“Qesja”


Ministria e Shëndetësisë: Nuk do t’i “lajmë” për 1 vit, kemi edhe 9 miliardë lekë të ardhura dytësore


Kadiu tha se: Borxhi nuk do të paguhet brenda vitit dhe ai nuk do të pengojë investimet në shëndetësi


Deda deklaroi: Ky është një buxhet që punon vetëm për borxhet. Shifra 22 miliardë e borxheve


Buxheti për Shëndetësinë për vitin 2013 është parashikuar të jetë plot 28 miliardë lekë. Kjo shifër është pak më e lartë se një vit më parë, por nuk i plotëson të gjitha nevojat, të gjitha kërkesat që ka sot për sot vendi ynë, sidomos në sigurimin e medikamenteve në spitale të mëdha.


Dje, Komisioni i Shëndetësisë ka miratuar buxhetin vetëm me anëtarët opozitarë, ndërkohë që pritet që javën e ardhshme miratimi të bëhet nen për nen.


Në buxhetin për Shëndetësinë, parashikohet që rreth 13 miliardë lekë të shkojnë për sistemin spitalor, 9 miliardë lekë për sistemin shëndetësor parësor dhe pjesa tjetër për investime dhe vaksinimin e fëmijëve.


Deputetët e opozitës e kanë cilësuar dje buxhetin tepër të varfër, ndërkohë që kanë sqaruar se problem mbeten edhe borxhet e trashëguara nga një vit më parë dhe ende të pashlyera nga buxheti aktual. Opozita e konsideron shumë të varfër buxhetin e Shëndetësisë për vitin 2013 dhe të majtët thanë se 28 miliardë lekët e këtij buxheti do të shkojnë vetëm për larjen e borxheve të institucioneve shëndetësore, borxh që kap vlerën e rreth 22 miliardë lekëve.


“Ky është një buxhet që punon vetëm për borxhet. Shifra 22 miliardë e borxheve që kemi ne, që keni ju si ministri ndaj palëve të treta do të thotë që gjithë ky buxhet është i adresuar vetëm për atë pjesë. Është pjesa më e korruptuar që ka sistemi  shëndetësor. Spitalet, bëhen prokurimet, por sot e kësaj dite janë pa ilaçe”, tha deputeti Deda.


Por sipas ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë borxhi nuk do të shlyhet në mënyrë të menjëhershme dhe brenda vitit 2013.


Drejtori i planifikimit të buxhetit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Sajmir Kadiu, sqaroi dje në komision se borxhi nuk do të paguhet brenda vitit dhe ai nuk do të pengojë investimet në shëndetësi. “Veç këtij buxheti afro 9 miliardë lekë do t’i shtohet fondit nga të ardhurat dytësore të sigurimeve shëndetësore”.


Buxheti i kësaj ministrie në total për vitin 2013 parashikohet të jetë në masën 28.7 miliardë lekë, duke përfaqësuar 2.01 për qind të PBB-së. Këto fonde do të shërbejnë kryesisht për


përmirësimin e ofrimit të shërbimit parësor nëpërmjet zgjerimit të skemës së medikamenteve nga 430 në vitin 2012 në 435 në vitin 2013.


“Borxhet janë kryesisht për medikamentet. Kjo nuk është ndonjë shenjë pozitive, por kjo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ligjin e prokurimeve. Është një situatë që ka nisur rreth vitit 2000. Ne duam të bëjmë një prokurim total të gjërave. Nuk është që mund të shlyhet brenda një viti. Kjo do një bashkëpunim me institucione të tjera. Kam përshtypjen që shëndetësia ka shumë më pak detyrime”, ka sqaruar eksperti Kadiu.


Buxheti i shëndetësisë planifikohet të përdoret për zvogëlimin e vdekshmërisë foshnjore, zvogëlimin e vdekshmërisë amtare.


Po ashtu ky buxhet do të përdoret për rritjen e vizitave/kontakteve të pacientit në kujdesin parësor në 11 vizita në ditë për mjek nga 10 në vitin 2012.


Buxheti parashikon mbulim 85% të nevojës për shërbim spitalor, Plotësim 75% të nevojave të spitaleve të distriktit me pajisjet e domosdoshme për shërbimin e imazherisë, si dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së mbulesës vaksinale për vaksinat e kalendarit të vaksinimit në masën 95%. Lorina Mixha


 


Borxhet


Janë kryesisht për medikamentet. Kjo lidhet me prokurimet


Të dhëna


9 miliardë – Nga grumbullimet e të ardhurave dytësore që mblidhen nga pagesat e pacientëve të pasiguruar në spitale pritet të vilen 9 miliardë lekë vitin e ardhshëm


28 miliardë – Fondi në total për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2013-të është mbi 28 miliardë lekë. Kjo faturë përfaqëson sipas llogaritjeve, 2.01 për qind të PBB-së


22 miliardë lekë – Borxhet e akumuluara të shëndetësisë ndaj palëve të treta, që kryesisht janë për shkak të blerjes së barnave dhe mospagesës në kohë kapin shifrën e 22 miliardë lekëve