Kryeministri Berisha ka folur sot në konferencën e parë Ndërkombëtare Arsimore të Shqipërisë ku ka theksuar se me rëndësi për zhvillimin e arsimit ka rritja e cilësisë së mësimdhënies në arsimin universitar si dhe zhvillimi i gjuhëve të huaja të dyta në shkollat e vendit, ku ka veçuar mësimin e gjuhës kineze, e cila sipas tij është gjuha e shkencës dhe teknologjisë në ditët e sotme.


“Përballë rritjes së menjëhershme të ekonomisë dhe shkencës kineze, është e kuptueshme që e gjithë bota është gjendur e papërgatitur për të përballuar këtë shpërthim. Megjithatë, literatura dhe informacioni që botohet në ditët e sotme në këtë gjuhë është i pallogaritshëm. Prandaj, në kuadrin e rritjes së rëndësisë së gjuhëve të dyta, përkrah anglishtes, në të gjithë vendin, duhet të merren masa për përfshirjen sa më të efektshme dhe të shpejtë të kinezçes në mësimdhënie”, tha kryeministri.


Berisha theksoi se arsimi mbetet një nga problemet më themelore të shoqërisë dhe të vendit dhe se në qendër të reformës në këtë fushë do të vihet mësuesi, për të cilin sipas tij, nuk do të mungojë mbështetja nga ana e qeverisë.


“Çështja e arsimit mbetet problemi më serioz për çdo qytetar çdo shoqëri të qytetëruar dhe çdo qeverie. Çdo qëndrim ndaj edukimit të brezave është qëndrim ndaj të ardhmes dhe asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen sesa qëndrimi ynë i sotëm ndaj shkollimit të të rinjve. Qeveria ka shpallur publikisht edukimin si përparësia e të gjitha përparësive dhe për të mbështetur këtë përparësi unë kam kënaqësinë t`ju informoj se buxheti për këtë sektor jetik për zhvillimin e vendit së bashku me sektorin privat nga 2005-2012 është dyfishuar”, – tha Berisha.


7 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)