Tushja e Gërdecit


Silvana Muça


Tushe OsmaniTushe Osmani, nëna fatkeqe, të cilës i vdiq vajza në Gërdec, e vetëm pak kohë më vonë burri vrau veten nga dhimbja për humbjen e së bijës, i dha fund jetës duke lënë pas një mal me borxhe. Veç dhimbjes së pashuar për vajzën, burrin dhe tentativave për të rritur mbesën jetime, Kristin e vogël, tashmë asaj i ishin shtuar edhe hallet financiare. Të gjitha fatkeqësitë dhe hallet, të mbledhura si një lëmsh që nuk e linin të merrte frymë, duket se e kanë shtyrë Tushen 50-vjeçare, që me një grusht ilaçe të ikte nga kjo botë, me qëllim për të shuar dhimbjen.


Fqinjët e njihnin të gjithë, ia dinin hallin, e asnjë prej tyre nuk ia mohonte ushqimet dhe nevojat e tjera më jetike, edhe pse ajo nuk kishte para. U vinte keq, pas gjithë atyre halleve që i kishin rënë mbi shpinë. “Tushes i kanë rënë për pjesë shumë fatkeqësi. Vajza që sapo ishte martuar, vdiq në Gërdec prej shpërthimit, pas një viti i shoqi, Kujtimi, u vetëhelmua, sepse nuk e duroi dot vdekjen e së bijës. Mbesa e vogël, Kristi, e cila mbeti jetime që prej vdekjes së Resmijes, i mbeti Tushes për ta rritur”, tregojnë fqinjët. Tushe Osmani jetonte në katin e katërt të një pallati pesëkatësh në Bashkinë e Vorës. Aty nuk ndodhej njeri, pasi ceremonia mortore është zhvilluar në Tiranë, nga të afërmit e viktimës. Fqinja e katit të pestë thotë që për herë të fundit e ka parë 24 orë para vdekjes. “Dje në mëngjes erdhën ata të elektrikut dhe Tushja doli për t’u dhënë lekët e dritave. E shkreta, nuk dihet se ku i ka gjetur borxh paratë, se në shtëpinë e saj nuk punon njeri. Ishte vetë e gjashta dhe nuk kanë bukë për të ngrënë. Kur bisedonte me ata të elektrikut, m’u duk në humor të mirë. Asnjëherë nuk më shkoi mendja se do të vriste veten”, tregon ajo. Viktima jetonte në shtëpi me djalin, nusen dhe fëmijën e tij, vjehrrin dhe mbesën jetime. Tushja kudo që shkonte, nuk e ndante Kristin nga vetja. Ajo po zbatonte me përpikëri amanetin e lënë nga e bija, amanet të cilin 50-vjeçarja e mbajti deri në vdekje.


Ajo njihej në zonë si një grua e fortë, e cila pavarësisht tragjedive që i kishin ndodhur në shtëpi, mundohej që të mbante të bashkuar pjesën tjetër të familjes. Tushes i duhej që të punonte shumë, për të mbajtur me bukë familjen, por kohët e fundit, situata ishte bërë edhe më e vështirë. Ajo kishte mbetur pa punë. Edhe djali i viktimës, i cili punonte si bojaxhi, kohët e fundit nuk kishte arritur të gjente asnjë mundësi për të çuar para në shtëpi. Leta, shitësja e fruta-perimeve, thotë se situata në shtëpinë e viktimës ishte bërë shumë e vështirë. “Në një dyqan ajo ka 400 mijë lekë borxh. Eh sa njerëz më kanë thënë se Tushja u ka lënë shumë borxhe. Tregtarët i jepnin se i donte për të mbushur barkun me bukë. Ishte krim i madh që t’ia mohoje një gjë të tillë. Pavarësisht lekëve, të gjithëve na ka ardhur keq për atë të shkretën. I biri nuk gjente dot punë, ajo kishte ca kohë që s’punonte. Në shtëpi janë shumë veta dhe ata duan të hanë. Vjehrri i saj është afërisht tek 90-at. Mbesën që mbeti jetime, që pas vdekjes së të bijës, nuk ka se kush të kujdeset. Thonë se Kristin do ta marrë përsipër e ëma e Tushes për ta rritur”, tregon Leta, fqinja e viktimës. Ndër të tjera, Leta tregon zemërim edhe ndaj indiferencës së shtetit, të cilët nuk u munduan që t’i gjenin një punë asaj apo të birit. “Mirë që shteti i shkaktoi dy viktima, se edhe për vdekjen e Kujtimit, shteti është fajtor, të paktën t’u kishte siguruar mbijetesën. Morën ca lekë, prej vdekjes së të bijës, por nuk u mjaftuan. Ishin shumë pak. Qeveria duhej t’u siguronte një burim të ardhurash të përmuajshme, në mënyrë që ata të jetonin si njerëz, e jo të vuanin për bukën e gojës. Tushja punonte pastruese në një shtëpi, por e hoqën dhe mbeti keq pastaj. Jo se ato lekë e ndihmonin shumë, por të paktën ishin diçka”, vijon fqinja.


Tushe Osmani nuk arriti që të mbyllte plagët e shkaktuara që në mars të 2008-s, kur vajza e saj, Resmija, humbi jetën pas plagëve të marra në shpërthimin e Gërdecit. Nga kjo ngjarje e rëndë nuk u dënua askush. Të gjithë familjarët e 26 viktimave kanë mbetur të zhgënjyer dhe të zemëruar prej drejtësisë së munguar. Në një gjendje të tillë ndodhej edhe Tushja. Pas një viti bashkëshorti i saj, përveç depresionit që po përjetonte prej humbjes së të bijës, pushohet edhe nga puna në Bashkinë e Vorës, me motivacionin “thyerje e disiplinës në punë”. Ai kishte nisur pijen, duke u kthyer në një të alkoolizuar. Vdekja e vajzës, humbja e punës dhe varfëria ekstreme e çuan Kujtim Osmanin drejt vetëflijimit, duke pirë helm. Tushja u përpoq që të mblidhte të gjitha forcat për të rritur mbesën jetime dhe të kujdeset për familjarët e tjerë, por… nuk ia ka dalë.