Bizhga: Janë 342 vetë që survejojnë 3 mijë punonjës. Kjo nuk ka qenë as në kohën e Sigurimit të Shtetit
342 veta – Shërbimi Informativ i Ushtrisë ka në organikë 342 punonjës gjithsej që janë në urdhrat e ministrit të Mbrojtjes
66 milionë lekë – SHIU ka më tepër fonde se agjencia kryesore, SHISH. Buxheti më i madh është për fondet e informatorëve, duke krijuar një dublim
BLEDAR HOTI
Shërbimi Informativ i Ushtrisë ka një superorganikë, për të cilën nuk është e parashikuar as në buxhetin e ri të shtetit. Deputetët e opozitës në Komisionin Parlamentar të Sigurisë kanë konstatuar se në projektbuxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes mungonin zërat e parashikuar për SHIU-n. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni ngriti shqetësimin se nuk janë parashikuar zërat e investimeve për SHIU-n. “Përse SHIU nuk është përfshirë në këto tabelat siç ka qenë herët e tjera në projektbuxhete. Vitin e kaluar keni blerë pajisjet e interceptimeve të parashikuara në ligjin e buxhetit, duke shmangur Kuvendin. Pra një blerje e tillë ishte jashtë miratimit të Parlamentit. Ju këtu ose jeni të paaftë për të bërë planifikime, ose e bëni qëllimisht këtë punë për të fshehur disa veprime administrative që dalin jashtë kontrollit të legjislativit”, deklaroi Gjoni. Ministria e Mbrojtjes shpenzoi 1.2 milionë euro për blerjen e pajisjeve të përgjimit, për të cilën u denoncua nga ana e opozitës. Shërbimi Informativ i Ushtrisë ka si strukturë organike 342 punonjës. Drejtori i buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Tartari, bëri të ditur se fondi për këtë institucion është 370 milionë lekë, ku zërat për shpenzimet zënë 66 milionë lekë. Një shifër e tillë është cilësuar si absurde nga ana e deputetëve të opozitës, pasi SHIU po përfiton më shumë se Shërbimi Informativ Shtetëror. “U fol këtu për 342 punonjës të SHIU-t. Mua më duket shumë e shtrenjtë për shqiptarët, që për 3 mijë forca luftimi, prej tyre përllogariten që 342 të jenë punonjës së SHIU-t. Pra i bie që në dhjetë ushtarë të kemi një agjent të këtij shërbimi. Një raport të tillë nuk e ka pasur as Sigurimi i Shtetit në kohën e diktaturës. Kur SHISH ka një numër jo më shumë se 900 punonjës, SHIU ka një luks të madh, pasi ka 342 veta, pra 1/3-tën e një shërbimi tjetër. Me këtë logjikë i bie një shërbim i ri paralel. Ne kemi dyshime tona mbi këtë institucion. Çfarë bëjnë këta punonjës, ç’detyra kanë ata, apo shkruhet thjesht si pjesëtarë të këtij institucioni? Mendoj që edhe vlera prej 66 milionë lekësh, është më shumë sesa vlera që i është alokuar SHISH-it për vitin 2013. SHIU ka mbi 550 mijë dollarë që do të përdoren për blerjen e informacionit, ndërkohë që agjencia kryesore e inteligjencës për sigurinë kombëtare, SHISH nuk ka e një fond të tillë”, tha socialisti Bizhga. Ministria e Mbrojtjes ka paraqitur në Kuvend një draft të posaçëm “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes”. Ky draft që e kthen SHIU-n në AIM ka qenë objekt i polemikave mes mazhorancës dhe opozitës. Socialistët po akuzojnë qeverinë se po krijohet një shërbim paralel me Shërbimin Informativ Shtetëror. Në shumë prej neneve, opozita ka konstatuar dublim të kompetencave mes AIM dhe SHISH-it. Gjithashtu, një përplasje tjetër është dhe ajo për mënyrën e emërimit të kreut të AIM, ku është parashikuar emërimi nga Presidenti, pas konsultave mes ministrit të Mbrojtjes dhe Kryeministrit. Kjo është cilësuar si në kundërshtim me Kushtetutën, pasi Shqipëria është një republikë parlamentare.
SHIU përgjoi diplomatët dhe opozitën
Opozita duke denoncoi blerjen e pajisjeve të interceptimit për llogari të SHIU-t, pasi sipas saj, këto aparatura u përdorën për përgjimin e deputetëve të opozitës dhe të ndërkombëtarëve. Ministria e Mbrojtjes u justifikua me faktin se po kryente këtë prokurim për t’i përdorur në misionet ushtarake shqiptare që janë nën komandon e NATO-s. Socialistët hodhën poshtë gjithashtu pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes se për këtë blerje është vënë në dijeni dhe strukturat e NATO-s.