Të parët në reformë janë drejtorët në akuzën qendrore dhe më pas titullarët në rrethe


Ndryshe nga sa pritej, kryeprokurorja në detyrë, Ina Rama, do të bëjë një ikje të qetë nga posti që mban prej tetorit të vitit 2008, kur zëvendësoi të “akuzuarin” Theodhori Sollaku. Pa dashur të krijojë konflikte personale, apo edhe të stafit të saj të ngushtë, të cilët do ta kishin të vështirë më pas për të vazhduar detyrën nga presionet e gjithanshme, zonja Rama do të respektojë dekretin e Presidentit Bujar Nishani, i cili e ka zëvendësuar me Adriatik Llallën, kreun e Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive të Zyrtarëve, ish-drejtues prokurorie në Fier dhe Tiranë. “Ethet” më së shumti po i përjetojnë titullarët e akuzës qendrore, drejtuesit e akuzave të rretheve, ndërsa më pak, prokurorët e thjeshtë dhe oficerët e policisë gjyqësore.


 


Vëzhgimi


Prej ditësh, në sistemin e prokurorisë flitet për emrin e ri, pas deklaratës së Nishanit se “do ta zëvendësojë Ina Ramën”. Ishin të shumtë emrat e lakuar, por “fitoi” kandidati që u bë publik i pari, duke sjellë një situatë të ndryshme nga ajo e vitit 2008, ku emri i Ina Ramës nuk ishte lakuar nga asnjë politikan dhe media, por ishte vetëm në mendjen e ish-presidentit Bamir Topi dhe të mazhorancës. Tashmë, prokurorët ndihen më të lehtësuar, megjithëse kurioziteti për lëvizjet nuk u mungon. Ata pohojnë se e mirëpresin një kandidaturë që e njeh mjaft mirë sistemin, pasi ka punuar më parë në prokurori, madje në poste të larta. Vëmendje e madhe do t’i kushtohet riformimit të akuzës qendrore, ku personat që mund të preken nga “reforma” do të jenë titullarët e drejtorive kryesore. Të gjithë janë me “sy e vesh” nga zhvillimet politike për kreun e ri të akuzës qendrore, ndërsa pak vëmendje po i kushtohet prokurores në detyrë, e cila, pasi festoi 40-vjetorin si Prokurore e Përgjithshme, po shikon mundësinë që të rikthehet si gjyqtare në Apel, pasi ka mbaruar edhe Shkollën e Magjistraturës. Nga ana tjetër, stafi i saj duket se ishte i mirëpërgatitur për këtë lëvizje, ndryshe nga bashkëpunëtorët e Sollakut në vitin 2008, ku disa prej tyre e mbështetën, madje edhe në deklarata publike, ndërsa të tjerët preferuan të heshtin dhe të qëndrojnë larg telasheve politike.


 


Reforma


Situata në akuzën qendrore është shumë e qetë, pasi ikja ka qenë e paralajmëruar, aq më tepër që shumë prej stafit të zonjës Rama i janë bërë të qarta lëvizjet e mëpasshme. Një ide, kjo personale e Ina Ramës, është që çështjen ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse ka pak gjasa të ndodhë, duke qenë se kryeprokurorja në detyrë aspiron sërish për gjyqtare. Tashmë, vëmendja e të gjithëve është nëse do të lëvizin apo jo titullarët e akuzës qendrore, disa prej të cilëve kanë punuar në të njëjtën akuzë me zotin Llalla. Dy drejtorët në akuzën qendrore, Sokol Stojani dhe Arben Dollapi kanë punuar në Prokurorinë e Tiranës, si prokurorë të thjeshtë, në një kohë që kandidati për kryeprokuror ka qenë zëvendësdrejtues.


Megjithatë, drejtorët e tjerë në akuzën qendrore kanë pasur bashkëpunime më të largëta, duke qenë në të njëjtin sistem. Ata nuk e kanë njohur personalisht zotin Llalla, ndërsa prokurorët që përfaqësojnë akuzën në Gjykatën e Lartë, kanë pasur bashkëpunime më të ngushta, pasi më parë kanë qenë titullarë dhe drejtues të prokurorive të rretheve.


Lëvizje mund të ketë edhe në administratën civile, që nga sekretari i përgjithshëm e deri tek kabineti. Aktualisht, shefja e kabinetit është dekretuar prokurore në Tiranë, ndërsa zyrtarët e tjerë janë në pritje për të biseduar dhe për të vendosur në momentin që zoti Llalla do të ulet në karrigen e prokurorit të përgjithshëm.


 


Drejtuesit e rretheve


Vëmendje të madhe ndryshimit të kreut të akuzës qendrore i kanë kushtuar edhe prokuroritë e rretheve, ku pritet të ketë ndryshime titullarësh, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, ku “bashkëpunëtorët” më të ngushtë të kryeprokurorëve janë emëruar drejtues. Megjithatë, pritet që disa drejtues aktualë të lihen në detyrë, kjo edhe për shkak të performancës së mirë, ndërsa largimet do të jenë kryesisht shokët dhe të afërmit e Ina Ramës. Me gjithë pikëpyetjet e shumta për lëvizjet apo reformën e parashikuar, prokurorët e thjeshtë duken të paktën të lehtësuar, pasi në krye të akuzës vjen një person që e njeh mirë sistemin, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore, që aspironin për prokurorë, janë më të lehtësuar, pasi tashmë do të kenë një mundësi për të arritur ngritjen në detyrë. Situata në akuzë është shumë komplekse dhe e parashikuar, që ndoshta ka ndikuar në uljen e rendimentit të punës, pasi shumë çështje nën hetim dhe gjykim, konsultoheshin më parë në Prokurorinë e Përgjithshme. Firmosja e dosjeve të rëndësishme në këtë kohë nga zonja Rama, mund të sillte edhe interpretime të ndryshme nga të pandehurit dhe të hetuarit, të cilët mund ta cilësonin si “të jashtëligjshme”. Duke parë situatën dhe presionet në distancë nga politika, zonja Rama preferoi të bënte një ikje të qetë nga posti që mban, ndërsa vëmendja do të përqendrohet te stafi i saj. s.ç


 

Reforma – “Frika” më e madhe nga reforma që mund të ndërmarrë zoti Llalla është në akuzën qendrore, ku stafi i ngushtë i zonjës Rama duket se i ka bërë gati valixhet, megjithëse disa prej tyre janë dekretuar edhe si prokurorë


 


 


“Wikileaks”


“Kryeprokurorja nuk dëgjoi këshillin për të emëruar drejtues prokurorie në Durrës, Sokol Nishanin”


Kabllogrami, transferimet e dyshimta të Ina Ramës


Në një kabllogram të Ambasadës Amerikane në Tiranë, lëvizjet e prokurorëve nga Ina Rama, pasi mori detyrën, kanë qenë të dyshimta. Ajo largoi nga akuza qendrore bashkëpunëtorin më të afërt të paraardhësit të saj, Ardian Visha, i cili u emërua në Apelin e Gjirokastrës, për të dhënë më pas dorëheqjen. Më pas, transferoi nga Prokuroria e Përgjithshme në Krimet e Rënda, prokurorin e ndjerë Xhevat Hana, i cili në atë kohë po hetonte abuzimet gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, ku i hetuar ka qenë Lulzim Basha. Informacionet në ambasadë ishin se lëvizjet ishin të korruptuara, madje ka pasur edhe ankesa të shumta, thuhet në kabllogram. Sipas tij, një lëvizje e dyshimtë ka qenë emërimi si prokuror i Arian Ndojës, i shkarkuar në kohën e Sollakut. Madje, Ndoja u emërua për një periudhë të shkurtër edhe si drejtues i Prokurorisë së Durrësit, për t’u larguar më pas. Sipas kabllogramit, emërimi si kryeprokuror i Durrësit ka ardhur për shkak se ai ishte shoku i klasës së zonjës Rama, ndërsa nuk u morën në konsideratë emrat e Këshillit të Prokurorisë. Një kandidaturë për postin e kryeprokurorit të Durrësit, i rekomanduar nga Këshilli, ishte edhe Sokol Nishani, vëllai i Presidentit të vendit. Rekomandimi nuk u mor parasysh nga zonja Rama.


 


 


Deklarata


PS, abstenim në votimin e kryeprokurorit të ri


Deputeti socialist, Taulant Balla, argumentoi abstenimin me kundërshtinë e procesit mbi bazën e të cilit Llalla merr detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i mëshuar faktit se për PS mandati i Prokurores aktuale Ina Rama nuk ka përfunduar ende. PS, tha Taulant Balla, nuk e kundërshton kandidaturën e Llallës, i cili me kohë do të tregojë nëse është në lartësinë e kësaj detyre, e ndoshta guri i provës do të jetë zbardhja e vrasjes së katër protestuesve më 21 janar 2011. “Grupi parlamentar i PS vlerëson antikushtetues vendimin e Presidentit për ndërprerjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Dekretin për zëvendësimin e saj e çmon si shkarkim de facto të prokurores në detyrë deri më 23 maj të vitit 2013. Nga ana tjetër, grupi parlamentar socialist nuk e paragjykon kandidaturën e propozuar për zëvendësimin e prokurores në detyrë, duke ia lënë kohës të provojë se zoti Adriatik Llalla do të jetë në lartësinë e sfidës së hapur për vendosjen e drejtësisë në vend, duke filluar nga ndëshkimi i përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit e me radhë në rrugën e betejës me kulturën e pandëshkueshmërisë. Në konkluzion, duke qenë në parim kundër procedurës por jo kundër kandidaturës, grupi parlamentar socialist vendosi të abstenojë”, tha Balla.


 


 


KE


“Po ndjekim me vëmendje procesin e kryeprokurorit të ri”


Komisioni Europian ka reaguar pas dekretimit të Presidentit Bujar Nishani të emrit të Adriatik Llallës për kryeprokurorin e ri. Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, ka thënë se Brukseli është duke e ndjekur me vëmendje këtë proces. “Për ne ka shumë rëndësi shteti i së drejtës. Për këtë arsye kemi ndjekur me kujdes zhvillimet për Prokurorin e Përgjithshëm. Është një institucion i pavarur dhe ka një rol jetik për sfidat e shtetit ligjor, sepse është shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit. Është një fushë që e kemi ndjekur me kujdes. Kemi mbajtur shënim për vendimin e Presidentit për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, presim që procedurat në Parlament për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm do të zhvillohen në përmbushje të plotë me ato që parashikon Kushtetuta”, tha zëdhënësi i Fyle, Peter Stano.