Familjarët: Dyshojmë te puna e të atit dhe rrëmbim nga shpërndarësit e drogës


Sokol Çobo


Djali 10-vjeçar i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, rezulton i zhdukur prej shtatë ditësh, ndërsa familjarët vijojnë kërkimet në të gjithë Tiranën. Juliani është parë për herë të fundit, kjo edhe nga dëshmitë e disa personave, pranë një qendre interneti në zonën e Laprakës, ku edhe banon familja Çela, dhe më pas nuk ka lënë asnjë gjurmë, me gjithë informacionet e banorëve “se e kemi parë këtu dhe atje”.


Ditën e premte, më 30 nëntor, Juliani nuk kishte shkuar në shkollë, pasi ishte ditë pas festave dhe oraret e mësimit nuk ishin të plota. Paradite ka qëndruar në shtëpi dhe shkëputja e linjës së internetit e ka detyruar për të shkuar në një qendër interneti që ofron edhe lojëra. Pasi ka ngrënë drekë, rreth orës 14:00, ka dalë nga banesa dhe ka takuar disa shokë. Më pas shkoi në qendrën e internetit, e cila ndodhet disa metra larg banesës së tij. Pronarja e qendrës së internetit, e cila është personi që e ka parë dhe identifikuar për herë të fundit, u ka thënë familjarëve dhe policisë se Juliani ka tentuar të ulet në një kompjuter, por të gjithë ishin të zënë. Ai ka qëndruar disa minuta, madje i ka ofruar edhe pronares, e cila quhet Roza, edhe një flamur, ndërsa është thirrur nga një person që ende nuk është identifikuar.


Pikërisht ky detaj për familjarët dhe për policinë është mister. Pronarja e qendrës së internetit thotë se ka qenë me shpinë nga rruga, ku edhe ka qëndruar personi që e ka thirrur, ndërsa i ka dëgjuar vetëm zërin. Ai e ka thirrur në emër, dhe, sipas Rozës, Juliani ndoshta e njihte këtë person, pasi është larguar me shpejtësi dhe mimika e fytyrës linte të kuptoje se ishte thirrur nga një shok. Pas daljes nga kjo qendër, 10-vjeçari nuk është parë dhe vendndodhja nuk është identifikuar nga askush, megjithëse disa dëshmitarë kanë pohuar për familjarët se e kanë parë te shinat e trenit, në rrugën “Josif Pashko”, në Laprakë.



Në orët e vona të së premtes, familja Çela, duke vënë re mungesën e Julianit, ka dalë për ta kërkuar. Babai i tij, Skënder Çela, ka shkuar te banesat e shokëve të tij që janë në Laprakë. Në asnjë prej këtyre banesave nuk ishte, ndërsa u kontrollua edhe te qendra e internetit. Kërkimet kanë vijuar për orë me radhë, madje edhe natën duke u gdhirë e shtuna, megjithëse pa rezultat. Shumë persona kanë thënë se e kishin parë këtë djalë, i cili ditën që u zhduk, kishte veshur një palë xhinse dhe bluzë të trashë me kapuç, në shumë vende, por askush prej tyre nuk e ka njohur Julianin. Dëshmia më e rëndësishme është ajo e Rozës, ndërsa të gjithë të tjerët kanë treguar vetëm hamendësime dhe detaje pa vlerë. Ditën e shtunë, familja ka kontaktuar edhe policinë, e cila shpërndau foton e Julianit në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe, ndërsa më parë e kishte dërguar informacionin edhe në komisariatet në Tiranë. Sërish asnjë informacion i saktë, ndërsa familja Çela ka njoftuar edhe të afërmit e tjerë. Duke qenë se janë fis i madh, ata kanë kërkuar dhe verifikuar çdo informacion. Behari, djali i tezes së Skënderit, i cili është edhe komshi me ta, thotë për gazetën “Shqip” se “Juli ishte një djalë i qetë, fjalëpakë, por shumë i lëvizshëm”. Ai thotë se asnjëherë më parë 10-vjeçari nuk është larguar nga banesa në këtë mënyrë, ndërsa tregon edhe për dyshimet e familjarëve.


I pyetur nëse zhdukja mund të ketë lidhje me punën e Skënderit në Shërbimin Informativ Shtetëror, thotë se nuk përjashtojnë asnjë pistë, megjithëse dyshimet më të mëdha i kanë te ndonjë rrëmbim nga shpërndarësit e drogës në Laprakë. Ai thotë se Juli ishte djalë i shkathët, çka mund t’i ndihmojë trafikantët në arritjen e objektivit të tyre. “Skënderi punon prej rreth 20 vitesh në SHISH dhe nuk besoj se zhdukja të ketë lidhje me detyrën, megjithëse policia ka bërë verifikimet e nevojshme, duke marrë edhe deklarimet e familjarëve. Ne besojmë se mund ta ketë marrë ndonjë person dhe e mban në ndonjë ndërtesë të braktisur, ku edhe qëndrojnë për të shpërndarë lëndë narkotike. Qëllimi ynë është të informojmë anekënd për këtë zhdukje dhe kërkojmë ndihmën e çdokujt, policisë, medias dhe qytetarëve të thjeshtë, nëse e kanë parë Julianin”, vijon Behari. Familja Çela është në ankth për ndodhinë e mistershme, ndërsa e gjithë Lapraka është vënë në lëvizje për të gjetur detaje nga zhdukja e 10-vjeçarit.


Rrëmbimi


Ne besojmë se mund ta ketë marrë ndonjë person dhe e mban në ndonjë ndërtesë të braktisur, ku edhe qëndrojnë për të shpërndarë lëndë narkotike


Etapat


30 nëntor – U zhduk 10-vjeçari që u pa për herë të fundit pranë një qendre interneti në Laprakë të Tiranës


1 dhjetor – Disa banorë të Laprakës pohojnë se e kanë parë Julianin në afërsi të shinave të trenit në rrugën “Josif Pashko”


3 dhjetor – Familja Çela angazhon të gjithë fisin për të kërkuar të zhdukurin. Vijnë edhe nga rrethet


5 dhjetor – Babai i Julianit verifikon një informacion së bashku me një shokun e djalit, megjithëse asnjë rezultat


 


Babai i 10-vjeçarit, 20 vjet në Shërbimin Informativ


Skënder Çela, babai i Julianit, punon prej rreth 20 vitesh në Shërbimin Informativ Shtetëror, ndërsa tashmë mban postin e nëndrejtorit të antiterrorit. Sipas familjarëve, Skënderi nuk e ka lidhur kurrë profesionin me familjen, ndërsa nuk ka pasur asnjë konflikt, apo hasmëri. Sipas tyre, policia po verifikon për të gjitha pistat, ku nuk përjashtohet as zhdukja për shkak të detyrës. Ndërkohë, burime nga policia pohojnë se po hetojnë të gjitha informacionet e marra deri më tani, ndërsa u janë marrë deklarime edhe familjarëve.


 


 


Intervista


Roza thotë se nuk e ka parë personin që e thirri, por ishte më i madh. Tregon bisedën e fundit me 10-vjeçarin


Pronarja e qendrës së internetit: Julin e thirri një person, u largua me shpejtësi


Pronarja e qendrës së internetit, ku është parë për herë të fundit Juliani, ka treguar se një person e ka thirrur 10-vjeçarin, por nuk e ka parë në fytyrë. Thotë se nga zëri duhet të ishte më i madh se Juli, megjithëse pohon se Juliani mund ta ketë njohur. Pas thirrjes, 10-vjeçari është larguar me shpejtësi dhe prej këtij momenti, askush nuk e ka parë më, por vetëm fjalë, që tregojnë se e kanë parë këtu dhe atje. Roza, që shkon në qendrën e internetit për të zëvendësuar djalin dhe për të vënë rregull, thotë se Juliani ishte një djalë shumë i qetë dhe në këtë vend vinte rrallë, pasi kishte lojëra për të rritur dhe jo për moshën e tij. Shkonte diku më larg, ku edhe kishte edhe shoqërinë, ndërsa javët e fundit frekuentonte edhe këtë qendër interneti, ku shoqërohej edhe me të rritur. Ajo thotë se ishte një djalë fjalëpakë, por shumë çapkën.


Kur e keni parë për herë të fundit Julianin?


Ishte ditë e premte, pasdite, rreth orës 15:00. Erdhi vetëm dhe më kërkoi të ulej në një kompjuter për të luajtur.


Folët me të?


Po, pasi erdhi te kompjuteri im dhe po bisedonim, normalisht siç flitet me një fëmijë. Më tha se do të presë edhe pak, sa të lirohej ndonjë kompjuter. Shkoi të shikonte të tjerët sesi luanin, ndërsa më thirri: “Teta Roza, a e do këtë flamur”. Kishte një flamur dhe e mbante në gjoks. Ishin ditët pas festave të nëntorit. I thashë: “Jo Juli, se kaluan tani festat”. Buzëqeshi dhe më pas po qëndronte sipër një kompjuteri, ku priste të ulej.


Po më pas çfarë ndodhi?


Dëgjova një zë nga jashtë që e thirri në emër. Unë isha me shpinë nga rruga, pasi kompjuteri ku unë ulem është në hyrje të qendrës së internetit. Dëgjova një zë, që me sa kuptova, ishte më i madh se Juliani.


Juliani u largua nga qendra e internetit?


Po, u largua menjëherë. Si duket do ta ketë njohur këtë person, pasi reagimi i tij të linte të kuptoje se e njihte. Pasi doli jashtë unë nuk u ktheva dhe vazhdova punën normalisht.


Si e morët vesh për zhdukjen e tij?


Më kanë ardhur familjarët e tij, veçanërisht babai, që më kërkoi nëse Juliani ndodhej apo jo në këtë qendër interneti. I thashë se nuk ndodhet, por ka qenë më parë, rreth orës 16:00 të së premtes. I tregova edhe nja dy shtëpi të shokëve të djalit, ku baballarët e tyre ishin jashtë Shqipërisë, pasi mendova se mund të flinte te këta persona. Skënderi më tha se ka shkuar te këto shtëpi dhe nuk e ka gjetur.


Policia ju ka marrë në pyetje?


Kanë ardhur inspektorët e krimeve dhe më kanë pyetur për të gjitha detajet, që nga ardhja e djalit e deri te personi që i ka thirrur. U thashë të gjitha ato që ju tregova. Edhe unë, si nënë, kërkoj që të gjendet sa më shpejt. S.Çobo