Akull në akset rrugore, policia këshillon përdorimin e zinxhirëve në shumë segmente
Bora e orëve të fundit në zonat malore ka krijuar probleme në disa akse rrugore, kryesisht në Veri, por edhe në Juglindje. Në Pukë ka prezencë të akullit, ndërsa temperaturat kanë arritur në disa gradë minus. Për të shmangur aksidentet, policia rrugore këshillon drejtuesit të përdorin zinxhirët. Më problematike paraqitet situata në rrethet Korçë, Dibër, Pukë dhe Kukës, ku në zonat e thella, trashësia e borës ka kaluar të 35 cm, ndërsa temperaturat gjatë natës kanë zbritur në më shumë se minus 6 gradë.
Kukës
Në Veri, vështirësi qarkullimi ka në akset që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Qafë Shllakun, Peshkopinë, Krumën, Bajram-Currin dhe Qafë-Malin. Tashmë ka nisur hedhja e skorjes dhe kripës, gjë që ka sjellë normalizimin e situatës në autostradën Morin-Kukës-Tunel i Kalimashit. Ndërkohë, trashësia e borës arrin në mbi 30 centimetra në Komunat e Shishtavecit, Grykës së Çajës, Kalisit dhe Arrnit.
Dibër
Po ashtu, bora ka zbardhur rajonin e Dibrës, trashësia e së cilës shkon nga 10 centimetra në zonat urbane deri në 30 centimetra në ato të zonave të thella malore. Rënia e borës është shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturës, e cila ka shkaktuar probleme për lëvizjen e automjeteve. Edhe pse rënia e borës ka reshtur, në fshatra e komuna të thella malore si Lura, Radomira, Kalaja e Dodës, Trebisht, Ostren, Okshtun, Plepe dhe Xibër-Murrizë, gjatë orëve të para të mëngjesit ka pasur vështirësi në lëvizjen e automjeteve për shkak të akullit në rrugë. Aksi rrugor Peshkopi-Bulqizë vazhdon të mbetet i kalueshëm për automjetet me pak probleme në disa segmente të tij, si ai në fshatin Peladhi, “Pishat” në Fushë-Bulqizë dhe Qafa e Buallit. Kjo, për shkak të akullit në këto zona. Aksi Qafa e Buallit-Krastë vazhdon të jetë i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Edhe aksi Ura e Cerenecit-Ostren është i kalueshëm me zinxhirë. Me shumë vështirësi, automjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë edhe në rrugën Peshkopi-Kala e Dodës dhe Kukës. Gjithsesi, e djeshmja i ka gjetur të papërgatitur për përballimin e situatës dimërore ndërmarrjet e rrugëve, si ato të rrugëve nacionale, ashtu edhe ato të rrugëve rurale, pasi gjatë gjithë ditës nuk është bërë ndërhyrje prej tyre për zhbllokimin e situatës. Moti me reshje dhe ngrica ka shkaktuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike, ku shumë zona të thella malore si ajo e Gollobordës, Fushë-Bulqizës, Sllovë dhe Martanesh kanë pasur ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike, për shkak të defekteve të shkaktuara në linjat e transmetimit. Ndërsa aksi Ostren-Klenjë-Librazhd dhe anasjelltas vazhdon të jetë i bllokuar, për shkak të dëborës dhe ngricës. Dëbora përfshiu të gjithë zonat malore në Gramsh e Librazhd.
Korçë
Ndërsa në Juglindje, dëborë dhe akull ka në aksin Qafë e Qarrit, në Qafën e Zvezdes, në rrugën që të çon në Liqenas dhe në qafën e Pllocës. Aktualisht ka një shtresë dëbore 10-20 centimetra në zonat malore të Voskopojës, Liqenasit, Dardhës e Mokrës. Akull ka pasur edhe në akset Korçë-Qafëthanë dhe Korçë-Ersekë, ku gjatë natës disa mjete kanë dalë nga rruga, por pa dëme materiale dhe në njerëz. Temperaturat e ulëta po evidentojnë mungesën e druve të zjarrit nëpër shkolla, qendra shëndetësore dhe institucione të tjera. Për të zhvilluar mësim në kushte normale, nxënësit çojnë dru zjarri nga shtëpitë, ndërsa nëpër institucione vazhdon ngrohja me energji elektrike.
Tepelenë
Akset rurale në Tepelenë janë dëmtuar mjaft prej reshjeve të ditëve të fundit. Aksi Tepelenë-Gusmar, rruga që të çon më tej drejt Malësisë së Kurveleshit është shembur në një gjatësi rreth 100 metra prej reshjeve në vendin e quajtur, Hosi i Zallit. Prej shpatit të malit është shkëputur një masiv dheu dhe rruga u bë e pakalueshme për disa ditë me radhë. Ky aks i vendosur sipër kanioneve të thella të lumit të Bënçës, prej vitesh rezulton i rrezikshëm për rreth 2300 banorë të 5 fshatrave të thellë malorë. Specialistët thonë se së shpejti kjo rrugë do të izolohet plotësisht prej borës dhe kalimi i mjeteve do të bëhet i pamundur. Aktualisht rruga është sajuar, duke gërryer faqen e malit. Specialistët nuk rekomandojnë kalimin e mjeteve të rënda. Aksi prej Urës së Luftinjës deri në Komunën Buz është shkatërruar prej shirave të ditëve të fundit duke vështirësuar kalimin e mjeteve të vogla. Re. Rre.
Fier
Reshjet shkaktojnë shkarje
dheu dhe dëmtime në Apoloni
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar shkarjen e masiveve të dheut në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke rrezikuar strukturat antike që ndodhen aty. Këto shkarje janë evidentuar dje në mëngjes nga drejtuesit e Muzeut Arkeologjik të Apolonisë, të cilët kanë nisur të marrin masat për parandalimin e tyre. Sipas tyre, shembjet e dheut u shkaktuan nga riaktivizimi i një burimi nëntokësor. Mësohet se shkak i riaktivizimit të këtij burimi nëntokësor kanë qenë gërmimet e muajve të fundit nga një ekspeditë shqiptaro-gjermane. Nga burime pranë muzeut arkeologjik mësohet se ekspedita është paralajmëruar për rrezikun që paraqisnin gërmimet në këtë zonë. Kjo, pasi ka pasur një studim nga shërbimi gjeologjik shqiptar, që ndalonte kryerjen e gërmimeve arkeologjike aty ku kanë ndodhur edhe shkarjet e dheut. Por duket se ky paralajmërim nuk është marrë parasysh dhe gërmimet e kryera gjatë gjithë këtij viti kanë ndihmuar shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit në shkarjen e masiveve të dheut, si në pjesën e sipërme, ashtu edhe poshtë amfiteatrit të Apolonisë. Drejtori i muzeut antik është shprehur dje për mediat se shkaktar i shkarjes së dherave kanë qenë gërmimet. “Fatmirësisht dëmi është relativ dhe nuk ka dëmtime të strukturave të teatrit, pasi ato qëndrojnë në këmbë. Ishte parashikuar që kjo ekspeditë të kthente teatrin në një sektor të vizitueshëm, që për fat të keq nuk u realizua për shkak të reshjeve. Ka një shkarje masive të dheut që mendojmë se është shkaktuar nga një burim nëntokësor ujërash, i cili nuk është marrë aq sa duhet në konsideratë. Reshjet e 48 orëve të fundit kanë riaktivizuar këtë burim dhe kanë sjellë këtë anomali, qoftë nga ana e sipërme, ashtu edhe nga ana e poshtme e teatrit”,-deklaroi drejtori i Muzeut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali. Parku dhe Muzeu Arkeologjik i Apolonisë janë vënë shpeshherë para vështirësive, për shkak të mungesës së fondeve që nevojiten për përkujdesjen e relikeve antike. E. Hoxhaj