Policia shoqëron tubuesit e paligjshëm, Aleanca Kuqezi pretendon dhunë ndaj tyre
Dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi organizuan në qytetin e Vlorës një protestë kundër qeverisë që ishte mbledhur në muzeun e Pavarësisë, duke sjellë përplasje të ashpra edhe me policinë. Aktivistët e Aleancës, me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar janë nisur përgjatë bulevardit të Vlorës për të shkuar në vendin ku u mbajt mbledhja e qeverisë, por ata janë përleshur me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe motivi ka qenë bllokimi i rrugës.
Me thirrje patriotike dhe pankarta kundër qeverisë, aktivistët e Aleancës Kuqezi janë ndalur me forcë nga dhjetëra forca policie, që zunë rrugën për të penguar lëvizjen e protestuesve. Policia ka nisur largimin me forcë të aktivistëve, duke përdorur kundër tyre edhe bomba me gaz lotsjellës. Numri i madh i forcave të rendit, të Gardës dhe gazi lotsjellës detyruan largimin e aktivistëve nga bulevardi kryesor, ndërsa pak metra me tej vijonte mbledhjen qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Berisha.
Në lidhje me këtë, policia e Vlorës tha se AKZ-ja ka zhvilluar një tubim të paligjshëm. Sipas të dhënave zyrtare, strukturat policore u kanë bërë thirrje aktivistëve që të shpërndahen, duke u bërë me dije se veprimet e tyre përbënin shkelje ligjore dhe për më tepër nuk kishin njoftuar dhe as kishin marrë leje paraprakisht nga policia. Por, sipas policisë, protestuesit e paligjshëm kanë konfirmuar se nuk do të zhbllokonin rrugën pa marrë urdhër nga drejtuesit e tyre politikë dhe kanë vazhduar me bllokimin e saj dhe kanë hedhur shashka tymëse gjatë tubimit. “Më pas, këta pjesëmarrës janë larguar me automjete në drejtim të Tiranës, ku në hyrje të Kavajës gjatë momenteve të verifikimit të tyre nga policia, këta të fundit nuk u janë bindur urdhrave të ligjshëm të policisë, duke i kundërshtuar me dhunë në krye të detyrës. Aktualisht nga shërbimet e policisë janë shoqëruar dhe po merren në pyetje disa persona, për të cilët do të referohen materialet në prokurori”, tha policia
M. Marsi