Studimi


Numri mesatar i spermatozoideve mes meshkujve francezë ka rënë me një të tretën mes viteve 1989 dhe 2005, vëren një studim i ri i raportuar nga BBC. Matjet mes 26 mijë burrave francezë u analizuan në studim dhe u raportuan në gazetën për Riprodhimin Njerëzor. Numri i miliona spermatozoideve për mililitër ka rënë me 32 për qind, ose me një normë vjetore prej 1.9 për qind. Përqindja e spermatozoideve me formë normale ka rënë me 33 për qind.


Densiteti mesatar mbetet brenda fashës së fertilitetit, por ekspertët kërkojnë që më shumë studime të kryhen mbi shkaqet e mundshme. Në studimin e tyre, një prej auroreve, Joelle De Moal, një epidemiologe e shëndetit mjedisor, tha: “Për aq sa kemi njohuri, ky është studimi i parë që del në konkluzionin se gjatë dekadave të fundit ka pasur një rënie të konsiderueshme në numrin e spermatozoideve në të gjithë vendin. Kjo përbën një problem të rëndë për shëndetin publik”, tha ajo.


Por Allan Peacey, profesor i andrologjisë në Universitetin e Shefildit tha: “Ndryshimi i përqendrimit të spermatozoideve, nga 73.6 në 49.9 milionë për mililitër [mesatarja për meshkujt 35 vjeç] është ende brenda normave të zakonshme dhe shumë mbi kufirin kur mund të krijohet një shqetësim për infertilitet mashkullor. Ky kufi është 15 milionë për mililitër”.


Ka pasur shumë debat gjatë 20 viteve të fundit nëse cilësia e spermës ka rënë, dhe kërkimet mbështesin të dyja anët e debatit. Studimi i fundit tregon se një në pesë meshkuj ka probleme me infertilitetin.


Richard Sharpe, nga universiteti i Edinburgut tha: “Diçka në stilin tonë modern të jetesës, dieta apo ambienti, si ekspozimi ndaj kimikateve, po e shkakton këtë gjë. Ne ende nuk e dimë se kush janë faktorët më të rëndësishëm por ka shumë gjasa që të jetë një kombinim i dietës me shumë yndyrë dhe rritjes së ekspozimit mjedisor ndaj kimikateve”.