Intervista
Eksperti i BE: Precedenti me Moldavinë është i qartë, u ndërpre procesi
Fatjona Mejdini
Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali deklaron se në rast se Shqipëria do të niste procedurat për dhënien e shtetësisë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht vendit të banimit, kjo do të rrëzonte marrëveshjen e liberalizimit të vizave me Bashkimit Europian. Në një intervistë për “Shqip”, eksperti për çështjen europiane sqaron se përgjatë kohës kur marrëveshja e liberalizimit të vizave është negociuar me Shqipërinë, KE ka kërkuar që pala shqiptare të ishte rigoroze në procesin e dhënies së shtetësisë dhe ta bënte këtë mbi baza të vendbanimit dhe shumë elementeve të tjerë. Sipas Gjipalit, në rast se rregullat në këtë bllok do të ndryshonin, atëherë Shqipërisë i duhej ta rinegocionte dhe një herë marrëveshjen për lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”. Gjipali thekson se BE ka disa raste të ngjashme gjatë historisë së negociatave me vendet për lëvizjen e lirë. Eksperti përmend këtu rastin e Rumanisë me dhënien e shtetësisë për qytetarët e Moldavisë dhe atë të Serbisë për sa u përket serbëve që jetojnë në territorin e Kosovës.
Z. Gjipali, si e gjykoni deklaratën e Kryeministrit Berisha për marrjen e shtetësisë shqiptare të të gjithë qytetarëve që e kanë këtë origjinë por jetojnë jashtë vendit, në kuadër të marrëveshjes së liberalizimit të vizave që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Europian?
Ideja e fundit e Kryeministrit Berisha për dhënien e shtetësisë gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë mund të hapë disa probleme nëse vërtet do të zbatohet në praktikë. Regjimi i udhëtimit pa viza në vendet “Schengen” është negociuar duke u bazuar tek legjislacioni aktual për dhënien e shtetësisë. Në Udhërrëfyesin e Komisionit Europian, Blloku 4, kërkohej që Shqipëria të “specifikonte kushtet dhe rrethanat për marrjen e shtetësisë shqiptare”. Qeveria shqiptare, nga ana e saj, ka garantuar që kushtet janë të njëjta për cilindo shtetas dhe bazuar tek rezidenca në Shqipëri për një periudhë të përcaktuar qartë. Ndryshimi i këtyre kushteve do të kërkojë rinegocim me Komisionin e vendet anëtare.
A ka pasur situata të ngjashme në Bashkimin Europian dhe cilat kanë qenë zgjidhjet?
Duhet thënë se çështja e dhënies së shtetësisë si pengesë për lëvizjen pa viza në hapësirën “Schengen” nuk është një problematikë e re. Rumania kur po ndërmerrte masa për të përfituar nga lëvizja pa viza në vitin 2001, u detyrua nga BE-ja të ndërpresë menjëherë dhënien e shtetësisë për qytetarët moldavë ndonëse deri dy vjet më parë, kishte dhënë 300 deri në 500 mijë shtetësi.
Po për sa i përket vendeve të rajonit, të cilat gëzojnë të njëjtën marrëveshje si ne për liberalizimin e vizave, cilat kanë qenë rastet?
Një tjetër çështje e lidhur me regjimin pa viza ishte rasti i Serbisë, ku pajisja me pasaportë biometrike për shtetasit me vendqëndrim në Kosovë bëhet nga një autoritet i posaçëm, si dhe me kushtin që ata nuk përfitojnë nga ky regjim. Gjithsesi kjo zgjidhje u gjet për një situatë ekzistuese ndërsa në një situatë tjetër, kur rregullat ndryshohen pas rënies dakord, opsionet që mund të pranohen nga BE-ja do të ishin edhe më të kufizuara.
Dokumenti – Në Udhërrëfyesin e Komisionit Europian, Blloku 4, kërkohej që Shqipëria të “specifikonte kushtet dhe rrethanat për marrjen e shtetësisë shqiptare”
Garantimi – Qeveria shqiptare ka garantuar që kushtet janë të njëjta për cilindo shtetas dhe bazuar tek rezidenca në Shqipëri për një periudhë të përcaktuar qartë.
Mustafaj – Këtë nuk e ka bërë as Greqia e as Maqedonia fqinje me minoritetet e tyre në Shqipëri, jo se janë më pak nacionalistë se ne, por sepse ky nuk është një akt i zgjuar kombëtar. Ta kthejmë këtë në një valle të hapur, më duket kundër interesave kombëtare. Zona të banuara me shqiptarë si Presheva, Plava dhe Gucia, mund të zbrazen më shumë. Nëse zbatohet një projekt i tillë, do t’i shërbente spastrimit etnik
Bushati – Çështjet e shtetësisë dhe ligjit për shtetësinë, ajo e dhënies së pasaportave, kanë kaluar nën një mbikëqyrje të imët nga BE para se shqiptarët të udhëtonin pa viza në zonën “Schengen”. Kjo do të thotë se çdo shmangie nga kontrata ekzistuese duhet të marrë miratimin e BE-së. Nëse Shqipëria vepron ndryshe, kjo mund të rrezikojë lirinë e vizave
Prishtinë
Bum kërkesash për pasaporta në ambasadën tonë në Kosovë
Propozimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për ndryshimin e ligjit për shtetësinë, i cili do t’u mundësonte shqiptarëve jashtë kufijve të marrin nënshtetësinë shqiptare automatikisht, ka ngjallur reagime në Prishtinë. Sipas “Top Channel”, shumë shtetas kosovarë mësynë dyert e ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, jo thjesht për të aplikuar, por me dëshirën për t’u pajisur në mënyrë të menjëhershme me pasaportë shqiptare. Telefoni i konsulles shqiptare, Lorena Gjana, nuk pushon nga qytetarët, të cilët kërkojnë shpjegime rreth marrjes së shtetësisë. Gjana, fillimisht sqaroi për opinionin vizitën e zyrtarëve të Lëvizjes për Bashkim, të cilët sipas saj thjesht kanë vazhduar simbolikën e 28 Nëntorit. “Këto aplikacione janë të pavlefshme, pasi për marrjen e nënshtetësisë shqiptare duhet të plotësohet një dosje specifike për këdo. Bëhet fjalë vetëm për një listë emrash, që i janë komunikuar ambasadës se janë të interesuar për marrjen e nënshtetësisë, por nga ambasada dhe autoritetet shqiptare konsiderohen si aplikacione të pavlefshme, pasi nuk shoqërohen me dokumentet përkatës”, deklaroi konsullja shqiptare. Këtë vit, sipas konsulles shqiptare janë plotësuar vetëm pesë aplikacione, nëpërmjet ambasadës apo në mënyrë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
“Kryesisht, janë shtetas që kanë kryer martesa me shtetas shqiptarë dhe kushtet për marrjen e nënshtetësisë kështu janë më të lehta. Ata që kanë fituar pasaportën, kanë plotësuar më parë të gjitha kushtet për marrjen e shtetësisë”, deklaroi Gjana.