Pastrimi i parave
Migert Tafës, i dënuar në vitin 2009, iu sekuestrua një hotel, një dyqan dhe një zyrë
44-vjeçari, tashmë i liruar nga burgu, ndiqet penalisht për pastrim të produktit të veprës penale
Rreth 1 milion euro prona janë sekuestruar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se pasuria është vënë nga trafiku i drogës. Bëhet fjalë për pronat e Migert Tafës, i arrestuar në vitin 2009 për trafik droge, ndërsa aktualisht ka fituar lirinë, të cilën do ta gëzojë pa pasurinë e tij. Hetimi për pasurinë e 44-vjeçarit, i cili ka vuajtur dënimin 4 vjet e 8 muaj burg dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda, ka nisur disa muaj më parë nga Pastrimi i Parave në policinë e kryeqytetit, ndërsa dje është vendosur sekuestro e pasurisë së tij, pasi dyshohet se ajo është vendosur para se ai të arrestohet. Tashmë, atij i mbetet të vërtetojë se këtë pasuri nuk e ka bërë me paratë e drogës, ndryshe ai do të vuajë dënimin edhe për pastrim të produktit të veprës penale të konsumuar vite më parë.
Në lidhje me sekuestron e vendosur nga gjykata, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Tefik Sulejmani, bëri me dije se krimi Ekonomik Financiar së bashku me Task-Forcën, në sajë të operacionit të koduar “Tirona” bëri sekuestrimin e një hoteli trekatësh, me emrin “Hotel Tirona”, i cili ndodhet në periferi të kryeqytetit. “Gjithashtu, policia ka sekuestruar një dyqan në emër të Migert Tafës dhe një ambient i përdorur si zyrë”, tha Sulejmani. Ndërkaq, burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se të gjithë pasurinë e lartpërmendur dyshohet se ai e ka vendosur me të ardhurat që ka siguruar nga aktiviteti kriminal, atë të trafikimit të lëndëve narkotike. Nga kjo akuzë, Tafa është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 4 vjet e 8 muaj burg. Përveç këtij dënimi, organet e drejtësisë kërkuan që të sekuestrohen të gjitha pasuritë e tij, që dyshohen se janë me origjinë kriminale. Pas dhënies së këtij vendimi, uniformat blu nisën intensivisht hetimin e së gjithë pasurisë së Migert Tafës. Verifikimi i të gjitha aseteve, në emër të këtij personi, ka nisur në muajin mars të këtij viti dhe ka përfunduar në dhjetor. Pasi janë identifikuar të gjitha objektet që Tafa kishte regjistruar në emër të tij, specialistët janë mbledhur për të bërë një analizë të hollësishme financiare. Nga ky proces rezultoi se vlera e aseteve të Migert Tafës kapte shifrën e 1 milion eurove. Pas kësaj, strukturat e luftës kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit dërguan dosjen në prokurori, ndërsa gjykata vendosi sekuestron për të gjithë pasurinë e Migert Tafës. Tashmë ai ndiqet penalisht për veprën penale “të pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe nëse i vërtetohet kjo akuzë, ai do t’i rikthehet burgut, dhe do humbasë të gjithë pasurinë. Sipas ligjit Antimafies i duhet të vërtetojë nëse kjo pasuri është vendosur në mënyrë të rregullt dhe jo nga paratë e trafikut të drogës për të shpëtuar nga konfiskimi pronat e tij. Autoritetet e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se po vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të 44-vjeçarit, me qëllim vendosjen e sekuestros, në kuadër të këtij procedimi penal.
S. Muça