Gjashtë kompani gjobiten 1.47 miliardë euro për krijim karteli
Philips, LG Electronics, Samsung dhe tri kompani të tjera u gjobitën me masën rekord prej 1.47 miliardë eurosh nga zyra e mbrojtjes së konkurrencës së Bashkimit Europian për shkak se kishin rënë dakord të fiksonin mes njëra-tjetrës çmimet e televizorëve dhe monitorëve me tuba katodikë, duke krijuar një kartel që punoi gati dhjetë vjet, njofton “Reuters”.
Gjoba më e rëndë u dha për kompaninë me bazë në Holandë Philips, plot 313.4 milionë euro, ndërsa LG u gjobit me 295.6 milionë euro. Panasonic duhet të paguajë 157.5 milionë euro, Samsung 150.8 milionë, Toshiba, 28 milionë dhe kompania franceze Technicolor u gjobit me 38.6 milionë euro.
Dy bashkëkompani të Panasonic u gjobitën gjithashtu. Kompania tajvaneze Chunghua arriti t’i shpëtojë gjobës duke denoncuar kartelin në fushën e televizorëve dhe monitorëve të kompjuterëve. Kartelet në këto dy produkte të rëndësishme funksionuan në të gjithë botën mes viteve 1996 dhe 2006, kohë gjatë së cilës drejtuesit ekzekutivë të kompanive diskutonin se si të fiksonin çmimet dhe të ndanin tregjet në “takime të gjelbra”. Takimet thirreshin në kod në këtë mënyrë për shkak sepse shpesh përfundonin me një lojë golf.
“Këto kartele për produktet me tuba katodikë janë tipike siç përshkruhen nëpër libra: ata përfaqësojnë sjelljen më të keqe anti-konkurruese të mundshme që ndalohet me rreptësi për kompanitë që bëjnë biznes në Europë”, tha komisioneri për mbrojtjen e Konkurrencës, Joaquin Almunia, në një deklaratë.
Ai shtoi se shkelja ligjore qe veçanërisht i dëmshëm për konsumatorët për shkak se tubat katolike përbënin 50 deri në 70 për qind të çmimit të ekraneve.
Tubat katodikë janë zëvendësuar gjerësisht me teknologji më të zhvilluara si ekranet me kristal likuid LCD, ato me plazma apo me dioda që emetojnë dritë organike.
Gjoba tjetër më e madhe e antitrustit europian qe vendosur për kompanitë e prodhimit të xhamave të makinave, gjithsej 1.38 miliardë euro, në vitin 2008. Vitin e kaluar, komisioni pati gjobitur kompanitë që prodhonin xhamat e ekraneve me tuba katodikë me 128.74 milionë euro.