Festat e fundvitit, pushteti vendor nis kontrollet për abuzimet dhe spekulimet e produkteve të shportës 


Shpresa Mezini


Me të hyrë në dhjetor, muajin e festave, çmimet e produkteve ushqimore kanë pësuar rritje. Ndonëse çmimet kanë ndryshuar nga muaji në muaj, apo brenda 15 ditëve, bazuar në monitorimin që gazeta “Shqip” ka bërë në pikat ushqimore, për të evidentuar çmimet e produkteve bazë të konsumit, dhjetori shënon pikun.


Edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, çmimet fillojnë të rriten lehtë në fillim të muajit dhjetor, ndërsa prekin majat pas 15-ditëshit të parë, në vigjilje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.


Përballë këtij fenomeni, që vërehet pothuajse çdo fundviti, reagon Bashkia e Tiranës.


Në një njoftim zyrtar, mësohet se pushteti vendor ka ngritur grupet e punës dhe duke filluar nga sot do të vijojë kontrollet intensive në terren, për të parandaluar çdo rritje abuzive të çmimeve. “Kjo veprimtari do të shoqërohet me monitorimin e vazhdueshëm, sistematik, nga sot e tutje, të tregjeve kryesore, siç është ai te Qyteti i Nxënësve, tregut ushqimor dhe fruta-perimeve tek ish-uzina “Dinamo”, tregu te Pazari i Ri, siç e njohim, lidhur jo vetëm me kontrollin e çmimeve, por edhe me vendosjen e etiketës, me të gjitha elementet e saja dhe që kanë të bëjnë me origjinën e mallit, cilësinë, por në radhë të parë, një etiketë e cila ka brenda elementet e çmimit”, tha Petrit Vasili, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai theksoi se edhe sivjet, Bashkia e Tiranës do të ngrejë tregje alternative në zonat kryesore të Tiranës, nëse vërehet se çmimet e produkteve ushqimore në tregjet aktuale janë rritur në mënyrë abuzive, me rastin e festave të fundvitit.


“Bashkia e Tiranës është e përgatitur dhe ka marrë të gjitha masat, që këtë vit, ashtu sikundër një vit më parë, të ngrejë në një kohë shumë të shpejtë, në mënyrë të menjëhershme, në rast se do të konstatohet problematika e abuzimit dhe spekulimit me çmimet, një treg provizor për artikujt ushqimorë dhe fruta-perimet, në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzueshme për qytetarët e Tiranës dhe të mos përballen me abuzivitete të panevojshme, të cilat rëndojnë buxhetet familjare e ku në këtë pikë, Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë shumë e ndjeshme”, shtoi Vasili. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës bëri me dije se këtë vit, për herë të parë, pjesë e grupeve të punës do të jenë edhe specialistë të minibashkive, në territorin e të cilave pozicionohet tregu, në mënyrë që hallkat e këtij projekti zinxhir të jenë në funksion të njëra-tjetrës.


“Një element i ri, i cili futet këtë vit, në raport me ndërtimin e grupeve të punës, është se do të ketë në përbërje edhe specialistë përkatës nga minibashkitë, në territorin e të cilave ndodhet tregu, duke siguruar në këtë mënyrë që të gjitha elementet e kontrollit, AMK, Policinë Bashkiake, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore e njëkohësisht minibashkinë, të plotësojnë të gjithë aktorët në proces, që kanë të bëjnë me një kontroll të plotë të kësaj situate”, tha Vasili.


 


Raporti


INSTAT: Në nëntor, blemë më shtrenjtë vajin dhe zarzavatet


Duke iu referuar raportit të Institutit të Statistikave, rezulton se çmimet e konsumit në muajin nëntor shënuan një rritje prej 0.2 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm, në një kohë që ndryshimi vjetor i indeksit në muajin nëntor 2012 dhe nëntor 2011 është 2.5 për qind. “Indeksi i grupit ‘ushqime dhe pije jo alkoolike’ shënoi një ulje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi


mund të përmendim uljen e çmimeve të konsumit të nëngrupeve: ‘fruta’ me 8.8 për qind, ‘mish’ me 0.2 për qind, ‘sheqer dhe ëmbëlsira’ me 0.1 për qind. Ndërsa çmimet e konsumit të disa nëngrupeve të tjera kanë shënuar rritje. Këtu mund të


përmendim rritjen e çmimeve të nëngrupit ‘zarzavate’ me 6.1 për qind, ‘kafe, çaj, kakao’ me 3.3 për qind, ‘vajra dhe yndyra’ me 0.4 për qind. Indeksi i grupit ‘pije alkoolike dhe duhan’ ka shënuar një rritje prej 0.2 për qind, rritje kjo që ka


ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të duhanit me 0.3 për qind”, thuhet në njoftimin zyrtar të INSTAT-it, për periudhën nëntor të këtij viti. Sh.Me.