Muzeu Historik i Forcave të Armatosura përmban më shumë se njëmijë objekte muzeore, ku dallohen pisqolla që nga Mesjeta deri në shek XIX dhe mbajtëse baruti, të punuara në argjend, kobure të dekoruara me ar e argjend, një sërë vitrinash me pushkë të llojeve të ndryshme të Mesjetës, të Rilindjes, shpata të kohës së Skënderbeut, tejqyra e Ali Pashë Tepelenës etj


Nga Skënderbeu e Ali Pashë Tepelena, deri në vitet ’90 


Oliverta Lila


Një muze i ri i është shtuar këto ditë Tiranës. E dallon fakti që i kushtohet armëve të përdorura nga shqiptarë ndër shekuj. I ngritur në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (ish- Shkolla e Bashkuar) me rastin e 100-vjetorit të themelimit të ushtrisë, Muzeu Historik i Forcave të Armatosura do të jetë së shpejti i hapur për publikun e gjerë. Nuk ka ende një biletë dhe orar të përcaktuar qartë, por tashmë çdo gjë është e ekspozuar. Vendndodhja e muzeut dallohet nga armatimet e rënda të vendosura në oborrin përreth. Avionë, helikopterë, tanke, maket katërsiluruesi, artileri tokësore, kundërajrore të kalibrave të ndryshëm, si dhe mjete transporti po të llojeve të ndryshme. Teksa hyn brenda, në të majtë dhe të djathtë të një korridori të vogël shtrihen dy pavijonet kryesore: pavijoni i epokës historike 1470-1945 dhe pavijoni i viteve 1945-1990. Në katin e dytë të tij paraqiten pjesë nga uniformat e përdorura në vite nga Forcat e Armatosura deri tek uniformat më të reja. Pavijoni i parë, përveç vlerave historike, është edhe një dëshmi e artizanatit shqiptar në këtë fushë. Gjejmë aty pisqolla që nga Mesjeta deri në shek. XIX dhe mbajtëse baruti, të punuara në argjend, kobure të dekoruara me ar e argjend nga shqiptarët, përdorur në shek XVII-XIX, një sërë vitrinash me pushkë të llojeve të ndryshme të Mesjetës, të Rilindjes, pushkë “Karajfile” të vitit 1878, një top i përdorur nga Tafil Buzi, gjyle të përmasave të mëdha, por edhe një kolazh i madh i vendosur në mes të sallës me fotografi të Marubit ku tregohen burrat e hershëm me pushkë në dorë. Bejtash Duduni, specialist i këtij muzeu të ri, teksa bën një guidë në muze, ndalet në eksponatet që lidhen me personazhe të njohura historikë. Në një nga vitrinat ndalet te një topuz prej druri dhe thotë se është i kohës së Skënderbeut. E kanë marrë nga muzeu i Krujës. Në një vitrinë ku disa pisqolla, ndalet dhe thotë se tejqyra në cep i përket Ali Pashë Tepelenës, edhe pse në tabelën informuese nuk është shënuar ky detaj. Ndër ambiente të veçanta të krijuara me këtë muze, ndalemi te dhoma e Skënderbeut, ku në mes ndodhet një vitrinë ku dallohet një shpatë veneciane, një shpatë gjermane “ujku turret” që mendohet se mund të jetë përdorur në betejën e Sfetigradit dhe një topuz i shekullit të XV. Duduni thotë se i përkasin të gjitha kohës së Skënderbeut. Këto relike janë marrë nga muzetë etnografikë dhe të armëve në Gjirokastër, Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Elbasan etj. Një vend të veçantë zënë edhe 11 flamuj të viteve 1912-1920, ku 2 janë të Princ Vidit, flamuri i përdorur në varrimin e Ismail Qemalit, flamuri i shoqërisë “Drita”, i Vatrës, i shoqatës “Djelmtë e Stambollit”, i Kongresit të Lushnjës etj. Me Ministrinë e Kulturës është bërë fillimisht një kontratë tremujore, por thuhet se do të bisedohet që këto objekte të kalojnë përfundimisht në këtë muze. Ky pavijon ka në vetvete 280 objekte muzeore, trofe dhe relike të ndryshme, ndërsa në total, muzeu i kalon të njëmijë objektet. Në anën tjetër të katit të parë janë ekspozuar armatime të përdorura pas viteve ’45 deri në vitet ’90. Gjenden aty armë të llojeve të ndryshme, arka me fishekë, pjesë nga avionët e parë, veshje polumbari e viteve ’60, por edhe instilacione me lugët, pjatat, helmetat e përdorura nga ushtarët. Manekina të veshura me veshjet përkatëse ilustrojnë edhe anë të caktuara të përdorimit të mjeteve të armatimit. Në mes të muzeut qëndron një raketë që shkon deri në katin e dytë. “Ky nuk është një muze historik që tregon sesi është krijuar një forcë apo dega e një force”, është shprehur ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, duke theksuar veçanërisht vlerën e pavijonit historik me reliket dhe objektet muzeore. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Arkivave dhe Muzeve të FA-së, gjeneral brigade në rezervë, Agim Lala, u bëri apel të gjithë ushtarakëve, si edhe familjeve shqiptare që ruajnë relike, që nga uniformat e ndryshme, armatime, pajisje, grada të viteve para 1966, që janë përdorur nga ushtria shqiptare, të dhurohen për muzeun e ushtrisë. Kuratorë të muzeut janë dy pedagogët e Universitetit të Arteve, Ardian Isufi, dhe Genc Përmeti, ndërsa me këtë rast janë prezantuar edhe tri botimet e reja të kësaj ministrie, albumi fotografik, “Fillimet e Pavarësisë 1910-1912”, “Dëshmorët e Atdheut”, “100 vjet Këngë, Himne dhe Marshe Patriotike”.