Anëtarët e familjes në Tiranë kanë pësuar djegie dhe fraktura të ndryshme në trup


Silvana Muça


Katër persona, ku tre prej tyre i përkasin së njëjtës familje, janë djegur si pasojë e flakëve të zjarrit që ka shpërthyer në një vilë katërkatëshe në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e familjes Qefalia pasditen e së mërkurës, në vendin e quajtur lagjja e Çollakëve, pranë Farkës së Vogël.


Familja


Personat që janë dëmtuar nga kjo ngjarje, e cila paraprakisht dyshohet që të jetë aksidentale, janë Ilir dhe Dorina Qefalia, burrë e grua, përkatësisht 37 dhe 29 vjeç, vajza e tyre, Armela 8-vjeçare dhe një vogëlush, emri i të cilit nuk bëhet me dije. Sipas mjekëve, 37-vjeçari ndodhet në rrezik për jetën. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai është djegur në masën 80 për qind të trupit dhe ndodhet në reanimacion. Ndonëse mjekët po i bëjnë terapi intensive, gjendja paraqitet shumë e rëndë për kryefamiljarin. Ndërsa për të plagosurën tjetër, Dorina Qefalia, burimet nga policia dhe zjarrfikësit bëjnë me dije se ka rënë nga kati i tretë dhe nuk ka plagë të shkaktuara nga djegia. Ajo është nisur direkt në Qendrën e Traumës, pasi dyshohet se ka probleme me thyerjen e kockave dhe gjendja psikologjike e saj paraqitet e rënduar. Situata nuk paraqitet e mirë as për 29-vjeçaren dhe ende nuk dihen pasojat që i janë shkaktuar nga rënia e saj, nga kati i tretë i banesës. Ndërkaq, e dëmtuar ka mbetur edhe 8-vjeçarja, e bija e çiftit. Sipas mjekëve, nga spitali i djegieve, ajo është djegur në masën 25 për qind të trupit. Specialistët e djegieve nuk mund të thonë nëse vajza ka dalë nga rreziku për jetën apo jo. Gjendja e saj do të vlerësohet pas 48 ose 72 orësh, pasi mikrobet nisin që të reagojnë në trup, duke provokuar vatra infeksioni, pasi aktualisht ato janë të djegura prej zjarrit. Babai dhe vogëlushja kanë në trup plagë të rënda dhe mjekët nuk mund të japin një konkluzion të saktë për shëndetin e tyre. Specialistët, pasi kanë vlerësuar gjendjen shëndetësore të të miturit, i cili nuk ka pasur plagë të shkaktuara nga zjarri, kanë vendosur që ta dërgojnë në shtëpi. Ende nuk dihet arsyeja e prezencës së vogëlushit në banesën e familjes Qefalia. Kanë qenë banorët e zonës ata që i kanë dërguar të lënduarit drejt qendrës spitalore “Nënë Tereza”, me mjete të rastit. Fqinjët nuk kanë pritur ardhjen e ambulancës, por janë munduar që të shpëtojnë jetët e katër personave, duke i transportuar në mënyrë individuale.


Zjarrfikësit


Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e zjarrfikëses për të bërë të mundur izolimin e më pas shuarjen e flakëve, që kishte përfshirë të gjithë godinën katërkatëshe. Fillimisht drejt vendit të ngjarjes është dërguar vetëm një mjet, por duke parë që gjendja kishte dalë jashtë kontrollit, u kërkua ndihmë edhe për dy mjete të tjera. Të gjithë aksionin e shuarjes së zjarrit e ka ndjekur nga afër kreu i Shërbimit Zjarrfikës, Dilaver Laçi, i cili deklaroi se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia dhe se ngjarja dyshohet të jetë aksidentale. Laçi thotë se punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë gjetur një bombol gazi të hapur, e cila dyshohet që të ketë provokuar edhe shpërthimin e fuqishëm të zjarrit në banesë. Po sipas kreut të zjarrfikëses, bombola e gazit ka qenë e vendosur në një prej dhomave të vilës së katit të tretë. Rrjedhja e gazit në një kohë të gjatë ka shkaktuar ngopjen e ambientit me këtë element të rrezikshëm. Sipas tij, ka mjaftuar vetëm ndezja e dritës elektrike që të shpërthente zjarri. Po sipas tij, Dorina Qefalia dyshohet të ketë rënë nga kati i tretë i banesës nga presioni i shpërthimit. Ndërkaq, vajza dhe bashkëshorti i saj Iliri, janë gjetur në dhomë nga zjarrfikësit. Po sipas të njëjtit burim, ndërtesa e familjes Qefalia është e distancuar nga shtëpitë e tjera të zonës përreth dhe për pasojë ndihma për të lënduarit ka qenë disi e vonuar nga fqinjët. “Ndonëse ne jemi munduar që të vijmë me shpejtësi, distanca nga drejtoria deri këtu, është mjaft e konsiderueshme. Nëse do të ishim më afër, do të ndërhynim edhe më shpejt”, citoi Laçi. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe uniformat blu. Ata kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjithsesi ende nuk ka dalë një konkluzion përfundimtar. Përveç dëmeve në njerëz, shpërthimi i zjarrit ka shkaktuar edhe dëme materiale. Pjesa dërrmuese e mobilieve është shkrumbuar.