GJERGJ EREBARA
Qeveria shqiptare e sotme, në programin e saj elektoral të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009, bën të qartë se borxhi publik në Shqipëri nuk duhet të jetë më i lartë se 50 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe se kjo gjë është “kusht” për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ky është një qëndrim shumë pozitiv, i pastër, i pakompromis dhe vijon të jetë i publikuar në km.gov.al si pjesë e programit qeverisës 2009-2013. E njëjta mazhorancë, në vitin 2008, hodhi hapin në drejtimin e duhur, duke i imponuar vetes në ligjin 9936, një limit maksimal ligjor. Në këtë ligj përcaktohet se borxhi publik në Shqipëri nuk duhet të kalojë kufirin 60 për qind të PBB-së. Një për qind e PBB-së në Shqipëri aktualisht është afërsisht 100 milionë euro dhe rrjedhimisht, borxhi aktual i Shqipërisë është 6 miliardë euro.
Ligji nuk mbart klauzola ndëshkuese në rast shkeljeje dhe as ndonjë mekanizëm të besueshëm për llogaritjen e nivelit të borxhit në rast se ai shkon pranë limitit 60 për qind, siç ka qëndruar në fakt gjatë tri viteve të fundit. Por pavarësisht dobësive të kësaj natyre, ekzistenca e këtij limiti rezultoi shumë pozitive për vendin. Për shembull, muajin e kaluar, kur qeverisë iu desh të rriste borxhin publik me 7 miliardë lekë për të financuar importin e dritave, në Ministrinë e Financave mësohet se zyrtarë të ndryshëm i bënë bisht firmosjes së propozimit, me dyshimin se ky 7 miliardësh do të mjaftonte për të rritur borxhin publik mbi 60 për qind të PBB-së dhe se askush nuk dëshironte të shkelte ligjin, sado që vetëm një naiv mund të besojë se ndokujt do t’i hyjë gjemb në këmbë për një shkelje të tillë, në një kohë kur vrasësit dhe trafikantët i shpëtojnë drejtësisë me lehtësi.
Një shembull tjetër pozitiv në respektimin e ligjit, është fakti që në vitin 2011, Ministria e Financave pezulloi shlyerjen e faturave të zakonshme pikërisht për të mos lejuar kapërcimin e limitit.
Këtë javë, sikur të mos ishte po i njëjti Kryeministër që vendosi në programin e tij qeverisës uljen e borxhit si “kusht për rritje ekonomike”, Sali Berisha propozoi në Parlament shfuqizimin e ligjit 9936, pra limitin prej 60 për qind. Në të njëjtën kohë, propozoi një projektbuxhet që pritet ta rrisë borxhin publik në 62.6 për qind të PBB-së.
Që ta bëjmë më të kuptueshme për lexuesin, çdo shqiptar, përfshirë edhe ata që nuk kanë lindur ende dhe që do të lindin gjatë vitit 2013, do të kenë 100 euro borxh secili nga këto dy vendime të thjeshta të qeverisë. Jo vetëm kaq, por me heqjen e limitit ligjor të borxhit publik, qeveria jo vetëm që nuk respekton atë që ka deklaruar në programin qeverisës, por i hap rrugë rritjes së mëtejshme të borxhit publik në vitet 2014 e me radhë.
Si të mos mjaftonte kjo, Kryeministri vendosi t’i bëjë budallenj të gjithë shqiptarët, duke deklaruar se rritja e borxheve është në fakt një gjë pozitive, që ai po e bën në të mirë të popullit. Për më tepër, na përmendi do shembuj nga bota, ku politikanë të majtë (e theksoj, të majtë) këmbëngulin te teoria që në kohë krize, borxhet duhet të rriten. Në fakt, të djathtët në të gjithë botën, besojnë të kundërtën. Borxhet, thonë ata, janë një mashtrim i ulët që qeveritë e majta i bëjnë popullatës. Të majtët dëshirojnë të ushqejnë popullatën me borxhe përkohësisht, sa për të fituar zgjedhjet, pastaj kuptohet se është vetë popullata që jo vetëm do të paguajë borxhet, por do të paguajë edhe interesat për bukën që ka ngrënë veresije.
Borxhi publik në Shqipëri ka arritur në një pikë kritike. Rrugët janë dy: e para, ajo seriozja, që është përcaktuar në programin aktual të qeverisë, thotë se borxhet duhet të ulen. E dyta, ose shtegu i papërgjegjshmërisë, është që borxhet të vijojnë të rriten. Qeveria ka zgjedhur politikën e papërgjegjshmërisë. Ajo ka harruar parimet e veta liberale, të cilat e sollën në pushtet më 2005 dhe po sillet, jo si parti e majtë, në fakt po sillet si Partia e Punës në vitet ’80.
Ulja e borxhit publik, do të thotë që bankat të detyrohen të japin kredi për bizneset dhe publikun e gjerë dhe që interesat e kredive të ulen. Kjo kthehet menjëherë në rritje ekonomike. Ky është parimi i shenjtë i të djathtës liberale. Kështu na mëson Milton Friedman. E kundërta, pra rritja e borxhit, do të thotë që bankat të zbrazin depozitat e qytetarëve te borxhi publik. Qeveria, do t’i marrë këto para dhe do t’i shpenzojë aq keq sa nuk bëhet më. Historia në Shqipëri ka treguar se për të paguar 1 euro prodhim të brendshëm bruto, qeveria merr 2 euro borxh. Pra ato 260 milionë euro që qeveria ka ndër mend të rrisë borxhin publik në vitin 2013, do të përkthehen në 130 milionë euro ose 1.3 për qind rritje ekonomike, por shqiptarët do t’i paguajnë interesat e këtyre borxheve për 260 milionë, jo për 130 milionë. Jo vetëm kaq, por shqiptarët do të paguajnë inflacionin, rrezikun e dobësimit të lekut përballë euros, pasigurinë për depozitat e tyre në lekë, pasigurinë e vlerës së pensioneve të tyre në të ardhmen.
Ky është rasti i fundit për një Kryeministër që ka bërë shumë paudhësi në këtë vend. Një udhëheqës ka në dorë tashmë të tregohet burrë shteti, ose të hyjë në librat e historisë si një njeri i rëndomtë.