Bruksel
Ministri i Jashtëm grek: Një sjellje e tillë, e papranueshme
Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos, ka shprehur shqetësimin e tij në takimin ministerial të NATO-s rreth rritjes së valës së nacionalizmit në Shqipëri dhe deklaratave të pamatura të qeverisë shqiptare. Në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, thuhet se “rritja e nacionalizmit dhe populizmit në disa nga vendet tona fqinje është një burim i madh shqetësimi”. “Unë e bëra të qartë në çdo drejtim që një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Avramopoulos. Duke shprehur kundërveprimin e Greqisë ndaj këtyre deklaratave, Avramopoulos kërcënoi me respektimin e standardeve të Bashkimit Europian për vendet që synojnë Brukselin. “Vendet kandidate (siç është Shqipëria), nëse ne po flasim për NATO-n apo BE-në, duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Europës. Niveli i kërkesave nuk do të ulet dhe të gjitha kriteret dhe kushtet do të duhet të plotësohen”, përfundoi Avramopoulos. Berisha ka rritur retorikën nacionaliste, i frikësuar nga një valë e mundshme elektorale pro Aleancës Kuqezi në Shqipëri. Ai, përveçse ka folur për kufijtë e Shqipërisë osmane deri në Prevezë, ka bërë thirrje të dekretojë 10 milionë shqiptarë shtetas të Shqipërisë, duke vënë seriozisht në dyshim lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe raportet me Bashkimin Europian. Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi dje nga Mali i Zi, ku mori pjesë në samitin e krerëve të shtetit të rajonit, se marrëdhëniet e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të shkëlqyera dhe shtoi se Shqipëria nuk ka çështje të hapura me asnjë vend të rajonit. “Të gjithë fqinjët tanë kanë prioritet të veçantë, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë interes në prishjen e integritetit të shteteve të tjera”, u shpreh Presidenti shqiptar.