Vdes kryefamiljari, rëndë gruaja dhe vajza


Një zjarr tjetër ra dje te poliklinika nr. 10 në Tiranë, duke asfiksuar disa pacientë


Silvana Muça


Kryefamiljari i djegur në vilën katërkatëshe në Tiranë nuk u ka mbijetuar plagëve të marra, ndërkohë që një tjetër zjarr ka rënë dje në qendrën shëndetësore nr. 10 në kryeqytet, duke shkaktuar asfiksimin e disa personave dhe sjellë panik te qytetarët, të cilët po kryenin vizita mjekësore.


Për rastin e dy ditëve më parë, mjekët e spitalit të djegieve thanë dje se nuk u ka mbijetuar plagëve 37-vjeçari Ilir Qefalia, kryefamiljari që u dogj në banesë nga shpërthimi i bombolës së gazit. Si pasojë e kësaj, mbetën të dëmtuar bashkëshortja dhe vajza e tij Dorina dhe Armela Qefalia, përkatësisht 29 dhe 8 vjeç. Burimet spitalore bëjnë me dije se kryefamiljari nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve të rënda që kishte marrë në trup, ndonëse prej 24 orësh ai ka qëndruar në terapi intensive. Mësohet se Ilir Qefalia ishte djegur në 80% të trupit të tij e për pasojë është ndarë nga jeta paraditen e së enjtes. Në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe psikologjike ndodhet edhe bashkëshortja e viktimës, e cila i është nënshtruar terapisë intensive. Sipas specialistëve, 29-vjeçarja ka pësuar disa fraktura, pasi ka rënë nga kati i tretë i banesës në tentativë për t’u shpëtuar flakëve. Për vajzën e vogël të çiftit, Armelën, mjekët thonë se plagët janë të hapura dhe shfaqin rrezikshmëri për jetën. Specialistët nuk mund të japin ende një qëndrim për shëndetin e saj, ndonëse trupi është përfshirë nga flakët në masën 20%. Pasi të kalojnë 48-72 orë, mund të flitet për një kalim të rrezikut apo jo të vogëlushes, pasi pas këtyre orëve nis aktivizimi i vatrave të infeksionit, duke shpresuar që vogëlushja t’i përballojë me sukses. Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e së mërkurës, në lagjen e Çollakëve të Farkës së Vogël në Tiranë.


Ndërsa dje, qendra shëndetësore nr. 10 në kryeqytet është përfshirë nga zjarri për shkak të shpërthimit të kutisë së automatëve. Zjarri ka shpërthyer në katin e parë të godinës trekatëshe, i cili ka sjellë panik te stafi mjekësor dhe qytetarët, ku këta të fundit kanë qenë për të kryer vizita shëndetësore. Menjëherë pas alarmit, në vendin e ngjarjes ka shkuar shërbimi zjarrfikës. Ata kanë bërë evakuimin e të gjithë personave që ndodheshin në qendrën shëndetësore, për të shmangur ndonjë tragjedi të ngjashme me atë të Farkës së Vogël. Zjarrfikësit kanë mundur që të neutralizojnë flakët në një kohë të shpejtë, duke shmangur përmasat ekstreme që mund të provokoheshin nga zjarri. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por disa prej të pranishmëve në godinë janë asfiksuar, por nuk kanë pësuar probleme shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe efektivët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet për gjetjen e shkakut të shpërthimit të zjarrit në godinë. Paraprakisht dyshohet se shkaku ka qenë mbingarkesa në sistemin elektrik, i cili shpërtheu automatin dhe më pas mori flakë. Pas kësaj, është djegur edhe linja elektrike për të gjithë godinën dhe qendra shëndetësore ka mbetur pa energji elektrike, si dhe janë shkaktuar një sërë dëmesh materiale.