Komisioni i Ligjeve ka miratuar me votat e mazhorances dekretin e presidentit të republikës për Adriatik Llallen, si kryeprokuror i ri i vendit, ndërkohë që ashtu siç edhe kishte njoftuar, opozita ka abstenuar duke e cilësuar si antikushtetues procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri.


Komisioni i Ligjeve nisi mëngjesin e sotëm seancën dëgjimore me kandidatin e dekretuar nga presidenti i republikës për prokuror të përgjithshëm, Adriatik Llalla.


Në fjalën e tij përpara këtij komisioni Llalla është shprehur se është i ndërgjegjshëm për problemet që ekzistojnë në sistemin e drejtësisë dhe se zyra e prokurorit të pëgjithshëm përballet sot me sfida të reja. Ai theksoi se një nga çështjet primare për t’u zgjidhur është kthimi i besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.


Adriatik Llalla ditën e hënë u dekretua nga presidenti i republikës si kryeprokuror i përgjithshëm, përkundër debateve lidhur me mandatin e kryeprokurores ekzistuese.


Kandidati për kryeprokuror të ri të vendit deri tani duket se ka fituar mbështetjen jo vetëm të mazhorancës, por edhe të disa përfaqësueseve të opozitës, që janë shprehur publikisht se do të votojnë pro kandidaturës së tij. Votë mbështetëse për Llallën ka deklaruar kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, deputeti i pavarur, Kastrioti Islami, por edhe deputeti i PS, Tom Doshi. Vetë grupi parlamentar i PS ka bërë publike se do të abstenojë në votimin për kryeprokurorin e ri, duke sqaruar se nuk është kundër kandidaturës së përzgjedhur, por kundër procedurës së ndjekur për zgjedhjen e tij.


6 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)