Miliarderi


John McAfee, themeluesi i programit kompjuterik kundër viruseve që mban emrin e tij, u arrestua në Guatemala i akuzuar se ka kaluar kufirin ilegalisht. Ai e kapërceu kufirin nga Belize për të kërkuar strehim politik pasi ka qenë i kërkuar në Belize ku policia po heton vdekjen e një fqinji të tij. Zyrtarët në Belize thonë se pionieri i programeve kompjuterike është “një person me dijeni” mbi ngjarjen e vrasjes së një biznesmeni nga Florida më 11 nëntorin e kaluar, me të cilin McAfee ishte fqinj në një lagje luksoze në ishull. Belize nuk ka ngritur akuzë ndaj tij. Vetë McAfee thotë se ndjehet i persekutuar nga policia dhe se për këtë arsye u arratis nga Belize.


Ministri i Brendshëm i Guatemalës tha se McAfee u arrestua në një hotel luksoz në kryeqytet. McAfee deklaroi para pak ditësh se qe maskuar për të kapërcyer kufirin nga Belize dhe ka punësuar një avokat në Guatemala për të kërkuar strehim politik. 67-vjeçari tregoi se ka lyer flokët dhe mjekrën si dhe ka mbushur gojën me çamçakëz për t’u dukur më i shëndoshë, si pjesë e planit të maskimit për t’i shpëtuar policisë së Belizesë. McAfee ka pasur një jetë ekscentrike që kur shiti kompaninë e tij herët në vitet ‘90, duke u bërë milioner.