Përtej “Tokës së Panjohur”, te Muza!


Dr. Përparim Kabo


Të shkosh drejt së panjohurës, është udhëtim apo diçka tjetër, një metamorfozë që ngjiz sozinë tënde shpirtërore?! Cila është busulla që të duhet? Cili është ylli polar që të orienton?! Cila është kënga që duhet të të shoqërojë?! Çfarë ka në misterin që lypet të takosh? Ka ankth, trishtim, kuriozitet, ndjenja të harruara, apo një shpresë për ringjallje? A është ajo tokë ku njerëzit kanë lindur, kanë jetuar, ku kanë provuar dashurinë dhe më tej kanë vdekur? Të jetë kaq e thjeshtë?! “Toka Incognita” është një befasi arti, është muzikë që të shpie larg, të merr në ajrin e saj dhe të jep frymë duke të bërë të lëvizësh në mënyrë kozmogonike. Atje janë të katër dimensionet. Është qielli, është brerorja njerëzore me të gjitha ankthet përshpirtjet, ëndrrandjelljet, janë makthet dhe gëzimet. Sepse thuhet “fluturo vashë ti fluturo dhe hëna rri e vështron”, e gjithë kjo duket si një pikturë moderniste. Është si dimension kozmogonik edhe nëndheu që vjen si nënujë, atje te liqeni ku të pret në breg varka e Karontit për në botën e shpirtrave dhe gjithçka është një valë e shkumës ashtu si ishte atëherë, kur nga zhgulma e saj dhe gjaku i kosores së Cronosit ndaj atit Uran-qiellit: lindi Afërdita mitike, bukuria dhe dashuria femërore! U krijua lumturia njerëzore, e cila në themel është femërore. Sa ligsht për ata që ende nuk e kanë kuptuar këtë gjë. Janë fatkëqijtë që ende e ndoshta kurrë nuk do të kenë qenë e as do të mund të shkojnë te “Toka Incognita!” Dimensioni i katërt është shpirtkënga e Eda Zarit, këngëtares shqiptare që na ka shpënë me artin e saj te Muza.



Ai, dielli-Zeus kishte shumë energji dashurie, provoi ta jepte këtë zjarr si ngrohtësi, si llavë dalldie, sepse më së shumti ai provoi dashurinë me të përkohshmet, me tokësoret. Kështu u përgjigj Era, e vetmja grua me “dokumente” e kryezotit, kur e pyetën gratë ziliqare të Olimpit: “çfarë pëlqen Zeusi kur të tradhton me tokësoret?!” “E përkohshmja”, qe përgjigjja, që është e thjeshtë dhe e ndërlikuar njëherësh. Kompleksiteti është i lidhur me faktin se të gjithë jemi të përkohshëm ndaj me ne është edhe mëkati, që nuk na turpëron, por na shtyn në ngasje të tregohemi të vërtetë. Zeusi diti kë të fekondonte. Me orgazëm qiellore shtatzënoi kujtesën. Ishte krijuar çifti i arsyes, me atë që nuk duhej të humbiste, sepse ishte një arkiv ndjenjash, përjetimesh dhe fjalësh të zgjedhura, Mnemosia (perëndesha e kujtesës). Ato që lindën si frymëzim si muza ishin bija, ishin femërore. Ja pra se në themel, që nga gjeneza, energjia për të ndryshuar fal krijimtarisë, gëzimi dhe e panjohura, sekreti i fundit, ironia, dhe tragjedia, elegjia dhe vallja e kënduar, qielli dhe elokuenca ishin vetëm femërore. Vetëm falë kësaj pjelle gjini-seks gruaje, lumturia në thelb është femërore. Muza femërore ose femramuzë! Prej saj ishte ndërtuar kështu prova dhe sfida njerëzore. Dhe prin si bija e parë mizika-Euterpe, ajo që gëzoi gjithçka që do të pasonte, sepse ato nuk ishin binjake. Bija e pestë ishte Terpskiori-poezia lirike me vallëzim, aq e kudotakuar tek antropologjia shqiptare qysh nga gjeneza pellazgjike. Popujt oralë si ky i yni gjithçka e kanë të arkivuar tek eposi apo erosi i kënduar dhe te vallja që është edhe një ekzibicion veshjeje dhe rituali me të gjitha gëzimet dhe “takëmet” e një spektakli që ndrit në një shumësi ngjyrash dhe relieve ndjenjash, nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të çuditshmet dhe që të shpien aq çiltërsisht te portat e misterit. Duhet të zhytesh thellë te kënga popullore, baritore apo qytetare, ashtu si në ujërat e nëndheshme, që të kuptosh se sa e thellë është ajo që duket aq e thjeshtë, aq naive dhe e drejtpërdrejtë në pamjen pozuese. “Toka e Panjohur” nuk është vendi i pashkelur që pret udhëtarin kurioz dhe aventurier. Është diç më shumë, është një udhëtim surreal në botën e shpirtrave. Fluturim tek ato galaktika të universit të brendshëm të njeriut që ka vetëm një pasuri të cilën nuk e fal, nuk e shet, nuk e huan. Ai vetëm e dhuron. Është dashuria! Është udhëtimi më i vështirë që mund të të rrëzojë, por duhet të ngrihesh, që mund të të lodhë por nuk duhet të ndalesh, që mund të të shpjerë në shtegun e rrezikut, por nuk duhet të trembesh, mund të të hutojë me “pijen e Circës”; por ti Udhës-njeri, që ke misionin për t’u kthyer në Itakën-zemër, nuk duhet të ndalesh. Je fillikat dhe nuk ke mentor me vete. Është vetëm dashuria blatuese që vuan brenda teje. Ajo shpirtmuzë nuk dëshiron të vdesë pa lindur. Dashuritë e palindura janë viktima më tragjike se Efigjenia e Agamemnonit, dhe betejat e humbura si puthja që nuk realizohet, janë shumë më tragjike dhe të dhimbshme se Troja e rrëzuar. Ky populli ynë nuk kishte pasur liri, sepse lufta ishte gjithnjë më pranë deri sa e mësoi edhe si profesion vdekje-jete. Nuk kishte pasur pasuri dhe llamburitje, porse kishte pasur shpirt, dhe kishte mësuar t’i këndonte dashurisë qoftë edhe në timiditetin e një mbylljeje gati provinciale.


“Toka e Panjohur” i këndon kësaj shpirtëroreje që nuk tretet në të gjitha motivimet dhe trillet e saj, me qëllimin shpëtimtar që të dalim nga ajo që na frigon, që nuk na lë të shprehemi, që na bën me turp! Kjo “perçe” duhej hequr, sepse më shumë sesa një cohë e zezë apo një cipë besueshmërie, kishte qenë një vetëturpërim i pamerituar. Këndohej brenda mishit, do të duhej të këndohej edhe jashtë tij, nga këta njerëz kaq modestë në këtë qiell frymëzimi herë-herë horizont mbyllur si kohën e mugëtirave.


E dëgjoj dhe ridëgjoj albumin më të fundit të këngëtares Eda Zari, të titulluar “Toka Incognita” dhe muzika, arti që sekretin e fundit nuk e tregon, jo se e fsheh, por se e ka të pafundmë, më shpuri falë këtij pengu që pret të shkodohet, në një taban ekzistencial: atje ku qau për herë të parë gjeneza jonë. Dhe bija dodonase Eda Zari këndon e zbathur! Komunikon me nëntokën dhe qiellin në një gjeometri shpirtërore. Nga amfiteatri njerëzit (falë Proteusit-perëndisë së metamorfozës) nga raca e Akilit, birit të Tetisit; shndërrohen në djem e vajza të sotme që lodrojnë nën tinguj ekzistencialë. Marrin identitet, janë shqiptarë. E “panjohura” në këngët e këtij albumi, që vjen edhe si “e fshehura”, është magjia e një udhëtimi special falë artit. “Misioni Zarian” është tejet delikat. Të gjendet për perlat e muzikës popullore shqiptare, “guaska e re”, jo thjesht ajo moderne që të huton me mungesën e sinqeritetit që tregohet bukur kur ti je i dehur! Është diçka tjetër përtej modernitetit.


Me perlat shqiptare Eda Zari i fton mediumet e tjera të muzikës si bluzin dhe xhazin në një udhëtim gati apokaliptik. “U propozon të shkojnë bashkë në shpërgënjë, te streha kur muzika ishte muzë, sepse ajo i takon atij populli, atij identiteti, asaj mënyre të kënduari, që edhe sot thotë shpenguar: “qenke me muzë sot”, fjalë kjo që nuk përdoret nga popuj të tjerë ballkanikë.


Zëri i Eda Zarit dhe gjithçka që e mbështjell, shoqëron dhe e frymëzon atë në një udhëtim të tillë dhe duket si një lumë gëzimi që buron nga kanionet e jugut dhe që është çliruar nga nëntoka prej një kori vashash të bukura që lahen “lisho” në ato ujëra, sepse bota atje nuk ka tabu. Hiret e tyre janë lënë në atë lumë për të gjitha kohërat. Dhe lumi mandej merr udhën pyjeve, lugjeve dhe monopateve duke përthithur në këtë bredhje çapkëne të gjithë muzikën që fal ky udhëtim breror e për të dalë mandej në fushën e gjerë ku të gjitha “kokat naive” të lulediellit kthehen me dashuri dhe heshtje nga drita që vjen nga ky lum që këndon. Shtyhet rrjedha dhe mbërrin në detin e gjerë ku horizonti ikën në një liri marroke drejt horizontit për të takuar mirazhin dredharak. Ujërat kapërcejnë ngushticat dhe dalin në një përqafim gati magjik në oqeanet, atje ku thellësia është sprova, ndërsa të qenët në mes të oqeanit është prova jote e fatit. Atje takohen të gjitha kontinentet, popujt, etnoset dhe panairi i ritmit shpirtëror sjell një ngjizje të isopolifonisë shqiptare me ritmin afrikan të bregut mesdhetar, me bluzin meditativ të paqësorit dhe xhazin që është nën peshën e dhimbjes duke kënduar këngën e fatit në tinguj që lëvizin si gjak dashurie në kapilarë. Mjeshtrit janë në ditët e rrëfimit dhe është koha pa numra aritmetikorë. Gjenden shkrirjet se pse pesha e përgjegjësisë është më shumë se art, është “pelegrinazhi për të zbuluar sekretin e muzës”. Baresha e këtij makroshpirti muzikor është Eda Zari. Atëherë gjithçka merr një kah tjetër, Eda Zari i drejton në një tempull që është i vjetër sa ekzistenca. Ejani të shijoni një këngë fillnisëse, atje ku muza dhe kënga ishte e njëjta! Ejani se ashtu si gjuha e këtij populli, “kjo fosile e gjallë” dhe kënga e tij, është nistore. Na bashkon gjerësia e shpirtit, durimi në mbijetesë dhimbjeje. Na afrojnë ndjenja, murmurimat e shpirtit që në monopatet e thella të trupit të njeriut simbiozohen dhe të ndjerit thellë atje ku jo kushdo mund të shkojë. Ne do të mund të shohim në ato ujëra, sepse oqeani nuk ka mure. Ky është “Sekreti i Parë Primordial” që fenomeni Eda Zari ka ngjizur dhe jo thjesht ka zbuluar, qysh në atë agim krijues kur e puthi isopolifoninë tonë me xhazin, një puthje që ngjiti si një besë në një dashuri pa kthim. Si thoshte Honore de Balzak, fati i dashurisë varet nga puthja e parë. Dhe tek arti i Eda Zarit kjo ka ndodhur.


Ky nuk është thjesht inovacion nga ato që falë eksperimenteve dhe teknologjisë mbushin sot tregun, duke na marrë mendjen për pak kohë falë kuriozitetit që e shtyn njeriun për më shumë njohje.


Është më shumë, sepse Eda Zari ka bashkuar ujërat e nëndheshme, e ka sjellë universin në kohën kur ishte fëmijë dhe gjithçka ishte magmë frymëzimi, pa u ndarë ende. Atëherë kur ende nuk kishte filluar udhëtimi që frymëzohej nga fatet e popujve dhe ndërtimi i kulturave unike që do të qëndisnin veten me penjtë e identitetit. Ky është një zbulim që të fshehtën nuk ta fal si dhuratë, porse do të duhet të provosh mes sfidave, nevojave, aftësive perceptuese dhe ushqimit të bollshëm të kulturës muzikore. Si art demokratik kënga e saj hyn në shpirtin e çdo dëgjuesi, sepse shtegun për atje Eda Zari e di dhe hyn si somnambule e gëzuar. Nëse rrekesh të bësh kritikën e artit të saj, duhet të matesh në pafuqinë dhe fuqinë tënde të arsyes, kulturës dhe civilitetit, sepse është jo e thjeshtë. Ke përballë një fenomen muzikor dhe jo thjesht një këngëtare!


 


* * *


 


Muza si muzikë e fjalës poetike…!


 


Toka e panjohur Zariane në poezinë e këngëve është zbulimi i sekreteve të dashurisë! Sa bukur, sa humane, sa frymëzuese! Nuk takohen thjesht ngjarje apo episode ngjarjesh dashurie, ku vajtohet për diçka të humbur dhe të jetuar si një mesazh pa kthim. Është krejt ndryshe. Nuk është zemra që këndon, por është muzika brenda saj për këngën, është muza që ka falur zemra. Arti, shpirti, interpretimi dhe epistemologjia muzikore e saj janë një unit që ka strukturë, ka formë të përmbajtjes, por ka më tepër shtrirjen ajrore të një frymëzimi që nuk mbaron kur mbaron kënga, por se pikërisht në ato çaste fillon! Mbetet brenda teje si frymë dhe imagjinatë, si peng frymëzimi!


Është një muzikë e brendshme që del nga gjithë qenia e saj, me të gjitha ngjyrat, me përdëllimin universal të gjendjeve. Të dish të sillesh me poezinë e këngës është jo fort e thjeshtë. Eda Zari ka shpirt poeti në kufijtë e një universi, sepse ajo nuk është thjesht ushqyer prej saj në një “kulinari” shpirti, kjo nuk do të mjaftonte. Eda Zari e përjeton njeriun, e qëmton hollë botën dhe veten me filozofinë poetike. Në të “Panjohurën e Dheut” të saj të shpirtit gjurmët janë fjalë poetike, rrugicat janë vargje që janë pjekur në diellin e jugut, rrugët janë vija liqenore lasgushiane nga ku tremben e fluturojnë si pata të egra, puthjet imagjinare që kishte lënë atje “peneli ëndërr”! Poetika që ajo transmeton është me fat, sepse Eda Zari krijon vetë poezi dhe kjo mjafton sepse Tarpsikori-poezia lirike, është komunikuese në arsye me Kaliopin, elokuencën që ka në deje edhe poezinë epike.


Ja përse më lart pa lajthitur falë entuziazmit, thashë pa mëdyshje, “fenomeni Eda Zari!” Të kesh poezinë brenda, do të thotë të kesh “hartën e rrugës” drejt të panjohurës frymëzuese, drejt kërshërisë që t’i dëgjosh zemrës të rrahurën kur ajo del nga pentagrami i ndjenjave, të dëgjosh zërat e shpirtit/shpirtrave që në varkën pa kthim për në Hade-s qajnë vetëm se kanë humbur mundësinë për të dashuruar. Kjo është një “klio-muzikë”, një megamuzë ku universi i ndjenjave është gërshetuar pa kthim me ndjenjën sublime të dashurisë. Tek dëgjon fjalët në këngën e Eda Zarit, ndien se si janë shkrirë, zëri – magjia e parë e njeriut, ai që e ndau nga paraardhësit natyrorë, ku ka tonalitete që gurgullojnë, nga majat e larta kumbuese deri tek mekja në psherëtimë, me ndjenjat e dashurisë. Gjen transmetimet poetike të kënduara, harmoninë që është jo thjesht ekuilibër muzikor, por është universi i dridhjeve që vallëzojnë në një dehje frymëzuese. Fjala thuhet me frymë, sepse nuk është thjesht koncepti, por përjetimi që ajo mbjell. Ka një shpejtësi marramendëse si në atë të dritës. Çdo fjale i bëhet anatomia shpirtërore falë kontrastit dritë-hije ku theksohen kontrastet e kufijve ndarës dhe shkohet deri te prizmi që thyhen rrezet, duke dhënë ylberin e qiellit të brendshëm që është i lumtur në fshehjen e tij si tokë e panjohur, e patreguar, në nuditetin e saj të privuar.


Dilema diellëzore apo djallëzore është e kahershme, e gjejmë madje edhe në etimologjinë e fjalës. Porse loja e fabulës së këngës është kaq e bukur dhe kaq ndjenjandjellëse, saqë dyshimi për “vashën që fluturon” është mes dhimbjes dhe dëshirës një pezull-ndjenjë! Kjo nuk mund të realizohet nëse nuk artikulohen jo si ndryshim germe, por ndryshim ndjenjash, kalimi nga dielli te djalli. Teksti në këngë ka disa veçori që më vjen për shpirt t’i hulumtoj. Kjo ngasje më pulit së brendshmi si një kandil që nuk do të fiket sa herë që i dëgjoj këto këngë të Eda Zarit. Sprovë, dua të ndeshem!


“Burimi i drejtpërdrejtë i veprës së artit është aftësia njerëzore për të menduar. Bota e mbushur nga produktet artificiale të njeriut që e kthejnë realitetin në “jobotë”, sepse ato janë produktet e punës, shfaqje të emanacionit (shfaqjes së vetvetishme) s’ka lidhje me artin. Krejt ndryshe, arti ka shpirt ndaj është vetëkrijimi. Arti zhburgos pasionin, sepse koha e qëndrimit brenda ka qenë e mjaftueshme për ta ngjizur shpirtin e veprës së artit ndaj ka ardhur koha që ajo të rrëfehet. Arti ndryshon nga veprimtaritë e tjera, sepse nuk është sendërtim, paçka që shumë prej tyre sjellin një vepër-objekt, piktura, skulptura. “Arti është transfigurim, – shkruan Hannah Arendi, – metamorfozë e njëmendtë, sikurse është ecuria e natyrës, e cila urdhëron që: “I gjithë zjarri të digjet deri në hi, të kthehet përmbys e madje dhe pluhuri të shpërthejë në flakë” (vargje nga poezia e Rilkes mbi artin titulluar “Magjia”. (Rainer Maria Rilke, 1875-1926, poet bohem austriak.)


Arti lidhet me mendimin që e ka paraprirë. Ky raport mendim-krijim, është thelbësor. Ka shumë madje, shumë që janë në “tregëzimin e artit” e jo në “botën e artit”, të cilët mund të jenë gjithçka, por nuk janë artistë. Janë si me thënë të punësuar atje dhe bëjnë shumë dëm, o sa shumë dëm janë duke bërë. Eda Zari është artiste madje nga më të mëdhatë që kemi pasur, sepse ka një formim kulturor tejet të gjerë. Universi muzikor është frymë, por edhe kulturë akademike gjermane, studente në Universitetin e Këlnit. Kultura artistike në përgjithësi është e begatë. Ajo njeh shumë mirë pikturën. Ka në shpirt mëllagat e poezisë. Është familjare me letërsinë.


E pëlqen kurthin provokues të filozofisë, ndaj përsiatjet e saj në të kënduar janë art që sjell një përjetim kozmogonik.


“Artistët janë të vetmit ata që kanë aftësinë e rrallë të krijojnë “sende mendimi”, thuhet në filozofi. Unë do të preferoja të përdorja një koncept timin, krijojnë Tingull, nga ai paramateriali që është pelegrinazhi i brendshëm tek ai reali që është art, medium dhe pelegrinazh i jashtëm shpirtëror për te spektatori.


“Paramaterialja, e pathëna, është tingulli si tërësi krijuese nga burojnë të gjitha frymëzimet dhe zënë rrënjë të gjitha krijimet. Është një formë ekzistenciale që nuk preket, shikohet apo shijohet fizikisht, por që si një psalmim nga brenda thellësive ideale, (jo materialja orakullon pelegrinazhin e secilit prej nesh” (marrë nga Libri “Tingull” i P.K.).


Eda Zari e ka këtë tingull paramaterial brenda vetes, të krijuar nga vetja, të ushqyer nga vetja, të plazmuar nga shpirti me rrënjë shumë të thella.


Talenti i saj është se ashtu të pastër, pa censurë, pa vetëpengim dhe “cipë turpi” e sjell jashtë në një shpejtësi drite, duke ndërtuar një komunikim valor grimcash, ashtu si ndodh realisht në botën e dritës, të gjithë artin e saj muzikor. Nga kombinim i dritës me zërin plazmohet magjia e saj e të kënduarit. Universi i dritës vjen i ndier si diell agimi, si hënë e plotë, si perëndim dielli, si dritë yjesh natën, si dritëhije dyshimi në pavendosmërinë e vajzës për të shkuar tek i dashuri: “Zare dil ke mani, dil se po të pret jarani moj zare”. Këto janë vargjet e një kënge, por sa dritë ka në këto vargje, ky është sekreti që sillet nga zëri i këngëtares, ky është sekreti që duhet të zbulojmë falë “Tokës së Panjohur”. “Do të vij pa gdhirë dhe pa fjalë do të shoh fytyrën tënde të mirë”, – thuhet në një këngë tjetër, ku tingujt e pianos të sjellin një diell gëzimi dhe violinat në sfond, shoqërojnë magjishëm.


“Do ulem te koka pa thënë as një fjalë…!” Sa dritë ka në këtë tablo shpirtërore, cili është koloriti, këtë e mësojmë vetëm nga zëri i këngëtares.


“Ti më vjen në mjegull, një puthje më mjafton…” – po këtu sa dritë ka dhe si thyhen ato në atë që quhet dashuri e vetme, ose muzadashuria?!


“Ku mbeti puthja jonë, deri në palcë më puth!” – këto vargje janë krijim i vetë Eda Zarit. Sa dritë ka në këto përjetime! Unë nuk e di dhe nuk e gjej dot, por diçka e them me bindje se kjo është muza dhe, Eda është muzaprurëse e kohëve tonë moderne. Në aktin krijues të artit, largësia mes “strehës” së mendimit (edhe si përjetim), që është zemra apo koka e njeriut, (me siguri “atelieja” është shpirti), dhe komunikimit, e kanë përcaktuar shpejtësinë sipas llojit të artit. Në muzikë dhe në poezi, si artet më pak materiale, për arsye se “materia” e tyre përbëhet nga tinguj dhe fjalë të ndiera si ese ndjenjash, që nuk kanë nevojë për “lëndë të parë” materiale si ka piktura, skulptura, apo terrakota, shpirtërorja është tërësisht genuine. Distanca mund të jetë fikse në këngë vetëm gjatë ekzekutimit, sepse çdo këngë fillon dhe mbaron, por se ajo që transmetohet si shpirtërore është mjaft e epueshme edhe në ato pak minuta komunikim. Muzika është jodimensionale si drita, si gazrat qiellorë, sepse është e pafundme në fshehjen e sekretit, duke e rikrijuar atë në infinit. Dëgjoni “Tokën Incognita” të Eda Zarit dhe do të shijoni këtë imensitá (pafundësi).


Poezia përdor si ingredient gjuhën dhe për këtë arsye është ndër artet më antropologjike, porse ka një atribut si rrallë ndonjë tjetër art, sepse mbetet afër mendimit që e ka frymëzuar. Në poezinë e këngës kjo afërsi është edhe më e ngushtë, sepse është poezi që jepet me zë dhe jo e shkruar, është e njehsuar me të dhe vijën melodike që e përshpirt. Teksti, që të jetë poetik mirëfilli lyp densitetin e lartë dhe përqendrimin më të skajshëm. Kjo është përzgjedhja që ka bërë Eda Zari në tekstet e këngëve popullore shqiptare që i ka sjellë në këtë album. Ky kujdes qelibar është jo thjesht fisnikëri delikate ndaj traditës baritore, gjest ky i njerëzve të emancipuar, por edhe një ringjallje në trajtën e një riardhjeje në mileniumin e tretë jo thjesht si rithënie, në respekt të traditës. Kemi të bëjmë me një rikrijim që e lidh të shkuarën me të ardhmen në shtrirje gjithëkohore duke përzënë harresën pa kthim.


Vetëm në këtë rast kujtesa, Mnemosia, shndërrohet drejtpërdrejt në kujtim dhe qëllimet e poetit për të arritur këtë shndërrim është ritmi nëpërmjet të cilit poezia ngulitet në kujtesë vetvetiu. Eda Zari si profesioniste e përkorët e krijon trinomi, poetik-kujtim-ritëm. Ky është zbërthimi që ajo i bën tekstit muzikor në çdo këngë. Është aftësia që e kanë vetëm këngëtarët e mëdhenj, që unë me dashuri i quaj: “muzaprurësit”. Francezët kanë Edith Piaf-in, dhe Mireille Mathieu-n, italianët kanë Mina-n dhe Ornela Vanoni-n, amerikanët Barbara Streisand-in e kanadezët Celine Dion-in. Ato e kanë këtë aftësi përcjelljeje të tekstit poetik. Ne kemi mrekullisht Eda Zarin. Të faleminderit Ed! Dëgjoje me vëmendje kur thotë: “Hëna iku na la, vetëm fryma jonë na ngroh…” dhe do ta kuptosh se çfarë magjie ka teksti, edhe kur ai është anonim, burimor si një kujtesë që ka lëvizur në kohë me pajtonin e fatit të atyre njerëzve që quheshin pellazgë, ilirë, arbënorë dhe sot shqiptarë. Këngët e Eda Zarit ndihmojnë “modernët” që janë sëmurur nga snobizmi. Nëse ata/ato dëgjojnë këto këngë, do të dalin nga kllapia e boshit të vakuumit, dhe do të kuptojnë se kush janë dhe nga vijnë, ku gjenden dhe ku do të duhet të shkojnë dhe si. Edhe ky kurim me artin e muzikës dhe mrekullinë e këngës, është një nga sekretet e zbuluara në “Tokën e Panjohur”. Për t’u vetëvështruar në kohët moderne ke nevojë të dëgjosh edhe këto vargje: “Unë dhe ti jemi vetëm në këtë botë…” “…edhe hëna që përgjon!”. Rrugicat e Tiranës nuk kanë pasur neone dhe muret e lyera me gëlqere ndriçoheshin nga drita e Hënës. Një lloj “Clair de Lune” që De Bussy e solli mrekullisht në kompozimin e tij, por që në një popullsi baritore ka po aq vlerë dhe kontribut kur vjen si një këngë etnopolifoni-xhaz. Dhe këtë e bën si në qiell sonate Eda Zari.


Anatomia e ritmit është një tjetër sekret i të kënduarit të Eda Zarit. Kombinohen në perfeksion ritmi i fjalës poetike, ritmi i muzikës, ritmi i brendshëm i zërit të këngëtares, ritmi i instrumenteve që sjell sa antientropi aq edhe entropi gjallëruese, pa u larguar në asnjë çast nga unisoni dhe harmonia. Ky ritëm i instrumenteve duket si një dialog shpirtrash që kanë një lidhje të brendshme, që nuk duket por ndihet. Ritmi i frymës që është zë i mekur dhe klithmë e mbytur (“kur shkoje në korije në ato rrëza”) dhe simbiozohet me një trombë që nuk do të lëshojë tingull, porse mjaftohet me një zë-tingull që vjen nga dhimbje shpirtërore e që duket si një grimasë e një shpirti që po lë amanetet. Të gjitha së bashku në fraksion sekonde, këngëtarja dhe instrumentet, të fusin në një botë drite, atje ku nuk ka gravitacion dhe peshë rëndese. Gjithçka tretet në sinergjinë e harmonisë dhe si pa e kuptuar ti që dëgjon, ndihesh në mes të furtunës së dridhjes që lind shtrëngatën e një harmonie çapkëne, sepse këndohet vetëm për dashurinë.


Poezia e këngës është muzë për Eda Zarin, sepse në gjykimin tim, ajo e nxjerr poezinë nga kujtesa dhe jo nga teksti i mësuar, ndaj dhe kënga e saj vjen një lëng shpirtëror muze. “Zare trandafille, ç’na e bëre me hile, moj zare sa e bukur je!” Kur e dëgjon të kënduar nga Eda Zari, përjeton jo një tekst që e njeh, por merr një mesazh nga larg, nga bota e engjëjve modestë që jetojnë në një çiltërsi frymëzuese. Këtu ka rëndësi lidhja që ka këngëtari me poezinë, sa dashnorë besnikë janë ata me njëri-tjetrin, sa tradhtojnë apo xhelozojnë me dëshirën e lodrimit për ta bërë dashurinë më të fortë, më saktë të vetmen gjë që i lidh dhe “prifti” i celebrimit është muzika, ndërsa shoqëruesi i çiftit është banda muzikore e Eda Zarit që është një magji më vete, ose më saktë një konvertim zarian instrumental. Kujtesa poetike është ushqyer me mushtin e nektarit poetik që ka dalë nga buzët e hapura të orkideve të mbjella në zemër, ndaj për këtë arsye Eda Zari është jo thjesht e përveçme, është unikale. Si balsamoset poezia në kujtesë kjo është përtej reales, dhe mënyra se si e sjell Eda Zari në këngë është pikërisht ftesë për te jo materialja. Mjeshtëria është koha në ekuilibër në një filigran teje të hollë ndjeshmërie që ka të bëjë me daljen nga kujtesa dhe artikulimi në zë muzikor kënge. As një grimë pauze, sepse pikërëndesat janë të lidhura si rrathët e një druri të moçëm të prerë dhe distanca mes tyre jep tërë vegjetacionin shpirtëror në një kufilarg përcaktuar me bisturi kirurgjikale. Ndryshe kjo quhet kujtueshmëri dhe ajo është dominante tek artisti që këngën e sjell si muzë dhe jo si art thjesht skenik. Kjo bën që të krijohet kujtueshmëria komunitare, pra që këngët e këtyre mjeshtreve/ave këndohen në masë nga publiku, mbahen mend, sepse tek ato janë strehuar përjetimet e tyre, është ushqyer shpirti dhe vaditur ëndërrimet, me tingujt dhe tekstet e tyre është bërë dashuri, është derdhur loti i pendimit dhe, është mbytur gulçima e dështimit si ndarje e një dashurie të humbur. Ky është një tjetër sekret që ne kuptojmë butësisht, tek mbushemi shpirtërisht kur dëgjojmë këngët e Eda Zarit. Ajo na vë të këndojmë duke na marrë për dore si në një hapësirë pa fund ku është e mbjellë si bimësi e rrallë nga anonimati kënga popullore shqiptare, ky brerim bio në rrjedhat e kohës. Muzika është më afër mendimit si asnjë art tjetër. Përpiquni ta zbuloni! Dëgjoni Eda Zarin: “Ti më vjen në mjegull, një puthje mjafton, liqeni desh na mbyt, liqeni ne na dëgjon, ku mbeti puthja jonë, deri në palcë më puth…!” – të fanitet një grua gjysmë zanë, që me cohën e hollë të bardhë në mish, është në dilemën që të mbetet atje në një pritje fatkeqe, apo të zhytet thellë në ujërat e liqenit.


Është aguar dhe pikërisht atëherë hëna e dielli janë takuar në një dritë bashkëjetese të zbehtë, si dilema e puthjes që nuk vjen megjithëse e dëshiruar deri në vetëflijim. Edhe “Sonata e Hënës” kishte lindur buzë një liqeni, porse nuk e dimë se çfarë u mbyt në të për Bethovenin.


“Liqeni i mjegullt” më shumë se këngë është një udhëtim në pentagramin e shpirtit dhe fyelli që qan në ajër, lëshon një klithmë të një piskame për ëndrrën që është këputur dhe një gjak trishtimi rrjedh në një blu të thellë prej saj. O Zot, ai fyell sa bukur gurgullon me tinguj!


Në “Tokën e Panjohur” të saj, Eda Zari vendos një shteg komunikimi kujtesë-kujtesë, sepse janë poezi të pashkruara, por të kënduara. Janë fjalë të ngrohta, përdëllenjëse, frymëzuese, që burojnë nga meditimi.


Një nga sekretet e panjohura është tejhorizonti imagjinativ që ka si qiell meditimin aq jetik, si për isopolifoninë ashtu dhe për xhazin.


Ky komunikim trondit thellë me një alkimizëm pozitiv.


Shndërrimi shpirtëror që vjen te ne nga zëri “émouvant” zarian, nga lundrimi në ujërat e emocionit kuptimor, nga intonacionet logjike, nga ngjyrimi binjak i çdo grime të ndjenjës si muzikë dhe si fjalëpoetike, të bëjnë të magjepsesh kur dëgjon këngët e Eda Zarit!


Poezia e këngës popullore është krijuar pa u shkruar. “Kroi i fshatit tonë ujë i kulluar, ç’më buroi nga malet duke mërmëruar…”


Kush mund ta thotë se cili është autori?! “Venë e mbushin ujë vajzat anë e mbanë, cipën e hollë cipën e kuqe, buzën si burbuqe…” Sa bukur, sa thjesht!


I imagjinoj në një buzë muzgu tek ecin në rresht me shtambat në shpatull dhe ngjitur me atë “qafën si zambakë”, si edhe thotë kënga.


Kjo lloj poezie ka brenda rapsodizëm dhe babai i saj është poeti i verbër Homer, që shihte nga brenda në atë që mund të quhet universi i sekreteve, nga ku rrjedh edhe raspodizmi burimor shqiptar, sepse është treva ballkanike që e parapriu atë me muzën pellazgjike. Poemat orale ishin prezente para atyre që iu adresuan me autorësi Homerit të madh!


Muzaprurësja Eda Zari e ka rrokur, e ka pështjellur me petalet e shpirtit të saj sa delikat aq edhe stuhinor, i ka “pëshpëritur në vesh” dhe ja ku na e sjell si një jehonë kozmogonike. Demokriti e lavdëronte gjeninë hyjnore të Homerit, sepse vargjet e tij krijuan kozmosin e begatisë së fjalës:


“Epeon osmon eteknato pantoion”, ose si shpreheshin grekët e lashtë për artin e poezisë: “Tektones hymnon”.


“Rreth e rreth Shkodrës i jam sjellë, lule më lule t’u shëtit, më të bukrën ty të kam zgjedhë, je si ylli i bukurisë.” “O shpirt sa të du, s’bashku jetën me kalue!” Tek i dëgjon nga Eda Zari këto fjalë, që i shoqëron edhe me një vokalizëm si perëndim dielli në horizont, dhe pianoja që lodron me ritme gëzimesh, dehesh. Fryma mbetet pezull. Ke takuar muzën dhe kjo nuk ndodh shpesh, ndodh shumë rrallë dhe për më të shumtët fatkeqësisht nuk ndodh fare! Një ritëm afrikan që dancon me një klarinetë përmetare, – kjo është universalja që të magjeps dhe tregon se muza nuk ka ardhur ashtu si ka qenë, por se ripërtëritet në një harlim gëzimi!


Eda Zari mjeshtërisht këndon muzikën e poezisë së këngës dhe njëherësh mrekullon kur në inpersonalitetin e tingullit muzikor lë nënkuptime imagjinative, që nga figurat që humbin si hije, deri te pikturimet e bukura. Ajo hedh për ne “zinxhirët” e qafës së bukur femërore, që në çapitjen tonë këmbëzbathur po si ajo, me qëllimin e mirë human të gjejmë udhën e dashurisë sa kohë marrim frymë në këtë jetë. Duhet bërë kjo përderisa “djallëzorja të mos kthejë gjithçka në rrënoja!” Eh “Toka e Panjohur” e dashurisë në pafundësinë e saj, të lutem zemrën tonë mos e vër në lojë, si në atë natën kur hëna ishte e plotë! Vetëm fryma jonë na ngroh, ky është himni i dashurisë në “Tokën Incognita!” Mjafton!