Tre persona janë lënduar rëndë nga flakët e një zjarri që ka përfshirë papritur banesën e tyre 4-katëshe, në lagjen e Çollakëve në kryeqytet. Burimet policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në shtëpinë e Ilir Qefalias.
Të njëjtat burime saktësojnë se i zoti i shtëpisë, bashkë me të shoqen dhe vajzën e tyre, Dorina, janë djegur në pjesë të ndryshme të trupit. Ata janë transportuar menjëherë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ku po i nënshtrohen trajtimit mjekësorë. Sipas burimeve spitalore, mësohet se Ilir dhe Dorina Qefalia janë në gjendje tepër të rëndë, ndërsa vajza e tyre arrin të komunikojë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar tre zjarrfikëse të cilat bën të mundur shuarjen e flakëve. Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë pakujdesia. Zjarrfikësit kanë gjetur një bombol gazi të hapur, e cila dyshohet se ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm dhe djegien e banesës. Sipas ekspertëve, njëra prej dhomave të katit të tretë të vilës ka qenë e ndotur me gaz, dhe ka mjaftuar ndezja e dritës elektrike për të shkaktuar shpërthimin e bombulës së gazit. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
5 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
