Qeveria e Ukrainës mashtrohet nga investitori i rremë


Një njeri duket se ia ka dalë të mashtrojë qeverinë e Ukrainës duke u paraqitur si përfaqësues i një kompanie të madhe spanjolle, e interesuar për të ndërtuar një impiant për degazifikimin e gazit të lëngshëm në brigjet e Detit të Zi. Marrëveshja u përshëndet si historike për Ukrainën. Ajo kapte vlerën 1 miliard dollarë dhe besohej se do të shpëtonte këtë vend nga varësia e gazit të Rusisë. Marrëveshja u nënshkrua me ceremoni pompoze më 26 nëntor në emër të kompanisë spanjolle të gazit natyror “Gas Natural”. Në ceremoni mori pjesë Kryeministri i vendit dhe ministri i Energjisë. Por kompania spanjolle njoftoi pak më vonë se nuk kishte të bënte fare me konsorciumin e paraqitur si investitor potencial.


Tashmë autoritetet po përpiqen të gjejnë identitetin e vërtetë dhe rolin e një njeriu që fliste spanjisht dhe që kishte nënshkruar në emër të kompanisë, një tullac me pak mjekër poshtë buzës dhe që njihej si ndërmjetësues i fortë biznesi mes Spanjës dhe Ukrainës. Ai u identifikua si Jordi Sarda Bonvehi, 43 vjeç, një instruktor skish nga Barcelona i kthyer në biznesmen. Por kompania spanjolle e gazit deklaroi se personi në fjalë nuk punonte për kompaninë.


Bonvehi duket se rrëshqiti pas ceremonisë, u largua nga vendi dhe nuk dihet se ku është. Duke folur përmes celularit me “Reuters”, një njeri që e identifikoi veten si Bonvehi pranoi se nuk ishte autorizuar për të firmosur për kompaninë spanjolle. “Mendova se mund të firmos dhe pastaj të bie dakord me kompaninë”, tha ai.


Përveç marrëveshjes për gazin, personi në fjalë mësohet se ka diskutuar me disa bashki në Ukrainë për projekte për riciklimin e mbetjeve. Kompania spanjolle “Gas Natural” është një operator i madh i impianteve të gazit natyror në Egjipt dhe Katar dhe thotë se ka hartuar një studim me inxhinierët e saj për llogari të Ukrainës mbi mundësinë e ndërtimit të një impianti të tillë në këtë vend por ky studim nuk nënkupton pjesëmarrje në një kontratë ndërtimi.


Në një deklaratë për shtyp pas firmosjes, agjencia ukrainase e investimeve fillimisht e identifikoi firmosësin spanjoll si drejtorin ekzekutiv me emrin Jordi Garcia Tabernero.


Kompania spanjolle e përgënjeshtroi njoftimin duke thënë se drejtori i komunikimit i kësaj kompanie me të njëjtin mbiemër, nuk ka qenë në Ukrainë kur u firmos kontrata por në zyrën e tij në Barcelonë.


Arsyet që e kanë çuar Bonhevin të sillet në këtë mënyrë mbeten të paqarta. Ukraina thotë se nuk ka humbur para nga incidenti, gjë që përjashton përfitimin financiar si një motiv të mundshëm.