Diplomaci


I dërguari i Uashingtonit zhvillon takime me liderin e opozitës dhe kreun e LSI-së


Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndjekin nga afër zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të vitit 2013. Kjo u bë e ditur gjatë takimit që drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore pati dje në Tiranë me kryetarin e PS, Edi Rama. Lideri i PS-së, sipas zyrës së shtypit të selisë rozë, në takimin me Moore përforcoi angazhimin e Partisë Socialiste për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian duke nënvizuar se Shqipëria përballet me probleme serioze për shkak të deficitit demokratik, moszbatimit të ligjit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor. Rama vuri në dukje domosdoshmërinë e një lufte institucionale për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe në mënyrë të veçantë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si themeli i një demokracie funksionale. Duke iu referuar vizitës së sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore konfirmoi dhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për ecurinë e axhendës europiane të Shqipërisë, duke e ndjekur nga afër gjithë procesin. Zyrtari i lartë i DASH, më pas pati një takim me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Meta shprehu zhgënjimin e LSI-së për bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Moore, pasi vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, rikonfirmoi dëshirën e SHBA-së për një ecuri më të shpejtë të reformave dhe për ta parë Shqipërinë një ditë në Bashkimin Europian, atje ku vendi i saj është. Biseda mes Metës dhe Moore u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, me fokus zhvillimet e brendshme politike, në përgatitjet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm ,si dhe në politikën rajonale të vendit. Vizita e zyrtarit të lartë të DASH realizohet në momentin kur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nxori dekretin për Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Dy ditë përpara firmosjes së dekretit, nga SHBA, Moore paralajmëroi drejtuesit e shtetit shqiptar se janë kundër emërimit të një prokurori politik. “Standardet që mbështesim ne dhe që populli shqiptar kërkon janë që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë një post politik, të jetë i pavarur siç duhet të jetë edhe sistemi i gjykatave”, tha ai në një intervistë në VOA.


 


Rama – Zyrtari i DASH bisedoi me liderin e PS-së për situatën politike, si dhe për çështjet e integrimit të vendit. Rama shprehu domosdoshmërinë për zgjedhje të lira më 23 qershor


Meta – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu zhgënjimin e tij për mosmiratimin e tre ligjeve të kërkuara nga BE-ja, duke fajësuar në njëfarë mënyre qëndrimin e mbajtur nga opozita për këtë çështje


Kryeprokurori – Zyrtari i DASH mbërrin në Tiranë në momentin kur Presidenti ka dekretuar emërimin e kryeprokurorit të ri. Moore ka kërkuar publikisht se SHBA-ja është për një zyrtar të lartë, jo emër politik


 


Ndërmjetëson Ashton


Thaçi-Daçiç, takimi i tretë në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sërish me homologun e tij serb, Ivica Daçic, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton. Darka e përbashkët ka nisur dje rreth orës 21:00. Darka ka pasuar takimet bilaterale që baronesha Ashton ka zhvilluar me dy kryeministrat. Takimi, Thaçi-Daçiç, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, është i treti me radhë midis dy kryeministrave. Në krye të axhendës së djeshme është thënë se do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të njohur si IBM. Prishtina dhe Beogradi kanë arritur këtë marrëveshje që në muajin shkurt, por zbatimi i saj ka ngecur. Takimet e nivelit të lartë janë parë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Bashkimi Europian ka thënë se përparimi në bisedime do të rrisë përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë, për të lëvizur përpara drejt integrimit në këtë bllok. Takimi i parë Thaçi-Daçiç është zhvilluar më 19 tetor, ndërsa i dyti më 7 nëntor.