Nuk ndizet kaldaja në parashkollorë. Bashkia: Kemi blerë naftë sa për t’u ngrohur 4 orë në ditë


Muça: Sistemin e ngrohjes në kopshte e çerdhe e kemi çelur më 15 nëntor


Janë në proces edhe pesë parashkollorë për t’u pajisur me sistem kaldaje


Lorina Mixha


Në disa nga kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit nuk është ndezur sistemi i kaldajës. Fëmijët janë ngrohur me kondicioner ose me ngrohës në mungesë së çeljes së ngrohjes qendrore. Sobat e gazit nuk mund të vendosen në punë, sipas një urdhri të Drejtorisë së Higjienës, për të gjitha moshat parashkollore.


Bashkia e Tiranës, drejtoria që kujdeset për punët e qytetit ka deklaruar për gazetën “Shqip” se karburanti i nevojshëm është siguruar për të gjitha kopshtet, çerdhet dhe shkollat që kanë kaldajë për muajin dhjetor por edhe për muajin janar. Pritet miratimi i buxhetit për vitin 2013 dhe menjëherë pas kësaj do të bëhet edhe tenderimi për blerjen e karburantit për pjesën tjetër të vitit.


Prindërit e fëmijëve në çerdhe e kopshte thonë se në disa nga institucionet parashkollore, nuk është ndezur kaldaja, por kjo nuk pohohet nga autoritetet vendore.


Ato çerdhe dhe kopshte që nuk kanë kaldajë ngrohen me rezistenca me korrent ndërsa prej disa vitesh, ngrohja me pajisje me gaz nuk përdoret më pas urdhrit të lëshuar nga Drejtoria e Higjienës.


Kështu, nëse në disa zona mungon energjia elektrike, ata duhet të presin kthimin e rrymës për të hapur rezistencat e ngrohjes.


Kaldaja


Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, kaldaja, sistemi i ngrohjes në institucionet publike hapet më datë 15 nëntor deri më 15 dhjetor, për tre muaj. “Sistemin e ngrohjes në kopshte e çerdhe e kemi çelur më 15 nëntor, me karburantin e blerë drejtoritë kanë mundësi të hapin sistemin deri në katër orë brenda ditës. Nafta është siguruar deri në fund të dhjetorit, më pas do të presim edhe miratimin e buxhetit për të kryer blerjet e sasive të tjera të karburantit”, sqaroi drejtorisë nr. 3 të punëve të qytetit, Alfons Muça. Sipas tij, pas miratimit të fondit për pushtetin vendor janë në proces edhe pesë parashkollorë për t’u pajisur me sistem kaldaje.


Sistemin e ngrohjes qendrore do ta kenë edhe të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, përveç kopshteve dhe çerdheve.


Sipas bashkisë së kryeqytetit, shkollat e rikonstruktuara dhe që janë përfshirë në rehabilitime të pjesshme apo të plota kanë edhe sistem kaldaje, ndërkohë që në shkollat e vjetra ngrohja vijon të jetë me energji elektrike, faturën e së cilës e paguan drejtoria e shkollës me fondet e institucionit.


Materialet e riciklueshme


Brenda një viti në shkollat e arsimit parauniversitar, në çerdhe e kopshte do të ketë ngrohje qendrore për të gjithë. Por sistemi i ngrohjes në këtë rast nuk do të jetë as me naftë e as me gaz. Një projekt i fundit i Bashkisë së Tiranës, i cili ka nisur të mendohet për t’u zbatuar në vitin e ri shkollor, 2013-2014, do të mundësojë ngrohjen në institucionet arsimore, por me materiale të riciklueshme. Në rastin më të mirë, kjo lloj ngrohje njihet si ngrohje me material tallashi. Propozimi për këtë nismë është dhënë në fillim të vitit shkollor nga drejtoria e punëve të qytetit në Bashkinë e Tiranës.


“Ne po e bëjmë këtë investim të vonuar e të munguar, tërësisht me fondet e Bashkisë së Tiranës, po e bëjmë duke përdorur një teknologji, e cila mundëson ngrohjen e hapësirave parashkollore, çerdheve, kopshteve dhe shkollave, me një kosto sa gjysma e asaj që është përdorur deri më sot, duke zëvendësuar karburantin e djegshëm me materiale të riciklueshme (peletat) dhe në këtë mënyrë i shërbejmë edhe ambientit, por i shërbejmë edhe me një kosto më të ulët, duke përdorur me më shumë ‘nikoqirllëk’ paratë e taksapaguesve të kryeqytetit”, tha pak kohë më parë kryebashkiaku Basha.


 


Materialet – Një projekt i fundit i Bashkisë së Tiranës, i cili ka nisur të mendohet për t’u zbatuar në vitin e ri shkollor, 2013-2014, do të mundësojë ngrohjen në institucionet arsimore, por me materiale të riciklueshme