërshtim me titullin duket një kronikë e zezë e një realiteti ndër emigrantët shqiptarë, të cilin ndoshta e ndiejnë më shumë ata që kanë qenë dëshmitarë. “E kam titulluar ‘Agon’, sepse për Shqipërinë ka aguar. Brenda nesh ka një dritë shumë të fortë, mjaft që ne të jemi të guximshëm që ta ndezim atë. Ngjarjet zhvilloheshin në 2006-n, ku ende kishte largime nga mali, madje në 2008 kam bërë një dokumentar dhe kam ecur dhe kam intervistuar emigrantë që iknin në mënyrë të paligjshme. Unë kam kujtime shumë të egra nga ’97. Kam njohur edhe njerëz që janë detyruar t’i futen rrugës së krimit, siç ka qenë një djalë i braktisur nga e ëma që merrej me prostitucion”, ka thënë Budina, duke iu referuar personazhit të Kenos në film. Sipas tij, ai ka sintetizuar një mendim të tijin në këtë film, pa pretenduar të shpalosë tragjedinë më të thellë. Ku më pak e ku më shumë, loja e aktorëve duket se u ka shpëtuar skematizmave nga e cila kinemaja shqiptare ka vuajtur vazhdimisht, ndërkohë që bashkëpunimet ndërkombëtare tashmë kanë sjellë një tjetër nivel në realizimin teknik të filmave. Filmi ka një mbyllje sa tragjike(Vini vritet nga Keno), aq edhe shpresëdhënëse (Elektra kthehet në Shqipëri me fëmijën e Saimirit). I pranishëm në Tiranë, aktori i njohur grek,  Antonis Kafetzopulos, ka folur për atë realitet që ai njeh në Greqi mes emigrantëve dhe vendasve. “Pak a shumë ashtu siç tregohet në film janë gjërat në Greqi. Në të shkuarën ishin edhe më keq, sepse grekët, ashtu si shqiptarët, nuk ishin mësuar të kishin pranë njerëz që flisnin një gjuhë të ndryshme. Me kalimin e kohës, tani aq më shumë grekët po e kuptojnë se duhet të bashkëjetojnë dhe me njerëz të tjerë dhe jo vetëm. Por ekzistojnë ende paragjykime, racizëm, pasione”, thotë aktori. Filmi “Agon” është një bashkëprodhim i “ERAFILM”(Shqipëri) “INKAS FILM” (Greqi), “ELEFANT FILM” (Rumani) “ARIZONA FILM”(Francë) me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare, Greke dhe Rumune, si dhe të “Eurimages”. Producente, Sabina Kodra.

Autor te 5 Dhjetor 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • aqif

    shume filmi i bukure